Skocia kërkon ndihmë për shkak të shtimit të vdekjeve nga droga


Gazeta Express
21 Korrik 2019 13:58

Ministri skocez i shëndetësisë, Joe FitzPatrick, ka thënë se Ministria e Brendshme e Britanisë duhet të punojë së bashku me qeverinë e Skocisë për ta luftuar numrin e madh të vdekjeve nga përdorimi i drogës pasi u shënua shifër rekorde në 23 vjetët e fundit.

Ai kërkoi nga ministri i brendshëm britanik, Sajid Javid, që ta thërrasë një takim urgjent pas publikimit të statistikave për vdekjet e shkaktuara nga droga. Sipas shifrave zyrtare, numri i vdekjeve nga droga është rritur për më shumë se një çerek, më shumë se kudo tjetër në Evropë.

Në një letër dërguar ministrit të brendshëm britanik, zyrtari i lartë skocez tha se rritja tragjike e numrit të vdekjeve është e papranueshme. “Unë e marr seriozisht ndikimin që kjo dukuri ka tek individët, familjet dhe komuniteti”, thuhet më tej në letrën e tij.

“Si kundërpërgjigje ndaj kësaj statistike shokuese, e ftoj qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar të punojë me qeverinë skoceze për ta trajtuar këtë problem që po merr shumë jetë”, shtoi ai.

Sipas statistikave të reja, të cilat u publikuan nga Instituti Kombëtar për Statistika, shkalla e vdekjeve nga droga për kokë banori në Skoci është gati tri herë më e lartë se mesatarja në tërë Britaninë e Madhe, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart