Sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj katër të akuzuarve për vrasjen me pagesë në Deçan


Gazeta Express
21 Nëntor 2019 12:10

Pas 1 viti e 3 muaj proces gjyqësor, të enjten, në Gjykatën Themelore në Pejë, pritet të shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarve për vrasje me pagesë në Deçan, Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi.

Aktgjykimi ndaj tyre pritet të shpallet në orën 15:00, nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Bekim Raja akuzohen se në maj të vitit 2012 në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurin Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblim prej një qind mijë franga zvicerane.

Në dispozitivin e aktakuzës përshkruhet se të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj me 23 qershor 2014, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake në mes tyre në mënyrë dinake dhe me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për vete, e mashtrojnë viktimën duke e joshur me substanca narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturën e tij “Passat” nga Gjakova për në drejtim të Deçanit, i përcjell nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Më tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të pandehurit Avni Sinanaj, që të kalojnë nëpër fshatrat Hereq, Gramaqel, Dubrav, Gllogjan, dhe me të arritur tek ura që i lidh fshatrat Llukë e Prapaqan, i pandehuri Murat Sinanaj duke qenë i përgatitur, i zënë pritën, dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Murat Sinaj shtënë me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Fillimisht, në këtë rast ka qenë i akuzuar Gjon Pnishi, i cili ishte shpallur fajtor për këtë vrasje dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Pejës, në qershor të vitit 2016.

Por, pas këtij dënimi, ai ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017. /Betimipërdrejtësi

Te fundit


Kthehu lart