Sot i jepet lamtumira e fundit regjisores Arzana Kraja


Gazeta Express
14 Nëntor 2019 8:25

Sot do t’i jepet lamtumira e fundit regjisores Arzana Kraja, që ndërroi jetë dje, raporton Gazeta Express.

Motra e të ndjerës, Gresa Kraja ka bërë të ditur se varrimi i regjisores do të bëhet në ora 14:00, në varrezat e Dragodanit në Prishtinë.

“Me pikëllim dhe zemër të thyer ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të vajzës dhe motrës sonë të dashur Arzana Kraja. Varrimi i saj bëhet të enjten te varrezat e Dragodanit në Prishtinë në orën 14:00. Dyert e familjes do të jenë të hapura në lagjen Ulpiana D9, pranë klinikës “Fati im”, ka shkruar Kraja në Facebook.

Ndryshe, në mëngjesin e ditës së djeshme në lagjen “Kalabria” në Prishtinë është gjetur trupi i pajetë i regjisores Arzana Kraja.

Policia e Kosovës ka dhënë njoftimin për gjetjen e trupit të pajetë, ndërkohë Qendra Kinematografike e Kosovës ka konfirmuar se bëhet fjalë për Arzana Krajën.

Në vendin e ngjarjes tashmë ka dalë edhe Prokuroria e cila ka konstatuar se ka vdekur një grua.

Për Gazetën Express zyrtarë nga Prokuroria kanë treguar se rasti po cilësohet si vdekje e dyshimtë, ndërkohë me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

“Prokuroria ka dalë në vend të ngjarjes, është konstatuar se ka vdekur një grua. Po cilësohet si rast i dyshimtë, trupi është dërguar për obduksion me urdhër të prokurorit”, ka thënë Prokuroria.

Rreth rastit për Express ka folur edhe një dëshmitar sipas të cilit trupin e pajetë të Arzana Krajës fillimisht e kishte gjetur i dashuri i saj. Ndërkohë ai shton se të ndjerën e kishte parë një ditë më parë dhe se nuk kishte vërejtur asnjë ndryshim në sjellje dhe se ka qenë mirë.

Ndërkohë konfirmimin për vdekjen e ka dhënë edhe Policia e Kosovës.

“Me datën 13.11.2019 rreth orës 09:08 policia ka pranuar një informatë, për një trup të pajetë në lagjen “Kalabria”, Prishtinë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin mjekësor të emergjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e personit të gjinisë femërore”, thuhej në përgjigjen e policisë.

Në anën tjëtër, familjarë të saj kanë thënë për Express se nuk i dinë ende rrethanat por besojnë qe është vdekje e natyrshme, pasi që Kraja kohëve të fundit kishte pasur probleme me shëndetin. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart