Sot tri vjet, Akil Gjakova e festonte titullin e kampionit të Evropës ndërsa mbrëmë u arrestua - Gazeta Express
string(174) "sot-tri-vjet-akil-gjakova-e-festonte-titullin-e-kampionit-te-evropes-ndersa-mbreme-u-arrestua-ky-eshte-rasti-i-kryerjes-se-vepres-penale-ne-familje-i-fituesit-te-62-medaljeve"

Sot tri vjet, Akil Gjakova e festonte titullin e kampionit të Evropës ndërsa mbrëmë u arrestua

Sporte tjera

Gazeta Express

17/04/2024 16:11

Pak muaj më parë, Akil Gjakova e kishte fituar medaljen e artë në Kampionatin e hapur Evropian të xhudos, i cili ishte mbajtur në Kosovë.

Sportisti pejan pas këtij suksesi kishte bërë me duar se “Kosova është këtu”, duke e bërë krenare një Kosovë të tërë dhe duke e bërë veten hero.

Lexo Edhe:

Por, vetëm pak muaj pas këtij suksesi, Gjakova ka ardhur në një pozicion të vështirë, shkruan “Gazeta Express”.

Në një kohë kur duhej të fokusohej kah Olimpiada që po vjen, Akili po ballafaqohet me drejtësinë pasi po akuzohet për dhunë në familje.

Xhudisti kosovar është në proces të divorcit me bashkëshorten e tij, ndërsa kjo e fundit së fundmi e denoncoi në polici për ushtrim të dhunës fizike ndaj saj.

28 vjeçari po ngarkohet me veprën penale “dhunë në familje”.

Policia e Kosovës e shpalli si person në kërkim dje kampionin kosovar të xhudos pasi ai nuk u paraqit në polici paraprakisht në ditët e kaluara.

Akili, pjesë e ekipit olimpik të Kosovës, ishte jashtë vendit për disa ditë në një kamp stërvitor olimpik, më saktësisht në Tata të Hungarisë.

(FOTO 4) E mbrëmë vonë, siç raportoi e para “Gazeta Express”, xhudisti pejan u rikthye në atdhe dhe iu dorëzua menjëherë policisë, e cila po e priste në kufi në Merdarë.

“Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njoftoi sot Policia e Kosovës.

(FOTO 5) Gjakova, pasi u intervistua nga Policia në Pejë, me urdhër të prokurorit, u dërgua në mbajtje për 48 orë.

Pa dyshim, ky rast mund të ndikojë në të ardhmen e tij, si në Olimpiadë ashtu edhe në karrierë, shkruan “Gazeta Express”.

Kur kanë mbetur veç edhe 100 ditë deri tek fillimi i Olimpiadës së Parisit, Gjakova e gjen veten në mbajtje me akuzë për dhunë fizike ndaj bashkëshortes.

Për rastin e Akilit, një sportist me potencial për të fituar medalje olimpike, në ditët e fundit kanë shkruar edhe mediat e njohura ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe gjigantin Reuters.

Deri tash, Akil Gjakova e kishte një karrierë të jashtëzakonshme.

Pikërisht sot tri vjet më parë, ai ishte shpallur kampion evropian i xhudos.

Gjithashtu, gjatë karrierës së pasur ka fituar edhe medalje të tjera në gara të rëndësishme.

Gjakova i ka fituar plot 62 medalje në xhudo, duke i përfshirë këtu gjashtë të arta, që nga viti 2011 në gara të ndryshme ndërkombëtare dhe ishte caktuar të merrte pjesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Ai ka fituar medalje në Grand Slame të rëndësishëm në karrierë, ndërsa ishte i artë edhe në Lojërat Mesdhetare.

Akili qe një kohë të gjatë është në mesin e katërshes së madhe të xhudos kosovare, bashkë me Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën e Distria Krasniqin.

Vetëm ai nuk e ka shijuar ende medaljen olimpike, por që ishte duke punuar deri tash që ta arrijë këtë synim jetësor në verën që po vjen, në Paris.

Federata e Xhudos përmes një postimi në rrjetet sociale shkroi mbrëmë se beson që Akili do të dalë i pafajshëm dhe se do t’i rikthehet normalitetit sportiv.

Edhe vetë Akili e ka shpërndarë këtë postim të Federatës, duke u ndier i pafajshëm dhe duke besuar se shpejt do ta kalojë këtë sfidë dhe t’i kthehet dashurisë së tij të përhershme – sportit të xhudos.

Akili ishte martuar para katër vjetësh me Suela Muminoviq dhe janë prindër të një djali, shkruan “Gazeta Express”.

Por, jo gjithçka shkoi mirë për çiftin, i cili kishte probleme gjatë këtij rrugëtimi dhe tash po i japin fund martesës dhe bashkëjetesës.

Gjakova, pjesëmarrës në Olimpiadën e fundit, konsiderohet si xhudisti më i mirë që e ka pasur ndonjëherë Kosova.

Akil Gjakova është njëherësh vëllai i kampiones olimpike të xhudos, Nora Gjakova. /Gazeta Express/