Sot në Ditën Botërore të Poezisë, duke filluar prej orës 19:00, në Soma Book Station në Prishtinë, promovohen dy libra me poezi të përzgjedhura të dy poetëve amerikanë, Allen Ginsberg dhe Neeli Cherkovski, të dy të përkthyer nga përkthyesi i njohur Fadil Bajraj, njëri prej të cilëve (Unë jam një i burgosur i Allen Ginsbergut) është botuar nga shtëpia botuese “Jakup Ceraja”.
Allen Ginsberg (1926-1997) ishte njëri ndër poetët më të shquar amerikanë të shekullit XX. Ka qenë anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Letrave. Në vitin 1993 është shpërblyer me medaljen e Chevalier de l’Ordre des Arts et des Lettres nga Ministria e Kulturës e Francës, po ashtu ka qenë i nderuar si Harvard Phi Beta Kappa poet.
Librat e tij më të njohur janë Howl and Other Poems (1956), Kaddish and Other Poems (1961), The Fall of America: Poems of These States, 1965-1971 (1972), kjo përmbledhje e poezive u nderua me National Book Award.
Pas vdekjes së tij janë botuar edhe këto përmbledhje: Death and Fame: Last Poems (1999) dhe Wait Till I’m Dead: Uncollected Poems (2016).
Fadil Bajraj është përkthyes nga anglishtja në shqip, i fokusuar në një pjesë të madhe në letërsinë amerikane. Ai ishte i vetmi përgjegjës për prezantimin e Beat Generation në botën shqipfolëse me përkthimet e tij të Allen Ginsberg, Jack Kerouac, Lawrence Ferlinghetti, Amiri Baraka, Michael McClure, Philip Lamantia, Gregory Corso, Gary Snyder, Carl Solomon, Harold Norse, Peter Orlovsky, Bob Kaufman, etj.