Sonte në “Favorit” presidenti i FFK-së, Agim Ademi – Diskutohen të gjitha temat e mëdha rreth futbollit


Gazeta Express
18 Tetor 2019 15:42

Sonte në emisionin “Favorit” në T7, që transmetohet prej orës 20:45, mysafir special do të jetë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

Me njeriun numër 1 të FFK-së do të bisedohet gjerë e gjatë rreth futbollit kosovar, do të diskutohen thuajse të gjitha temat, nga më të ndryshmet, në interes të opinionit.

Me Ademin do të bisedohet rreth ecurisë së Kombëtares së Kosovës në kualifikimet e “Euro 2020” dhe shanse e “Dardanëve” për kualifikim. Po ashtu, do të zbulohen edhe premitë për yjet e Kosovës.

Ademi do ta komentojë situatën e krijuar rreth biletave të ndeshjeve të Kosovës, ku ka ndërhyrë edhe Prokuroria e shtetit, si rezultat i dyshimeve për dallavere.

Po ashtu, ai do të pyetet se ku kanë shkuar paratë e shitjes së biletave të Kosovës nga ndeshjet miqësore të vitit 2014 e deri te ndeshja e fundit me Malin e Zi.

Do zbulohen planet rreth rritjes së kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri, rinovimit të stadiumit “Adem Jashari” dhe fillimit të ndërtimit të “Stadiumit Nacional”.

Agim Ademi do të flas edhe rreth dënimit me nëntë muaj burgim efektiv nga gjykata, e po ashtu do të komentojë nëse në këtë punë është përzier politika dhe nëse vet ai i përket ndonjë subjekti politik.

Ademi do ta zbulojë rrjetin e bizneseve private të tij dhe do të flas rreth pasurisë personale. Kujt ka vendosur t’ia dedikojë rrogën e vet të kryetarit?

Në “Favorit” do të zbulohen edhe rrogat e punëtorëve të FFK-së dhe do të sqarohet çështja e përfolur rreth punësimeve mbi bazën e nepotizmit. Si u bë që të zvogëlohen mëditjet në FFK dhe si janë reformuar komisionet e rëndësishme të shtëpisë së futbollit?

A ndjen Agim Ademi presion nga “opozita” dhe si u bë që pas shumë vitesh “armiqësi” të vjen pajtimi në mes FFK-së dhe klubit më të madh, FC Prishtinës.   

Cila është e vërteta rreth pozicionit të FIFA-s karshi ndërhyrjeve të klubeve të Serbisë në territorin e Kosovës?

Me Agim Ademin në “Favorit” do të diskutohen edhe tema tjera rreth futbollit vendor, e po ashtu rreth situatës së FFK-së me ish kontribuuesit e futbollit që në vitet e vështira të 90-ta e kishin pavarësuar dhe financuar futbollin kosovar nga ai i ish-Jugosllavisë.

“Favorit” transmetohet prej orës 20:45 në T7 dhe në faqet e “Facebook-ut” në T7, Gazeta Express dhe Gazeta Express Sport.

Te fundit


Kthehu lart