Sot reagoi Isa Mustafa, por dje mesazhe Ramush Haradinajt i çoi edhe Fatmir Limaj - Gazeta Express
string(65) "sot-isa-mustafa-dje-ramush-haradinajn-e-paralajmeroi-fatmir-limaj"

Sot reagoi Isa Mustafa, por dje mesazhe Ramush Haradinajt i çoi edhe Fatmir Limaj

Gazeta Express

25/08/2020 11:35

Partnerët e koalicionit qeverisës nuk arritën të pajtohen mes vete as pas një takimi dyorësh që e patën dje në Qeveri. Ani pse nuk kanë bërë shumë muaj në krye të ekzekutivit, LDK-AAK-Nisma po vazhdojnë të qëndrojnë të ndarë sa i përket dialogut e së fundmi edhe çështjes së presidentit. Mustafa dhe Limaj e kanë paralajmëruar Haradinajn për rikonfigurim të Qeverisë, pasi që nuk po deklarohet në vijë me ta, shkruan Gazeta Express.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Pasditen e djeshme partnerët e koalicionit e patën një takim jo fort të lehtë në zyrën e kryeministrit Avdullah Hoti. Para mediave, pas dy orësh në tavolinë të bisedimit doli të fliste vetëm kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Për herë të parë, Limaj e përmendi mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeveritar duke thënë se ai preferon një qeverisje të gjerë dhe stabile.

“Unë gjithmonë jam për një qeverisje të gjerë dhe stabile”, tha shkurtimisht ai, i pyetur për mundësinë e përfshirjes së PDK-së në Qeveri.

Se nuk i kanë ndrequr punët mes vete, dje tregoi edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj që i përsëriti akuzat ndaj LDK-së.

Kreu i AAK-së bëri të ditur se nuk është i gatshëm të lëshojë pe për postin e presidentit, duke thënë se Lidhja Demokratike nuk mund t’i ketë tri postet më të rëndësishme të shtetit, presidentin, kryeministrin e kryeparlamentarin.

“Unë nuk e kushtëzoj koalicionin me postin e presidentit, por kur të vijë koha e zgjedhjes së presidentit unë nuk kam obligim ndaj koalicionit. Në versionin që ne të mbesim pa vendimmarrje apo zgjedhjet e reja, ne jemi të hapur për zgjedhje. Zgjedhjet nuk i shoh problem në demokraci”, tha mbrëmë Haradinaj.

Këtyre deklarimeve të tij sot iu është përgjigjur kreu i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook.

Edhe Mustafa ka folur njësoj si Limaj duke paralajmëruar zgjerimin e Qeverisë e përjashtimin e AAK-së.

“LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike”, tha i pari i LDK-së.

Nuk dihet nëse LDK-ja e Nisma kanë filluar bisedimet me PDK-në për zgjerim të koalicionit, pasi që një gjë e tillë është mohuar vazhdimisht nga partia e Kadri Veselit.

Në anën tjetër AAK-ja mund t’i bashkohet Vetëvendosjes në mocion për rrëzimin e Hotit, nëse nuk i plotësohen kushtet që ka kërkuar nga partnerët. /GazetaExpress/