Uellsi përmbysi dhe eliminoi Belgjikën nga Euro 2016 (Video)

01/07/2016 22:41

Uellsi është kualifikuar në gjysmëfinale të Euro 2016, pasi eliminoi Belgjikën duke e mposhtur me rezultat 3:1.

Të parët në epërsi kaluan belgët. Mesfushori i Romës, Radja Nainggolan, shënoi një gol të bukur në minutën e 13’të, që mund të jetë në mesin e më të mirëve në Euro 2016.

Pas pranimit të golit në minutën e 13’të, Uellsi mori kontrollin e ndeshjes duke dominuar ndaj belgëve, dhe kjo iu shpërblye pasi në minutën e 31’të, kapiteni Ashley Williams shënoi për 1:1. Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.

Me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 55’të, Hal Robson-Kanu shënoi për 2:1 duke trullosur mbrojtjen kundërshtare. Derisa goli i nokautit erdhi në minutën e 86’të, 

Sam Vokes shënoi për rezultatin përfundimtar 3:1.

Në gjysmëfinale Uellsi do të përballet me Portugalinë e Cristiano Ronaldos. /Express/