Solskjaer e mbron Pogban: Mos shpërndani urrejtje në rrjete sociale


Gazeta Express
23 Gusht 2019 11:56

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, thotë se kompanitë e rrjeteve sociale duhet të bëjnë më shumë për ta ndalur shpërndarjen e urrejtjes, pasi Paul Pogba u bë viktimë e abuzimit në baza racore javën e kaluar.

Mesfushori francez u bë lojtari i tretë brenda një javë që u abuzua në baza racore përmes platformës së rrjeteve sociale, pasi e humbi një penallti në ndeshjen kundër Wolves, transmeton Gazeta Express.

“Pauli e ka një personalitet të fortë – ky incident e bën atë më të fortë. Ne duhet të bëjmë diçka për këtë gjë dhe autoritetet përgjegjëse duhet të bëjnë diçka për këtë gjë”, ka thënë norvegjezi.

Solskjaer është i fundit nga klubi anglez që po kërkon masa më të ashpra ndaj personave që bëjnë thirrje raciste, pas mbrojtësit Harry Maguire dhe sulmuesit Marcus Rashford. Ish-mbrojtësi Phil Neville gjithashtu sugjeroi se lojtarët duhet t’i lënë rrjetet sociale në formë proteste.

“Rrjetet sociale janë një vend ku Harry tha se njerëzit fshihen prapa identiteteve të rreme – nuk më takon mua ta ndryshoj këtë gjë”, shtoi Solskjaer, i cili gjithashtu tha se lojtarët duhet t’i lënë rrjetet sociale në formë proteste.

Javën e kaluar, Chelsea i kundërshtoi postimet me thirrje raciste ndaj Tammy Abraham, pasi ai e kishte humbur penalltinë në Super Kupën e UEFA-s kundër Liverpoolit, Pastaj, të dielën, sulmuesi i Reading, Yakoi Meite, reagoi ndaj thirrjeve raciste që u bënë ndaj tij pasi edhe ky e humbi një penallti.

Në fillim të kësaj javë, Twitter bëri të ditur se disa përfaqësues të vet do ta takohen me përfaqësues të Manchester Unitedit dhe organizatës kundër diskriminimit, Kick It Out, për t’i diskutuar këto incidente. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart