Majlinda Kelmendi: Suksesi im është i Kosovës, inspirim për rininë


14/08/2016

Kampionia olimpike duket tejet e lumtur pas triumfit historik në Rio 2016.

Ajo në konferencën për media në aeroportin ‘Adem Jashari’, falënderoj të gjithë, teksa tregoi se është nisur për Brazil vetëm për të fituar medaljen e artë

Kjo është intervista e plotë e Majlindës:

“Nuk po di nga t’ia fillojë. Kemi punuar shumë që të arrijmë këtë sukses, që ndoshta shumë shtete në botë ëndërrojnë të arrijnë. Rruga ka qenë shumë e vështirë me shumë pengesa, por po shpresoj që brezat e rinj nuk kanë me i pas”, tha Majlinda.

“Periudha më e vështirë ka qenë viti 2015 kur kam pasur lëndime me gjurin, shpinën dhe shumë gjera tjera. Kam menduar se nuk do të kthehem asnjëherë në top formë. Ajo ishte periudha më e vështirë, jo vetëm psiqikisht, por edhe mendërisht. Por, fatmirësisht jam rikthyer në më të mirën time ku këtë vit jam bërë edhe kampione e Evropës, përveç medaljes së artë”, shtoi Kelmendi.

“Në Rio jam nisur për medalje të artë. Nuk ishte e lehtë pasi atje të gjithë ëndërrojnë të marrin atë medalje. Fatmirësisht gjithçka ka shkuar qysh kam pritur”, theksoi kampionia olimpike.

“Lufta më e vështirë ka qenë kundër japonezes Nakamura, e cila kohë më parë ishte idol im. Tani arrita të garojë me të dhe të fitojë, ishin momente të papërshkrueshme”, u shpreh Majlinda.

“Në finale kam pasur bindjen se do të fitojë pasi isha shumë e motivuar dhe e dija se medalja e artë do të ishte e imja. Gjithë kjo sakrificë është bërë për popullin tim, kështu që urime të gjithëve”, përfundoi Majlinda në konferencën për media në aeroportin e Prishtinës. /Express/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart