Socialdemokratët e Finlandës fitojnë zgjedhjet e përgjithshme


Gazeta Express
15 Prill 2019 10:39

Kryetari i Partisë Socialdemokratike të Finlandës e ka shpallur fitoren në zgjedhjet e përgjithshme pasi partia e tij fitoi me rezultat të ngushtë dhe i mori 17.7 për qind të votave.

“Për herë të parë që nga viti 1999, ne jemi partia më e madhe në Finlandë. SDP-ja është partia që do ta caktojë kryeministrin”, tha Antti Rinne pas numërimit të 99.5 për qind të votave.

Partia nacionaliste “Finlandezët Euroskeptikë” e zuri vendin e dytë me 17.5 për qind të votave. Rezultatet e zgjedhjeve u publikuan nga zyrtarët e ministrisë së drejtësisë.

Nëse këto rezultate konfirmohen, Rinne mund të bëhet kryeministri i parë majtist i Finlandës që nga viti 2003. Sidoqoftë, procesi i krijimit të koalicionit qeveritar mund të zgjasë shumë për shkak se parlamenti do të ndahet në shumë grupe. Rezultati shumë i ngushtë pritet t’i bëjë problematike bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar.

Vendi i dytë për partinë nacionaliste pritet të shkaktojë telashe për krijimin e koalicionit sepse shumica e partive tjera e kanë përjashtuar ndonjë bashkëpunim të mundshëm me këtë parti. Sidoqoftë, kryetari i partisë fituese tha se i ka disa pyetje për partinë nacionaliste, por nuk e përjashtoi bashkëpunimin me ta për ta formuar shumicën parlamentare.

Partia e Rinnes mund të formojë koalicion edhe me partinë “Koalicioni Kombëtar”, e cila doli e treta në zgjedhje dhe i fitoi 38 ulëse në kuvend, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart