“SPAK nis punën në shtator me ҫështje të nxehta”- Flet kreu i KLP: Do të nisë ҫmontimi i korrupsionit


Gazeta Express
21 Korrik 2019 12:48

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi, në intervistë për DW paraqet argumentat pse me SPAK-un në Shqipëri do të fillojë ҫmontimi i korrupsionit dhe lidhjeve me krimin në nivel të lartë.

49647251_303

DW:  Z. Ibrahimi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, (KLP), mbylli(17.07) procesin e përzgjedhjes së Prokurorëve të Strukturës së Posaҫme Anti – Korrupsion, (SPAK). Sa prokurorë kaluan në sitën e KLP dhe mbi ҫfarë kriteresh u vlerësuan të përzgjedhurit ?

Genti Ibrahimi: Procesi nisi në fillim të janarit të këtij viti, kur u hap gara për prokurorët e SPAK. Kemi pasur 28 kandidatë nga të cilët KLP përzgjodhi 15. Ata u vlerësuan në bazë të 2 kritereve: aftësive profesionale dhe karakterit të fortë / vendosmërisë  profesionale. Vlerësimi u bazua në  dokumentacionin e ofruar prej vetë kandidatëve. Në mënyrë figurative e kemi quajtur këtë garë “një konkurs bukurie” : të gjithë kandidatët konkurruan, ata paraqitën produktet e punës së tyre, dokumentat e ҫështjeve penale që i konsideronin më të sukseshmet dhe që tregonin vendosmërinë e tyre për t’u ballafaquar me ҫështje të vështira. Ne zgjodhëm më të mirët në bazë të rezultateve të punës që do të emërohen nga KLP, kur të kalojnë vettingun.

DW: A do të kenë 15 kandidatët përparësi në rradhën për të kaluar në vetting?

Genti Ibrahimi: Vettingu ka nisur sipas një rendi të paracaktuar në ligj. Të parët vettingut i nënshtrohen gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese,  Kryetarët e Gjykatave dhe prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme,  të Prokurorive të Apelit, drejtuesit e Prokurorive në rrethe dhe gjyqtarë të Gjykatave të Apelit. 15 kandidatët për prokurorë në SPAK jo domosdoshmërisht i përkasin kategorive të mësipërme. Ka nga ata që ende nuk kanë filluar vettingun, të tjerë i kanë kaluar të gjitha fazat e vettingut apo janë në një fazë më të hershme. Tani që dihet lista e kandidatëve ata do të kenë prioritet që t’i emërojmë sa më parë.

DW: Kur mund të fillojë funksionimin SPAK?

Genti Ibrahimi: Nga shtatori apo fillimi i tetorit. Për sejcilin nga 15 kandidatët e SPAK, KLP do të marë një vendim për ta emëruar sapo të kalojë vettingun. Kur kjo të ndodhë për 7 apo 8 syresh do të shpallim krijimin e SPAK dhe fillimin e funksionimit të tij.

DW: Sa Prokurorë duhet të ketë SPAK-u ?

Genti Ibrahimi: Kjo nuk ëshrë kopetencë e KLP. Numri i tyre do të jetë në varësi të ngarkesës së punës por sipas Kushtetutës, SPAK nuk mund  të ketë më pak se 10 prokurorë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka 22 prokurorë. SPAK do të ketë një Kryeprokuror, që do të zgjidhet nga rradhët e 15 kandidatëve, i cili do të ketë edhe përgjegjësi administrative /organizative përpos atyre hetimore. Brenda SPAK-ut do të ketë disa seksione si p.sh. ai për krimin e organizuar, korrupsionin, hetimin e pasurisë etj.

DW:  Z. Ibrahimi, ҫfarë ”kartash” ka në  dorë SPAK që të përligjë pritshmëritë e mëdha që njerëzit dhe elitat intelektuale kanë ndaj tij, si institucioni kyҫ i drejtësisë së re që do të fillojë  ҫmontimin e pandëshkueshmërisë për ish-politikanë apo politikanë aktualë të përfolur për korrupsion, pasurim të paligjshëm, lidhje  me krimin, të paprekur deri më sot nga drejtësia?

Genti Ibrahimi:  Shqipërisë nuk i kanë munguar institucione hetimore për korrupsionin. Por SPAK  ka tri “karta” të reja dhe të rëndësishme në dorë.

Së pari: pavarësinë e prokurorëve. Para reformës në drejtësi dhe ndryshimeve kushtetuese një prokuror i lartë kishte të drejtë të ndryshonte gjithҁka në punën e një prokurori në pozicion më të ulët. P.sh. nëse një prokuror i një niveli më të ulët vendoste fillimin e një ҫështjeje penale eprori i tij mund të vendoste  mosfillimin e saj ose anasjelltas. Sot kjo varësi është ҫmontuar jo vetëm për SPAK por për ҫdo prokuror. Prokurorët e SPAK kanë një mandat 9 vjeҫar, janë të pashkarkueshëm, ndryshe nga prokurorët e tjerë që shërbejnë me një afat të përcaktuar dhe mund të lëvizin nga KLP nga një zyrë në tjetrën. Nëse një prokuror i SPAK  ka kryer shkelje disiplinore për ta shkarkuar duhen 2/3 e 11 anëtarëve të KLP, gjë që vështirë të  arrihet në kushte normale.

Së dyti:  SPAK ka kontroll të plotë mbi policinë gjyqësore, që do të jetë e përbërë nga oficerët e policisë gjyqësore / hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH) që do të rekrutohen nga prokurorët e SPAK. Ndryshe nga  Prokuroria e Krimeve të Rënda, SPAK nuk do të ketë nevojë për  Policinë e Shtetit  për hetimin e korrupsionit dhe lidhjeve me krimin. Deri tani rastet e korrupsionit të funksionarëve të lartë janë hetuar nga  Policia e Shtetit, për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Policia e Shtetit varet nga Ekzekutivi, nga Ministria e Brendshme dhe nuk është ҫudi që pushteti ekzekutiv të sabotojë hetimin nga prokuroria, pasi e ka nën kontroll policinë gjyqësore.

Kjo do të ndryshojë në mënyrë drastike në rastin e SPAK, që do të ketë policinë e vet gjyqësore. Hetimet do të kryhen në një sekret më të madh se deri tani kur hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin bëhen  nga struktura të ndryshme dhe mundësia për rrjedhje të informacionit është më e madhe. Me SPAK  hetimi do të zhvillohet brenda një zyre të vetme, nga një grup njerëzish që janë në lidhje profesionale dhe hierarkike me njëri- tjetrin.

Së treti:  Mbi Prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të SPAK rëndon detyrimi i aksesit në privatësinë e tyre. Ata janë gjithë kohës të monitoruar. Sa herë që flasin në telefon e dinë që dikush i regjistron, llogaritë e tyre bankare janë të aksesueshme.

DW:  A synon aksesi në privatësinë e prokurorëve dhe hetuesve të zbulojë raste potenciale korrupsioni brenda vetë SPAK-ut?

Genti Ibrahimi: Çdo institucion ka rrezikun e kalbëzimit nga brenda. Edhe prokurorët e SPAK mund të bëhen viktima të korrupsionit. Por ata do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm nga brenda institucionit. Nga ana tjetër për ta minimizuar mundësinë e rënies pre të korrupsionit pagat e tyre u japin mundësi të jetojnë me dinjitet pa u korruptuar. Prokurori i SPAK e ka pagën mujore 1500 euro që ditën e parë të punës. KLP i ka propoziar qeverisë t’i rrisë deri në 2.500 euro.

DW:  Me këto 3 “karta” të forta në duar a do të fillojë SPAK hetimin e ҫështjeve të nxehta lidhur me korrupsionin dhe lidhjet me krimin në nivel të lartë?

Genti Ibrahimi:  SPAK  do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90 % të portofolit të kësaj prokurorie, p.sh. do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla. Besimi i publikut tek SPAK do të sjellë kallzime të reja penale. Vetë prokurorët e SPAK, shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë ҫështje të fjetura. Portofoli i SPAK do të jetë më i pasur nga ai i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila do të shkrihet kur SPAK të fillojë punën dhe prokurorët e saj do të emërohen nga KLP në zyrat e prokurorive të rretheve. Dëshiroj të theksoj që hapja e ҫështjeve të fjetura penale nuk ka kufizim kohor kur ato nuk janë parashtruar. Për vepra penale të korrupsionit afati ligjor i hapjes së tyre është shumë i gjatë, shkon me dekada.

DW:  Z. Ibrahimi, kur parashikohet ngritja e BKH?  A mund të fillojë punën SPAK  pa hetuesit ose ndryshe oficerët e policisë gjyqësore të BKH?

Genti Ibrahimi: Kryeprokurori i SPAK do të rekrutojë drejtuesin e BKH  dhe të dy bashkë do rekrutojnë oficerët e policisë gjyqësore, pra hetuesit e BKH. Pas përzgjedhjes ata do të trainohen nga ekspertë amerikanë të FBI,  gjë që do të marrë disa muaj. Por SPAK do të fillojë punën duke përdorur oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, derisa të ngrihet BKH.

Te fundit


Kthehu lart