SPAK-u në sprovën e spitaleve! - Gazeta Express
string(29) "spak-u-ne-sproven-e-spitaleve"

Gazeta Express

22/01/2020 15:06

SPAK-u në sprovën e spitaleve!

Gazeta Express

22/01/2020 15:06

Reforma e re e Drejtësisë, e realizuar nën kujdesin e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka mundësinë më të mirë për t’u vënë në provë. Nisma Thurje – një organizatë e shoqërisë civile ka depozituar pranë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, padinë për një nga kontratat më të diskutueshme në opinionin publik, atë të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Shumë prej nesh e mbajmë mend Kryeministrin Rama kur shkoi në një studio televizive me tre a katër instrumente mjekësore, bisturi, gërshërë kirurgjikale apo pinceta të ndryshkura e vjetëruara. Sapo filloi intervista ai i nxori setin kirurgjikal të vjetër e të ndryshkur dhe deklaroi: “Ky është niveli i mjekësisë shqiptare”! Sipas Kryeministrit numri i infeksioneve pas operacionale ishte mjaft i lartë si rezultat i mossterilizimit të duhur dhe vjetërsisë së të këtyre instrumenteve mjekësore.

Lexo Edhe:

Ishte një mënyrë e mirë për të sensibilizuar opinionin për domosdoshmërinë e një reforme të thellë që prekte hiç më pak se jetët njerëzore dhe si e tillë kishte mirëkuptimin e të gjithëve.

Mirëpo një gjë është të konstatosh domosdoshmërinë jetike të një shërbimi e një gjë krejt tjetër është të mirëadministrosh paratë e buxhetit qoftë edhe për këtë nevojë jetike. Kryeministri bëri jashtëzakonisht mirë që e vuri theksin në nivelin mizerabël të kujdesit shëndetësor por administrata shëndetësore u tregua tepër “zemërgjerë” në përdorimin e parave për ta përmirësuar këtë situatë.

Një kontratë koncesionare u lidh me Kompaninë SaniService shpk për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë problem.

Në kontratën e nënshkruar për këtë qëllim Ministria e Shëndetësisë dhe koncesionari ranë dakort që pagesat do të ishin sipas parimit “Pay and Use” ose paguaj për aq njësi sa ke kryer punë. Çmimet për njësi varionin nga 110 në 275 Euro, në varësi të setit kirurgjikal.

Kontrata fillestare u lidh për 71 milion Euro për 10 vjet (2015-2025) ose 7,1 milion Euro në vit.

Të gjithë u çuditën me këtë kontratë përveç Prokurorisë.

Mjeku Artan Koni doli në publik dhe sqaroi se kostoja mesatare e një sterilizimi është 2,4 Euro ndërkohë që e paguajmë 190 Euro!

Kontrata fillestare ishte lidhur për 7,1 milionë Euro në vit por në vitin 2019 kishte shkuar në 14 milionë Euro! Ministria e Shëndetësisë u bënte thirrje spitaleve të ulnin numrin e ndërhyrjeve operatore për vitin 2020!  Denoncimi publik i mjekut Artan Koni nuk shërbeu për fillimin e ndonjë procesi penal në ngarkim të administratori apo Ministri. Atëherë, Nisma Thurje, me datën 23.12.2019 dorëzon në SPAK padinë ndaj kësaj kontrate ku përmend të gjitha arsyet pse ata mendojnë se janë përpara një abuzimi dhe kërkojnë të nisin hetimet. Në atë padi, ndër të tjera,kërkohet të hetohet për:

  1. Arsyet pse është marrë një shërbim i tillë kur shërbimi kryhej nga vetë spitalet. A ka ndonjë studim të Ministrisë së Shëndetësisë për pamundësinë e kryerjes së këtij shërbimi nga vetë spitalet?
  2. Pse Ministria e Shëndetësisë nuk përdori prokurimin publik për gjetjen e ofertuesit më të mirë
  3. Dyshohet që përmbajtja e kontratës koncesionare i shkakton dëme vetëm shtetit dhe jo koncesionarit. A është parashikuar në kontratë që Koncesionari përfiton nga Autoriteti energjinë elektrike, ujin, avullin dhe ambientet e nevojshme për realizimin e sterilizimit? Shpenzimet për energjinë elektrike të QSUT-së janë rritur me 32,000 Euro ndërsa të Spitalit të Durrësit me mbi 63 mijë Euro.
  4. Të shihen shqetësimet e ngritura nga Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për këtë koncesion.

Padia ka edhe pika të tjera të detajuara.

Menjëherë pasi SPAK njoftoi se ka hapur hetimet për këtë koncesion (të parët do pyeten denoncuesit) u dha një lajm nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas këtij lajmi, Ministria dhe Koncesionari kishin rënë dakort që kur numri i seteve kalon 64,000 €, atëherë, çmimi për njësi bie 25%!

Për ta ilustruar po marrim të dhënat e vitit 2019. Sipas të dhënave të Monitor që i referohet FDSKSH, në vitin 2019 janë kryer rreth 90,000 ndërhyrje operatore me afërsisht 14 milionë Euro me çmim mesatar për një set 155 €/set. Nëse koncesionari dhe Ministria do të binin dakort vjet për këtë ndryshim, atë herë koncesionari do të paguhej jo 14 milionë por 12,82 milion. Pra, menjëherë koncesionari ra dakort të ulë pagesën për 1,2 milion € në vit nga një “negociatë”.

Mundet që kjo negociatë të ketë origjinë të hershme kohore, por, fakti që u bë publike në të njëjtën kohë me njoftimin se SPAK ka hapur hetimet për kontratën e koncesionit e bën të dyshimtë.

Tani në dorën e SPAK është një nga çështjet e forta me interes publik. Nëse kjo çështje mbyllet apo zvarritet në kalendat greke (fjala vjen si Unaza e Tiranës) atëherë edhe besueshmëria e publikut ndaj institucioneve reja të drejtësisë do të pësojë një goditje të fortë.