Spitali anglez lë pa ushqim për 19 ditë plakun me sindromën Down


Gazeta Express
15 Prill 2019 11:31

Motra e një burri 61-vjeçar me sindromën Down ka thënë se vëllai i saj ka vdekur për shkak se spitali e la pa ushqim për 19 ditë. Sipas saj, stafi i spitalit ka bërë komunikim të gabuar dhe ka shfaqur mungesë të veprimit ndaj pacientit të tyre.

Guiseppe Ulleri ishte rrëzuar në shtëpinë e tij në Mançester dhe ishte shtrirë në Spitalin Mbretëror të Mançesterit pasi ishte gjetur i gjakosur në dyshemenë e dhomës së tij të gjumit.

Ai kishte vdekur pas më pak se një muaji pas rrëzimit. Motra e tij ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të komunikimit të dobët mes stafit mjekësor dhe vonesave për të vendosur se cila është mënyra më e mirë për ta ushqyer plakun. Kështu, ai kishte qëndruar pa ushqim për 19 ditë dhe i kishte humbur më shumë se 18 kilogramë.

Duke folur për herë të parë publikisht pas vdekjes së vëllait të saj, Ria Ulleri thotë se ai ishte i ëmbël dhe qesharak dhe se familja e tij nuk e dinte për kohën e gjatë të mungesës së ushqimit gjatë qëndrimit në spital.

“Gjatë tërë jetës së tij, ne luftuam që ai të ishte i përfshirë dhe të trajtohej me respekt. Sidoqoftë, në fund të jetës, atij nuk iu ofrua një gjë e tillë nga ata që ishin të thirrur të kujdesen për të”, tha ajo.

Ajo thotë se mjekët i bënin presion familjes që ai të trajtohej në shtëpi. Guiseppe ishte fëmija më i madh nga katër sa ishin në familje. Nëna e tyre kishte vdekur kur ata ishin të vegjël dhe ishin rritur vetëm me babain, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart