Majlinda, e arta e Kosovës (Foto)


08/08/2016

Xhudistja numër një në botë, Majlinda Kelmendi, e ka shkruar emrin e saj në histori të sportit kosovar, duke u stolisur me medalje të artë në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Brazil.

Për të arritur këtë, Majlindës iu deshtë të djersitej shumë duke u përballur me disa xhudiste. Fillimisht, Majlinda u përball me zviceranen Evelye Tschopp, që e mposhti me IPPON për 25 sekonda, duke dhënë sinjale se ka ardhur në ‘Rio 2016’ për të shkruar historinë, shkruan Gazeta Express.

Në çerekfinale Majlinda u përball me Christianne Legentil, një luftë aspak e lehtë për të artën e Kosovës, nga e cila kishte pësuar humbje në Lojërat Olimpike ‘Londër 2012’, atëherë përfaqësonte Shqipërinë.

Por, atë kohë Majlinda ishte eliminuar nga gabimet e saj, gabime të cilat nuk i përsëriti në këto Lojëra Olimpike, duke mposhtur kështu Legentilin, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.

Pas kësaj fitoreje, ndaj një kundërshtareje të vështirë për Majlindën, emocionet vetëm sa vinin e shtoheshin.

Në gjysmëfinale, Majlinda do të përballej me Misato Nakamuran, xhudiste tejet e mirë, transmeton gazeta Express.

Me ndihmën e trajnerit të tij, Driton Kuka, i cili ishte afër përjashtimit nga stoli i trajnerit për shkak të veprimeve që bënte nga emocionet që po i dhuronte Majlinda, ajo mposhti Nakamuran dhe arriti të shkruajë historinë fillimisht duke u kualifikuar në finale.

Me kualifikimin në finale, Majlinda shkroi historinë duke marrë medalje olimpike, por ajo dëshironte më shumë se sa medaljen e argjendtë. Ajo ëndërroi që kur ishte fëmijë për këtë ditë dhe nuk dëshironte që t’i ikë ky shans nga duart – dëshironte medaljen e artë, përcjell Gazeta Express.

Këtë e arriti kur në finale e mposhti xhudisten italiane Odette Giuffrida, për të shkruar historinë, për të bërë krenarë gjithë shqiptarët, për t’u stolisur me medalje të artë olimpike.

Majlinda, e arta e Kosovës…

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart