​Taksisti e ther me thikë tifozin e Man Unitedit, që po e festonte triumfin ndaj PSG-së


08/03/2019

44-vjeçari ishte duke udhëtuar nga qendra e qytetit, pas ndeshjes, me tre persona të tjerë, kur vozitësi u ofendua nga festimet e pasagjerëve të tij, të cilët po këndonin për Marcus Rashfordin, i cili e shënoi golin që e eliminoi PSG-në nga Liga e Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Sky Sports News raporton se taksisti ishte ndalur në gjysmë të rrugës dhe u kishte kërkuar që të dilnin nga vetura, para se ta nxirrte një thikë, me të cilën e kërcënoi një grua.

Viktima tentoi të intervenojë për ta mbrojtur gruan, por vozitësi e ktheu thikën drejt tij, duke e therur në gjoks. Ai mbeti i shtrirë të trotuar derisa më në fund u ndal një veturë, me të cilën shkuan deri në spital.

Ai u bë operacion menjëherë pasi që u detyrua ta largonte një pjesë të madhe të gjakut nga mushkëritë e tij. Policia e Francës e ka arrestuar një person të dyshuar për këtë sulm.

Parisienët e kishin fituar ndeshjen e parë, në Old Trafford, me rezultat 2:0, në kuadër të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve. Mirëpo, ata e humbën ndeshjen kthyese, me rezultat 3:1, duke bërë kështu që skuadra e Ole Gunnar Solskjaer të kualifikohet për shkak të golave si mysafir.

Ishte menduar se do të jetë e pamundur për skuadrën e Ole Gunnar Solskjaerit ta arrijë këtë triumf, për shkak të dominimit që PSG-ja kishte shfaqur në ndeshjen e parë dhe për shkak të numrit të madh të lëndimeve në skuadrën e “Djajve të kuq”, gjithsej dhjetë.

Unitedi kaloi në epërsi qysh në minutën e dytë të ndeshjes, përmes Romelu Lukakus, i cili shënoi përsëri, pasi e barazoi rezultatin Juan Bernat. Dhe në momentet e fundit të ndeshjes, Rashford arriti ta shënojë penalltinë, të cilën gjyqtari e akordoi pasi Presnel Kimpembe e preku topin me dorë brenda zonës së penalltisë.

PSG-ja e dominoi ndeshjen, duke e mbajtur 73 për qind të topin gjatë ndeshjes, mirëpo francezët bënë vetëm katër goditje në drejtim të portës, po aq sa anglezët. Fati i tyre u përcaktua nga një penallti e Marcus Rashfordit, në minutën e katërt të minutave shtesë. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart