Liverpooli rikthehet te fitorja pasi e mund Brightonin, me Shaqirin titullar


12/01/2019

Të kuqtë i fituan tri pikë tjera të rëndësishme në luftë për titull kampioni në ligën elitare angleze – dhe tani i ikin shtatë pikë ndjekësit të parë Manchester Cityt – falë golit të Mohamed Salahut nga penalltia, i cili ishte i 14-ti për egjiptianin deri tani këtë sezon, raporton Gazeta Express.

Liverpooli e nisi qetë takimin dhe iu desh pothuajse gjysmë ore lojë për ta rrezikuar seriozisht portën e Brightonit.

Në minutën e 27-të, Xherdan Shaqiri ishte shumë pranë ta kalojë skuadrën e Jurgen Kloppit në epërsi me një gol të pazakontë për të, por goditja e tij me kokë nga rreth pesë metra përfundoi pranë shtyllës së djathtë të portierit kundërshtar.

Por, pesë minuta brenda pjesës së dytë, Mohamed Salah u ndal në zonë pasi u tërhoq prej fanelle nga Martin Montoya. Gjyqtari dha penallti për Liverpoolin, të cilën egjiptiani e konkretizoi në gol.

Ky gol qe i mjaftueshëm për të kuqtë që të fitojnë dhe të shkojnë në kuotën e 57 pikëve.

Fitorja e Liverpoolit ka mundur të ishte shumë bindëse sikur Roberto Firmino dhe Mohamed Salah t’i shfrytëzonin mundësinë që patën deri në fund.

Më pak se 20 minuta para fundit, Klopp e zëvendësoi Shaqirin me James Milnerin.

Liverpooli tani mbledh plot 57 pikë pas 22 ndeshjeve, shtatë më shumë se Manchester City në vendin e dytë, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, megjithatë.

Brightoni, ndërkohë, mbetet në vendin 13-të me 26 pikë. /Gazeta Express/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart