Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet mbi tenderin e ushqimeve, të cilin qeveria ia akordoi një firme të Maqedonisë së Veriut, e specializuar në kompjutera.
Lexo edhe: PD sulmon Ramën e Xhaçkën: Pse nuk flisni për tenderin korruptiv të ushqimeve?
Partia Demokratike e bëri publik tenderin prej 1.5 mln eurosh javën e kaluar. PD denoncoi gjithashtu tenderin si korruptiv dhe një padi penale iu drejtuar Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka.
Si kundërpërgjigje ndaj padisë dhe akuzave, Xhaçka u kundërpërgjigj duke akuzuar opozitën se po bën politikë me koronavirusin. Nga ana tjetër Xhaçka nuk dha asnjë shpjegim se përse një kompani e Maqedonisë së Veriut, për më tepër e specializuar në kompjutera, arriti të fitojë një tender për pakot ushqimore që qeveria do të shpërndante për ata që janë prekur ndjeshëm nga pasojat e sjella nga koronavirusi në vend.
Lexo edhe: Zonja Ministre, a mundet të flasësh për akuzat dhe jo akuzuesin?
Kujtojmë se pas denoncimit të këtij tenderi, PD ka sjellë në vëmendje dhe 4 prokurorime të tjera, të kryera në kohën e epidemisë. PD denoncoi se qeveria ka kryer 4 tendera sekretë për aspekte të rëndësishme të menaxhimit të krizës së koronavirusit. Në njërin prej tenderave në fjalë, konkretisht atë për respiratorët, sipas PD-së rezulton se fituesi është një kompani që merret me dekoderat e televizorëve./EXPRESS