Tirana do të presë këtë të hënë drejtuesit më të lartë të 13 shteteve për të diskutuar në takimin e Ministerialit të Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore.
Takimi pritet të nisë në orën 11:30, ku fjalën hapëse do ta mbajë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Nga ora 11:40 deri më 13:00, do të mbahet turneu i tavolinës sipas radhës së folësve.
Tema e diskutimit do të jetë “Rritja e Konkurrueshmërisë së Rajonit dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse si Rrugë drejt Integrimit në BE për Pjesëmarrësit Aspirantë të SEECP-së”.
Më pas, parashikohet të mbahet deklarata e këtij samiti. Për rreth 20 minuta, deri në orën 13:30, do bëhet dorëzimi i kryesisë së SEECP-së.
Ndërsa në orën 14:30, Presidenti i vendit, Bajram Begaj do të bëjë pritjen e delegacioneve.
Procesi i bashkëpunimit në Europën Juglindore përfshin 13 vende pjesëmarrëse dhe synon dialogun dhe bashkëpunimin i cili përmbyll një vit të suksesshëm të Presidencës shqiptare nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.
Tirana mori kryesimin për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, pas kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi ndërsa do t’i pasohet në vijim Sofjes.
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë u zhvillua në Kretë në vitin 1997.
Policia e Shtetit njoftoi një ditë më parë planin e masave për të garantuar mbarëvajtjen e samitit ditën e sotme.
Sipas njoftimit, do të ketë bllokime dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore, konkretisht:
-Në ardhje të delegacioneve Aeroporti i Rinasit– Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës-Tiranë” – Unaza e Re – Rrethrrotullimi i Saukut – Rruga e Elbasanit– Rruga “George Ë Bush” – Rruga “Urani Pano”-Rruga “Dervish Hima”.
-Në largim të delegacioneve: Rruga “George Ë Bush” – Rruga e Elbasanit– Rrethrrotullimi i Saukut – Unaza e Re – Sheshi “Shqiponja” – Autostrada “Tiranë-Durrës” – Mbikalimi i Kasharit – Aeroporti i Rinasit.
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të aktivitetit, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve si dhe lëvizjes të këmbësorëve, në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e DIbrës.