Reali heshti Barcelonën në Camp Nou (Video)

02/04/2016 22:21

Real Madridi i Zinedine Zidane ka përmbysur rezultatin ndaj Barcelonës nga 1:0 duke fituar në fund 1:2 për t’i marrë tri pikë shumë të rëndësishme në xhiron e 31’të në La Liga.

Pjesa e parë nuk solli gola, të cilën e dominuan katalunasit me posedim gjithashtu edhe me raste.

Pjesa e dytë filloi me një ritëm më të shpejtë ku fillimisht Leo Messi ishte afër që të shënonte një gol të bukur, por Keylor Navas ia mohoi një gjë të tillë duke dërguar topin në korner.

Pikërisht në këtë moment, pas ekzekutimit të kornerit, Gerrard Pique shënoi për 1:0 për ta kaluar në epërsi Barcelonën, kjo ndodhi në minutën e 56’të.

Megjithatë, madrilenët reaguan shumë shpejt, duke shënuar golin e barazimit pas vetëm shtat minutave. Sulmuesi Karim Benzema shënoi për 1:1 në minutën e 63’të.

Pas golit të barazimit, Real Madridi u tërhoq mbrapa duke tentuar që të luajë përmes kundërsulmeve.

Momenti më kontrovers i ndeshjes mbetet minuta e 80’të kur Bale shënoi për 1:2, por gjyqtari pretendoi për faull në Jordi Alban pas shkëputjes së Gareth Bale.

Sidoqoftë ky rast nuk do të mbahet mend pasi Reali shënoi golin e fitores duke u vendosur kështu drejtësia në vend. Cristiano Ronaldo shënoi për 1:2 në minutën e 85’të duke ia dhuruar fitoren skuadrës së Zinedine Zidane. /Express/