Sokëllimat e Mustafa Nanos


Ermal Mulosmani
24 Maj 2019 18:21

Mbrëmë ishte dita e zakonshme kur ekranet shqiptare gëlojnë nga politika. Opinioni kishte zgjedhur të kishte Sali Berishën si të ftuarin “mamuth” të mbrëmjes, Tur Zheji vazhdonte me Bejdon, e, për pasojë unë ngeca te Ylli Rakipi.

Në këtë natë të veçantë për të gjithë ne, në studion e Rakipit si “guest star” ishte Mustafa Nano.

E mirëkuptoj deri në skajshmëri arsyen e qenies së Mustafait aty. Edhe pse ishte qendra e vëmendjes së të ftuarve.

Ylli Rakipi, prej kohësh tashmë, ndjen mungesën në studion e tij të Edi Ramës dhe pasuesve të tij. Për ta jetësuar sadopak studion, kishte menduar të ftonte një ndër përkrahësit më të njohur botërisht të Kryeministrit, gazetarin Mustafa Nano.

Pak a shumë arsyeja e qenies së Mustafait në studio  përcaktonte edhe rolin protagonist të tij prej “guest star-i”. Mentor Nazarko, megjithëse i thotë pak a shumë të njëjtat gjëra me Much-in , është tejet i përmbajtur, ai flet me një qetësi olimpike, një përmbajtje akademike që nuk nxit urrejtje e as tifozllëk. Duhej Much-i dhe sokëllimat e tij, shpërthimet e urrejtjes patologjike ndaj Sali Berishës dhe ndarjes së qartë mes “nesh” dhe “atyre” që t’i jepte shikueshmëri, nerv emisionit.

Much-i kishte vendosur mbrëmë që të bënte vërejtje “ex cattedra”, pra, mbi palët. Vërejti që emisioni i Rakipit ka shumë në fokus problemin e korrupisonit!

Sipas Much-it, të flasësh kaq shumë për korrupsionin është banale, mediokre, e thjeshtë. Ai mund të sugjeronte që, fjala vjen, të flitej për zhurmimin e rrugëve të Shqipërisë nga vajzat me shami, mund të fliste edhe për shtrembërimet e shqipes letrare, për gjenezën pellazgo-ilire të pellgut ballkanik apo rëndësinë e Dino Buxatit në letërsinë kontemporane italiane.

Domethënë, demaskimi i korrupsionit të Unazës së re, e mira më e madhe publike që Ylli Rakipi i ka bërë Shqipërisë, është banale. Duhej të flitej për miqësinë serbo -shqiptare ose kombësinë serbe të nënës së Skënderbeut!

Deri në njëfarë mase, Much-i po përpiqej ti përshtatej studios ku ishte. I kishte nderuar me pjesëmarrjen, duhej ta çonte nderin deri në fund. Megjithëse pa tiranda, por, gjithsesi, u kishte vajtur. Në një moment, me zë të mekur, tha edhe ndonjë fjalë kundër Ramës. Fjala vjen e quajti “ngordhalaq”. Me gjysmë zëri por e tha!

Rama ngordhalaqi!

Madje, arriti një moment sa i tha Bushatit që “Unë madje nuk e kuptoj se ku ndryshoj unë nga ju”!

E këtu më duhet të ndalem pak. Nuk do të shkruaja kurrë më për këtë njeri, por, fakti që i jepet kaq shumë hapësirë mediatike në këtë vend të varfër shumë në informacion, më detyron ta marr në konsideratë. Unë jam kurrkushi si zë publik përpara tij, por, unë jam një nga ata të poshtmit, ata që u bie në qafë ky njeri.

Kur Bushati i përmendi aksionin opozitar të dekriminalizimit Muchi-t i iku zëri. “Këtu po ke të drejtë” -tha me gjysmë zëri.

Kur Bushati i kujtoi aksionin opozitar antikanabis, avionët e drogës Much-it i iku zëri. “Këtu po, ke të drejtë” tha me gjysmë zëeri

Kur Rakipi i tha që, “Ore, kanë dalë përgjimë që vidheshin vota”, “Këtu po, ke të drejtë” -tha me gjysmë zëri.

Kur i thanë që kanë dalë deputetë të PS-së me 7 identitete, “Këtu po, ke të drejtë” -tha me gjysmë zëri.

Kur i thanë që “Rama ka marrë oligarkë e pronarë mediash nën sqetull, “Këtu po, ke të drejtë”- tha me gjysmë zëri.

Kur i thanë që u kap duke vjedhur në Unazën e re “Këtu  po, ke të drejtë” tha me gjysmë zëri.

Kur Babaramo i tha që “Rama ka vënë si kandidat për Kryetar Bashkie njërin ndër 10 njerëzit më të shpërblyer të Sali Berishës për vrasjet e 21 Janarit”, “Këtu po, ke të drejtë” -tha me gjysmë zëri.

Por, kur i thanë që, për të gjitha këto  duhet të ikë Much-i tha: “Këtu ndahem me ju. Të ikë se don pakica?! Se kështu i teket Lulzim Bashës dhe Berishës (këtu zëri u ngrit një oktavë më lart)? E kuptoni që këtu kemi të bëjmë me diktaturë të pakicës ndaj shumicës?!

 “Për mua fajtori kryesor është kryetari i Opozitës, duhet të heqim Bashën që të heqim Ramën”- ishte teza tjetër fantastike e Much-it. Pra, mëkatet i bën Rama por ne duhet të heqim Bashën si i pazot të luftojë Ramën!

Deri këtu shkoi, më besoni, do e shihni se  bashkangjitur keni edhe videon e emisionit.

Pastaj e uli pak tonin edhe një herë. “Unë jam i lumtur të ikë Rama. Por, të ikë (këtu rritet toni) se thotë Basha, kjo është absssuuuurdeeee, e kupton apo jo, është absurde!

“Të ikë se ka vjedhë votat” i thotë me një delikatesë kolonjari Rakipi.

Ka një moment belbëzimi të Muchit këtu:” Tani, kjo po, është diçka që  që, është një tezë që ngrihet mbi përgjimet që janë bërë, përgjimet po, janë problematike, lënë të kuptohet që kanë ndodhur gjëra të shëmtuara, por, nuk provohet që kanë vjedhë, këtë nuk e dimë, nuk e dimë, nuk e dimë! Këtë nuk e dimë Ylli, nuk e dimë”…Këtu të gjitha palët i vjedhin zgjedhjet, shqiptarët e kanë qejf ta shesin e ta blejnë votën””

Ideja ishte që “është vjedhë pak por jo aq sa të jetë përcaktuar fitorja”. Kjo është një çështje banale, e parëndësishme sipas Much-it.

Mund të jetë e vërtetë teza e tij. Por, për herë të parë në historinë e këtij vendi banal, të thjeshtë, mediokër u kapën hajdutët e votave.

Me presh në dorë, rastësisht dolën përgjimet!

Ky është ndryshimi Much. Është ndryshim shumë i madh. Njëqint herë vidhet një objekt, vetëm një herë kapet hajduti. Ai ndëshkohet, të tjerët gëzojnë vjedhjet. Një argjendari u vodh 10 herë. Dëmi herën e parë ishte 100 mijë euro, herën e dytë u morën masa dhe hajdutët morën veç 4 mijë euro mall. Herën e fundit u vodh veç një unazë me vlerë 200 Euro por, hajduti u kap. Ky ndeshkohet Much, të parët ia hodhën. Si mund t’i ndëshkosh ata që nuk u kapën?! Apo të falim edhe këtë meqë nuk ishim të zotët të kapim të tjerët?!

“Opozita duhet të bënte betejë parlamentare”- sokëllinte Muchi sa herë që e merrte fjalën.

Një moment desha që dikush  ti bënte vetëm një pyetje:”Pse nuk bëri betejë parlamentare opozita austriake kur dolën përgjimi i zëvendëskancelarit”?

Por, nuk ia bëri njeri.

Kur dikush në studio tha që ka dalë një foto e Ramës që merr drogë, Much-i tha”Ka gjasë të madhe që po, merr drogë, dhe mirë bën. Ndikon për kthjellimin e mendimit”.

Aty më shkoi mendja ti fus një vizë e të kthjellohesha. Por, ku ta gjeja, është ilegale?! Këtë nuk na e spjegoi Much-i.

E për ta mbyllur se e çova gjatë, receta e Much-it për zgjidhjen e situatës ishte “Të zhdukej kjo Opozitë nga themelet që ta lëmë Ramën vetëm e ta zërë pesha e pushtetit”!

E për të mos mbetur fort mbrapa, edhe Nazarko e lëshoi një perlë. Memet në FB ndikojnë më shumë se protestat”.

Atë moment thashë me vete “Të protestojmë me meme në FB dhe e zgjidhim”!

Kjo po, kjo është zgjidhje!

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart