​Kloppi s’e ndien presionin e garës për titull: Man City nuk më shkakton sulm në zemër!


28/02/2019

Lideri i ligës angleze, Liverpooli, i kishte barazuar tri nga katër ndeshje paraprake, mirëpo u kthyen në formë të mirë për ndeshjen kundër Watfordit, të cilin e turpëruan mbrëmë në Anfield, duke fituar me rezultat 5:0, transmeton Gazeta Express.

Sadio Mane dhe Virgil van Dijk i shënuar nga dy gola, ndërsa Divock Origi e shënoi golin e tij të parë që nga dhjetori. Këto pesë gola ia siguruan fitoren dhe vendin e parë në tabelën e Premierligës skuadrës së Kloppit, që mbetet vetëm një pikë para Manchester Cityt.

Por, Kloppi insiston se ai është i përqendruar vetëm në rezultatet e skuadrës së tij dhe nuk mbetet i habitur kur dikush i tregon se edhe skuadra e Pep Guardiolës ka siguruar fitore.

“Nuk mendoj se keni nevojë për një përgjigje nga unë. Ne vetëm duhet të luajmë futboll dhe pastaj e shohim çfarë do të ndodhë”, tha Klopp, kur u pyet për fitoren e mbrëmshme të Manchester Cityt, kundër West Hamit.

“Nuk është se unë shkoj në zhveshtore dhe dikush ma tregon rezultatin dhe unë përjetoj sulm në zemër. Është gjë normale. Nëse je lider i tabelës, pret që edhe kundërshtarë e tu të fitojnë. Kështu funksionon. Nuk mendova për Cityn, por prisja që ata do të fitonin”. 

“The Reds” nuk e kanë fituar titullin e ligës që nga viti 1990 dhe kjo ka bërë që të ketë edhe më shumë presion mbi klubin, për shkak të formës së keqe që ka shfaqur skuadra e Kloppit në ndeshjet e mëparshme të këtij muaji. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart