Solskjaer: Sanchezi mund të largohet


Gazeta Express
20 Gusht 2019 10:30

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer e ka pranuar se anësori kilian Alexis Sanchez mund të largohet nga Manchester Unitedi para se të mbyllet afati kalimtar i kësaj vere në Evropë, më 2 shtator.

Agjenti i Alexis Sanchezit ka mbajtur negociata me klubin e Premierligës në emër të Interit, për mundësinë e transferimit të kilianit në formë të huazimit për sezonin e ardhshëm, raporton Sky Sports Italia, transmeton Gazeta Express.

Kiliani mund t’i kryejë testet mjekësore me klubin e Serie A të martën, para se ta kompletojë transferimin e tij në “San Siro”. E gjitha kjo procedurë duhet të shkojë shpejt pasi që nuk ka mbetur shumë kohë deri në fund të afatit kalimtar.

Solskjaer ka insistuar Sanchezi është ende pjesë e planeve e të tij për këtë sezon të ri, duke thënë se pret nga ai që të ndikojë për të mirë në klub.

Por, vetëm tri ditë më vonë, norvegjezi ka sugjeruar se futbollistin me pagën më të madhe në futbollin anglez, mund të largohet këtë verë nga Premierliga.

“Epo, kanë mbetur edhe rreth dy javë deri në fund të afatit kalimtar dhe ka ende mundësi… disa klube kanë shprehur interesim për Alexisin, kështu që ne do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka thënë Solskajer.

“Nuk mund të ju jap më shumë detaje se kaq”.

Afati kalimtar i verës për klubet angleze u mbyll më 8 gusht, pasi që vitin e kaluar klubet, në bashkëpunim me ligat, vendosën që afati të mbyllej para se të fillonte sezoni i ri, në mënyrë që trajnerët të jenë të përqendruar te ndeshjet e jo te transferimet.

Mirëpo, afati kalimtar për La Ligën spanjolle, Serinë A italiane, Bundesligën gjermane dhe Ligue 1 franceze nuk mbyllet deri më 2 shtator. Kjo bën që klubet angleze të mos kenë mundësi të blejnë futbollistë, por të mundë t’i shesin futbollistët e vet jashtë Anglisë. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart