Sllovaku Lajçak dhe "neutraliteti" i tij karshi Kosovës - Gazeta Express
string(53) "sllovaku-lajcak-dhe-neutraliteti-i-tij-karshi-kosoves"

Lajme

Arbër Jashari

26/02/2021 12:03

Sllovaku Lajçak dhe “neutraliteti” i tij karshi Kosovës

Lajme

Arbër Jashari

26/02/2021 12:03

Emisari Special i BE’së, Miroslav Lajcak, për afro një vit në funksionin e të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi ka pasur disa deklarata dhe veprime skandaloze karshi Kosovës. Diplomati nga Sllovakia, shtet ky që nuk e ka njohur Kosovën, së fundi është paraqitur nga zyra e tij në kryeqytetin evropian Bruksel me një hartë të Ballkanit, ku Kosova shihet si pjesë e Serbisë. Më vonë tha se harta nuk ishte ashtu. Ky veprim ka shkaktuar reagime, e Lajçak shumë shpesh i bën kosovarët t’i reagojnë. Diplomati sllovak ka treguar anshmëri disa herë, ndonëse roli i tij është i ndërmjetësuesit.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë Miroslav Lajçak mori mandatin e Emisarit Special të BE’së në prill të vitit 2020.

Miroslav Lajcak kishte shkaktuar edhe një tjetër veprim diplomatik që kishte nxitur reagime në Kosovë. Ai në korrik të 2020-ës në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, ishte ulur në anën e palës serbe, teksa kryeministri Avdullah Hoti ishte lënë vetëm në anën tjetër të tavolinës.

This image has an empty alt attribute; its file name is 111045876_3607867399258428_5976846942804550139_n1.jpg

Për këtë situatë nga BE’ja kishin deklaruar për Express se tavolina në takim ishtë rregulluar në bazë të masave kundër COVID-19.

Pas takimit me Aleksander Vuçiqin në Beograd, Miroslav Lajçak kishte lëshuar edhe një tjetër deklaratë në tetor 2020, që poashtu kishte nxitur reagime në Kosovë.

Lajçak kishte përmendur ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, duke thënë se ajo nuk është ‘Bibël’.

“Qëndrimi ynë është se ne jemi duke negociuar aq procese serioze që është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”, kishte thënë Lajçak në Beograd me 15 tetor.

“Për këtë askush nuk më tha që kjo është e pamundur. Do të thotë, Kushtetuta nuk është Bibël dhe nëse merrem vesh për çështje serioze, normale është, ajo do të duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë”, kishte shtuar ai.

Diplomati sllovak vazhdimisht në retorikën e tij ka përmendur nevojën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës për të cilën thoshte se është nënshkruar marrëveshja në Bruksel në vitin 2013.

Për të përmbyllur mandatin një vjeçar, Emisari Lajcak ka shkaktuar edhe një skandal tjetër diplomatik para tre ditësh derisa në zyrën e tij kishte vendosur një hartë të Ballkanit Perëndimor ku Kosova shihet si pjesë e Serbisë.

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha thotë se harta në fjalë është përdorur nga ana e BE’së që nga shpallja e pavarësisë.

“Harta në fjalë është bërë standard në procesin integrues të Kosovës qysh nga shpallja e pavarësisë. Neve kurrë nuk na ka pëlqyer përdorimi i hartës dhe çdo herë liderët e Kosovës e kanë shpreh shqetësimin lidhur me të, por çdo herë është dashur të mirëkuptojmë pozicionin e BE-së për shkak mungesës së njohjes nga 5 vende anëtare. Prandaj, në mes refuzimit të hartës, bojkotimit të pjesëmarrjes, izolimit politik ndërkombëtar dhe humbjeve financiare kemi zgjedhur urtësinë dhe pjekurinë afatgjate shtet-ndërtuese. Pak a shumë e njëjta storie sikur fusnota. Rrjedhimisht, harta është përdorur në çdo takim të nivelit të lartë në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe në çdo dokument të BE-së për Kosovën”, tha Shasha për Express.

Zëdhënësi i BE’së për Politikë të Jashtme, Peter Stano i tha Gazetës Express qëndrimin e ripërsëritur gjatë tërë ditës së djeshme në Twitter se pretendimi që harta e shfaqur prapa shpinës së Emisarit Miroslav Lajçak me Kosovën brenda territorit të Serbisë është i rremë.

“Pretendimi për hartën është tërësisht i pavend dhe i rremë. Kjo hartë zyrtare e BE-së është – në vijë me pozicionin e Flamurit të Bashkimit Evropian – neutrale ndaj statusit. Do t’u rekomandoja të gjithëve që të përqendrohen në çështje të vërteta që ndihmojnë për ta avancuar dialogun për normalizim, në vend se të përpiqen të fabrikojnë tregime të rreme”, ka shkruar Stano.

Pas reagimeve të shumta Emisari Lajçak ka shkruar në Twitter duke thënë se në hartën e vendosur në zyrën e tij ekziston vija ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pasi harta në zyrën time është nxjerrë gjatë intervistës sime dhe është e paqartë, ka shkaktuar disa keqkuptime sot, unë po ndaj një foto të afërt të saj. Kjo është një hartë zyrtare e BE e Ballkanit Perëndimor. Kosova është atje dhe po ashtu është linja që ndan Kosovën nga Serbia”, tha Lajçak.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta Express ka dërguar pyetje në qeverinë e Kosovës por akush nga ekzekutivi në detyrë nuk është përgjigjur.

Ndryshe Lajçak do ta vizitojë Kosovën javën e ardhshme./GazetaExpress/