Reagimi i Xherdan Shaqirit pas fitores së rëndësishme të Liverpoolit në rrugë drejt titullit


12/01/2019

Anësori kosovar i Zvicrës dha kontributin e tij në këtë triumf minimal të të kuqve, që u vendos nga goli i Mohamed Salahut nga penalltia, shkruan Gazeta Express.

Shaqiri – i cili ishte titullar për herë të dhjetë këtë sezon – i lavdëroi bashkëlojtarët e vet për fitimin e tri pikëve tjera të rëndësishme.

Pas ndeshjes, Shaqa ka shkruar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram: “Ju lumtë djelmosha! 3 pikë të rëndësishme sot”. 

Ai ka mundur të shënonte shumë lehtë – atë që do të ishte goli i tij i shtatë për të kuqtë në Premierligë – sikur të kishte pak më shumë fat.

Në minutën e 27-të, Xherdan Shaqiri ishte shumë pranë ta kalojë skuadrën e Jurgen Kloppit në epërsi me një gol të pazakontë për të, por goditja e tij me kokë nga rreth pesë metra përfundoi pranë shtyllës së djathtë të portierit kundërshtar.

Por, pesë minuta brenda pjesës së dytë, Mohamed Salah u ndal në zonë pasi u tërhoq prej fanelle nga Martin Montoya. Gjyqtari dha penallti për Liverpoolin, të cilën egjiptiani e konkretizoi në gol.

Ky gol qe i mjaftueshëm për të kuqtë që të fitojnë dhe të shkojnë në kuotën e 57 pikëve, shtatë më shumë se Manchester City në vendin e dytë që të hënën luan ndaj Wolves dhe nëntë më shumë se Tottenhami që të dielën e pret Manchester Unitedin. /Gazeta Express/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart