Rexha tregon rivalët e Feronikelit për titull


22/02/2019

Kjo fundjavë do ta sjellë xhiron e 19-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll në kuadër të së cilës do të zhvillohet edhe derbi i madh ndërmjet dy kandidatëve të mëdhenj për titull të kampionit, Feronikelit dhe Llapit, shkruan Gazeta Express.

Sulmuesi më i dalluar në Kosovë, Kastriot Rexha i Feronikelit, i ftuar në emisionin “Favorit” në T7, e ka pranuar se gara për titull do të jetë më e zjarrtë si kurrë më parë.

Feronikeli është në pozitën e parë me 42 pikë, vetëm dy më shumë se Prishtina dhe katër më shumë se rivali i të dielës, Llapi.

Rexha mendon se Feronikeli nuk do ta ketë aspekt ë lehtë të triumfojë deri në fund, për shkak të Llapit e Prishtinës, synimi i të cilave është vetëm titulli, pasi të dy skuadrat tashmë kanë rënë nga Kupa e Kosovës.

“Llapi dhe Prishtina janë skuadra të rrezikshme. Ato s’kanë çfarë të humbasin, pasi bëjnë gara vetëm në kampionat, pas eliminimit nga Kupa dhe synimin e vetëm e kanë kampionatin”, u shpreh ai.

“Dy skuadrat kanë ekipe mjaft cilësore dhe dallimi i pikëve me Prishtinën dy dhe me Llapin katër nuk na lejon të themi që njëra apo tjetra skuadër është më favorite. Mendoj se jemi aty të tri skuadrat. Ne duhet të kemi kujdes dhe të japim më të mirën nga vetja, për ta mbrojtur pozitën e parë dhe të vazhdojmë me ecuri pozitive siç e kemi nisur këtë vit”, shtoi Rexha.

Klasikja mes Feronikelit e Llapit, e vlefshme për xhiron e 19 në Ipko Superligë, do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart