Rashica, Zeneli, Celina dhe Muriqi – katërshja e Kosovës që duhet t’ia kenë frikën kundërshtarët


10/03/2019

Disa ditë para super ndeshjeve në stadiumin “Fadil Vokrri”, me Danimarkën (21 mars) dhe Bullgarinë (25 mars), futbollistët e Kosovës janë duke dhuruar spektakël nëpër liga të ndryshme evropiane, shkruan Gazeta Express.

Sulmi, është reparti më i frikshëm i Kosovës, dhe këtë po e tregojnë çdo ditë e më shumë djelmoshat e “Dardanëve”; Milot Rashica, Arbër Zeneli, Bersant Celina dhe Vedat Muriqi në veçanti.

Rashica nuk e nisi mirë sezonin 2018/19 me Werderin, por ai është në një formë fantastike në vitin 2019. 

Talenti 22-vjeçar ka shënuar 5 gola për Werder Bremen këtë vit, 7 në total – përfshirë edhe dy të fundit në fitoren ndaj Schalkes.

Nëpër formë fantastike po kalon edhe 24-vjeçari, Arbër Zeneli, që në afatin kalimtar të janarit la Heerenveen (Holandë) për Stade de Reims (Francë).

Në 6 paraqitje për ekipin francez deri më tani, ai ka shkëlqyer dhe ka shënuar dy gola, derisa ka dhuruar edhe tri asiste – duke fituar menjëherë zemrat e të gjithëve.

Në total, në sezonin 2018/19 me (Heerenveen e Stade de Reim), Zeneli ka dhuruar 14 asistime dhe ka shënuar 6 gola.

Ai realizoi edhe vikendin që lamë pas, duke shënuar golin e vetëm të Reims në barazimin 1-1 me Dijonin.

Nëpër një formë fantastike para ndeshjeve të marsit, po kalon edhe 9-shi, Vedat Muriqi.

Ai shënoi të dielën dy gola në fitoren 3-0 të Rizespor ndaj Kayserispor.

Në total, këtë sezon, Muriqi ka shënuar 10 gola dhe ka bërë 6 asiste – dhe është gati për Danimarkën dhe Bullgarinë.

Formë të mirë po kalon edhe Bersant Celina, i cili nuk ka qenë i ftuar në disa ndeshje të Ligës së Kombeve, por shpreson që Bernard Challandes të ndërrojë mendje dhe t’ia bëjë një vend.

Në fakt, janë statistikat ato që mund ta shtynë 67-vjeçarin ta thërrasë ish-sulmuesin 22-vjeçar të Manchester City.

Celina, te Swansea City, më shumë po luan në krahun e majtë të sulmit dhe po shkëlqen me klubin anglez në Championship.

Në total, deri më tani, 22-vjeçari ka arritur të shënojë 7 gola, teksa ka dhuruar edhe 6 asistime. 

Ai është kthyer në titullar të rregullt të Swansea dhe beson se ka ardhur koha që të bëjë diferencën edhe me Kosovën.

Duke parë formën e mirë të këtyre sulmuesve, por edhe pjesës tjetër të skuadrës, pasi Rrahmani, Kololli, Shala, Kryeziu e shumë të tjerë – kanë shkëlqyer me skuadrat e tyre, atëherë “Dardanët” do të tentojnë të vazhdojnë me ecurinë fantastike, pa humbje.

Hera e fundit kur Kosova ka pësuar humbje, është 9 tetori i vitit 2017 – që nga atëherë, “Dardanët” kanë shkuar në 10 takime pa humbje, 9 me trajnerin, Bernard Challandes.

Në kualifikimet për “Euro 2020”, Kosova bën pjesë në Grupin A me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Kujtojmë, se nëse Kosova dështon të kualifikohet në “Euro 2020” përmes rrugës normale, ka shansin përmes Ligës së Kombeve.

Kosova fitoi Grupin 3 në Ligën D të Ligës së Kombeve për t’u kualifikuar në “play-off”.

“Dardanët” janë vetëm dy ndeshje larg historisë dhe fillimisht, do të përballen me Maqedoninë në Shkup, dhe në rast fitores, në finale do të kenë punë me fituesin e duelit Gjeorgji – Bjellorusi.

Jemi pranuar në UEFA e FIFA vetëm në vitin 2016, por tashmë Kosova iu ka treguar të gjithëve se si një vend i vogël, i dalur pak vite nga lufta, mund të arrijë gjëra të mëdha. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart