​E ardhmja e Sarrit e pasigurt, lojtarët e Chelseat i vënë në dyshim taktikat e tij


12/02/2019

Prioriteti kryesor i këtij sezoni për Chelsean është të kualifikohet për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, mirëpo disfata turpëruese me rezultat 6:0 ndaj Manchester Cityt ka bërë që klubi londinez të zbresë në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës, transmeton Gazeta Express.

Triumfi në Evropa Ligë është një mënyrë tjetër sesi Chelsea mund ta sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve, pasi që fituesi i kësaj gare e siguron një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, gjasat që Sarri të triumfojë në Evropa Ligë me formën e tanishme janë të vogla. Përderisa italiani u prit krahëhapur nga lojtarët e Chelseat në fillim të sezonit, disa prej tyre veçse e kanë humbur besimin te trajneri.

Futbollistët e kësaj skuadre besohet se janë të pakënaqur me qasjen strikte dhe të ashpër ndaj stërvitjeve. Për më tepër, ata janë të shqetësuar edhe sa i përket kufizimit të lirisë së lëvizjes në fushë gjatë ndeshjeve.

Lojtarët e Chelseat nuk janë të kënaqur as me orarin e stërvitjeve, pasi që nganjëherë ato fillojnë në orën 16:00 dhe vazhdojnë deri në mbrëmje.

Sarri e ka ndarë skuadrën në dy pjesë: grupin kryesor dhe grupin anësor, pasi që po tenton t’i edukojë lojtarët të cilët nuk kanë arritur ta mësojnë stilin e tij të lojës. Si rezultat e kësaj metode, shumë lojtarë të skuadrës  ndihen të lënë anash.

Mungesa e ndryshimeve në skuadër ka bërë që edhe lojtarët kryesore të jenë më të lodhur për ndeshje, pasi që ata po luajnë në të gjitha ndeshjet, ndërsa lojtarë si Callum Hudson-Odoi kërkojnë një klub tjetër për shkak të mungesës së aktivizimit në lojë. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart