Sot dita e fundit e zgjedhjeve evropiane, rezultatet dalin në mbrëmje


load
Gazeta Express
26 Maj 2019 12:00

E diela është dita e fundit e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Në këto zgjedhje, partitë pro-evropiane pritet të sfidohen seriozisht nga nacionalistët. Rreth 400 milionë njerëz kanë të drejtë vote, ndërsa votimi tashmë është zhvilluar në shtatë shtete anëtare.

Rezultatet nuk do të publikohen deri në mbylljen e të gjitha qendrave të votimit, gjë që do të bëhet në mbrëmjen e së dielës. Në mbarë Evropën, nacionalistët e krahut të djathtë e kanë organizuar një sfidë të bashkërenduar për t’i mposhtur grupet e qendrës së majtë, të cilat në të kaluarën kanë mbizotëruar në parlamentin evropian.

Partia italiane “Lidhja” i ka bashkuar forcat me grupet tjera të krahut të djathtë, përfshirë një parti gjermane, një finlandeze dhe një daneze. Në këtë mënyrë, ata po shpresojnë ta vendosin një baraspeshë në ndarjen e pushtetit në institucionin më të lartë të Bashkimit Evropian.

Ndonëse nacionalistët dhe grupet euroskeptike tash për tash përbëjnë grupe të vogla në Parlamentin Evropian, përkrahja për partitë që janë kundër imigrimit është rritur nga zgjedhjet e vitit 2014.

Në Holandë,  partia e qendrës së majtë e ka filluar festën për shkak të rezultateve pozitive nga anketat. Sidoqoftë, këto rezultate nuk janë gjithmonë të sakta.

Në Britani të Madhe, dy partitë kryesore, Partia Konservatore dhe Partia Laburiste, po frikësohen se votuesit do të hakmerren për shkak të dështimit për ta zgjidhur çështjen e Brexitit, përderisa partitë tjera presin rezultate më pozitive, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart