Federata e Golfit e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, i cili ka nisur sot në Paphos të Qipros, pavarësisht se golfisti kosovar Azer Bislimaj ishte kualifikuar për herë të dytë radhazi për këtë garë prestigjioze.
Sipas federatës, të gjitha procedurat e regjistrimit dhe obligimet financiare ishin përfunduar me kohë, ndërsa Bislimaj kishte zhvilluar përgatitje intensive në Spanjë dhe Gjermani për kampionatin.
FGK-ja bën të ditur se më 27 maj është informuar se autoritetet shtetërore të Qipros nuk do të lejonin paraqitjen e Republikës së Kosovës me simbolet e saj shtetërore në mënyrë të barabartë me vendet e tjera pjesëmarrëse. Për këtë arsye, federata ka vendosur të mos autorizojë pjesëmarrjen në garë.
Në komunikatë thuhet se Kosova nuk kërkonte trajtim të veçantë, por vetëm trajtim të barabartë me 28 shtetet e tjera pjesëmarrëse. Federata falënderoi Shoqatën Evropiane të Golfit (EGA) për mbështetjen dhe angazhimin e saj në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje.
FGK-ja theksoi se mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të golfit në Kosovë dhe promovimit të vlerave të barazisë dhe respektit në sport.