Skandal: E ka gruan më të pasur se Mbretëresha, ministri britanik nuk ia deklaron pasurinë - Gazeta Express
string(88) "skandal-e-ka-gruan-me-te-pasur-se-mbreteresha-ministri-britanik-nuk-ia-deklaron-pasurine"

Skandal: E ka gruan më të pasur se Mbretëresha, ministri britanik nuk ia deklaron pasurinë

Lajme

Gazeta Express

28/11/2020 8:54

Kancelari për Thesar i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, është akuzuar për mungesë të transparencës rreth pasurisë familjare. Gazeta britanike “The Guardian” përmes një hulumtimi ka zbuluar se bashkëshortja e këtij zyrtari të lartë dhe familja e saj kanë miliona funte pasuri në aksione dhe pozita udhëheqëse që nuk janë të deklaruara në regjistrat zyrtarë të ministrit.

Akshata Murty, e cila u martua me Sunakun më 2009, është vajza e një prej ndërmarrësve më të suksesshëm të Indisë. Babai i saj është një ndër themeluesit e gjigantit teknologjik “Infosys”, dhe vlera e aksioneve të saj në këtë kompani arrin në 430 milionë funte, duke e bërë atë një ndër gratë më të pasura në Britani, me një pasuri që zyrtarisht është më e madhe edhe se pasuria e Mbretëreshës Elizabetë.

Lexo Edhe:

Sunak është i detyruar ta respektojë kodin ministror, me të cilin kërkohet që të deklarohen të gjitha interesat financiare që janë relevante për përgjegjësitë e tij dhe të cilat mund të paraqesin konflikt me detyrën e tij publike. Ministrat gjithashtu duhet t’i deklarojnë interesat e familjarëve të ngushtë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, ministri Sunak në deklarimin e pasurisë e ka përmendur vetëm bashkëshorten dhe asaj ia ka paraqitur vetëm një pronësi të një kompanie të vogël në Britani të Madhe. Sidoqoftë, gazeta e njohur britanike ka zbuluar se zonja Murty dhe familja e saj kanë shumë interesa tjera financiare.

Këtu përfshihen vlera e kombinuar e aksioneve prej 1.7 miliard funtesh në kompaninë “Infosys”, e cila ka mijëra punëtorë në Britani dhe kontrata me ministri e organe publike; një marrëveshje me vlerë prej 900 milionë funtesh në vit me kompaninë “Amazon” në Indi, përmes një mekanizmi investues që është në pronësi të babait të gruas së ministrit; pronësi aksionesh nga zonja Murty në një firmë britanike; pesë kompani tjera në Britani ku Murty është drejtoreshë ose aksionare e drejtpërdrejtë.

Sir Alistair Graham, ish-kryetar i komisionit për standarde në jetën publike, i cili është vëzgjues i personave me poste publike në Britani, tha se është jetike që ministri Sunak t’i deklarojë të gjitha interesat e tij dhe të familjes së tij, duke e marrë parasysh rolin e postit që mban për përcakimin e politikave financiare të qeverisë.

“Duket se ai e ka zgjedhur qasjen më minimaliste të mundshme për kërkesat që i drejtohen. Ndoshta ai duhet t’i lexojë me kujdes Shtatë Parimet e Jetës Publike për t’u siguruar se është duke i plotësuar dy parimet e Sinqeritetit dhe Lidershipit”, tha Graham.