Solskjaer për golin e fitores nga Fernandes: Bruno i ushtroi gjuajtjet e lira për 45 minuta - Gazeta Express
string(90) "solskjaer-per-golin-e-fitores-nga-fernandes-bruno-i-ushtroi-gjuajtjet-e-lira-per-45-minuta"

Solskjaer për golin e fitores nga Fernandes: Bruno i ushtroi gjuajtjet e lira për 45 minuta

Futboll

Gazeta Express

24/01/2021 21:34

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka zbuluar se Bruno Fernandes i kishte ushtruar gjuajtjet e lira një ditë para se të shënonte kundër Liverpoolit, për ta dërguar Unitedin në rrethin tjetër të FA Cup.

Goli i mrekullueshëm i Bruno Fernandesit nga gjuajtja e lirë në minutën e 78-të ia siguroi Manchester Unitedit fitoren 3:2 kundër Liverpoolit dhe njëkohësisht kalimin në rrethin e pestë të FA Cup të dielën, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Mohamed Salah e kishte kaluar Liverpoolin në epërsi në një ndeshje drithëruese në Old Trafford, para se Unitedi ta përmbyste rezultatin përmes Mason Greenwood dhe Marcus Rashford.

Sulmuesi egjiptian e ktheu skuadrën e Kloppit të lojë duke e barazuar rezultatin, por vetëm përkohësisht, pasi Fernandes i ardhur nga stoli e pati fjalën e fundit duke realizuar gol të mrekullueshëm nga gjuajtja e lirë.

Unitedi i Ole Gunnar Solskjaer kalon në rrethin e pestë ku do të përballet me West Hamin.

“Shkëlqyeshëm. Reagimi i secilit pasi pësuam gol ishte shumë i mirë. Sot luajtëm shumë mirë, bëmë gola shumë të mira”, tha Solskjaer pas ndeshjes.

Në lidhje me golin e triumfit nga Fernandes, Solskjaer theksoi: “Gola madhështor, goditje e lirë shumë e mirë. Kur e lë atë jashtë lojës siç bëra sot… ai qëndroi dje 45 minuta pas stërvitjes dhe i ushtroi goditjet e lira, prandaj kisha besim se ai do të mundë të shënonte nëse do të kishte mundësi.” /Gazeta Express/