Napoli e mund Bolognën në një ndeshje dramatike


29/12/2018

Pas humbjes ndaj Interit një javë më parë, skuadra e Carlo Ancelottit e kishte të domosdoshme fitoren ndaj Bilognës për t’i ruajtur shpresat për titull, të cilën e arriti edhe pse më mjaft vështirësi, raporton Gazeta Express.

Napoli vazhdon të ngelë nëntë pikë prapa liderit Juventus, pas 19 ndeshjeve të zhvilluara deri tani.

Napolitanët patën fitoren në dorë dy herë, por nuk arritën ta ruanin rezultatin dhe iu desh ndihma e belgut Mertnes për ta fituar këtë takim dramatik.

Arkadiusz Milik hapi serinë e golave pas një çereku lojë, por vizitorëve nga Bologna nuk iu desh shumë për ta barqazuar rezultatin në 1-1, kur Federico Santander shënoi gol të bukur me kokë në minutën e 36-të.

Milik e ktheu epërsinë e vendasve po ashtu me një gol me kokë në minutën e 51-të, megjithatë gjysmë ore më pas Danilo e barazoi rezultatin në 2-2.

Shpëtimtari Dries Mertens realizoi me një goditje të fuqishme nga largësia për ta vulosur përfundimisht fitoren e Napolit.

Napoli tani grumbullon 44 pikë, nëntë më pak se lideri Juventus dhe pesë më shumë se Interit, që renditet i treti.

Bologna renditet e 18-ta, në zonën që dërgon një nivel më poshtë të futbollit italian, me 13 pikë, tri më shumë se vendi i 19-të, Frosinone dhe tri më pak se vendi i 17-të, Empoli. /Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart