“S’ka dyshim, Messi është më i miri në histori” - Gazeta Express
string(43) "ska-dyshim-messi-eshte-me-i-miri-ne-histori"

Gazeta Express

30/11/2019 9:27

“S’ka dyshim, Messi është më i miri në histori”

Gazeta Express

30/11/2019 9:27

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, nuk e ka asnjë dyshim që ylli dhe kapiteni i klubit të tij, Lionel Messi, është futbollisti më i mirë i të gjithë kohëve.

Lionel Messi, 32-vjeçar, është njëri ndër favoritët për ta fituar Topin e Artë për herë të gashtë, që do të ishte rekord i ri në futboll, të hënën, pasi e shijoi një tjetër sezon të mrekullueshëm, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Sulmuesi argjentinas e ndihmoi Barcelonës ta fitojë sërish titullin e La Ligës sezonin e kaluar dhe ai ka qenë në formë mbresëlënëse edhe në fillim të këtij sezoni, përkundër që ka pësuar nga disa lëndime.

Argjentinasi i ka shënuar tetë gola në po aq ndeshje të La Ligës, përderisa i ka shënuar edhe dy të tjera në Ligën e Kampionëve. Për më tepër, Messi i ka edhe pesë asiste në La Liga, duke i kryesuar kështu listat në La Liga, përkundër që mungoi në disa ndeshje në fillim të sezonit.

Messi do të garojë me Virgil Van Dijkun, që e fitoi titullin e Ligës së Kampionëve me Liverpoolin dhe ishte finalist në Ligën e Kombeve me Holandën, si dhe me Cristiano Ronaldon, i cili e fitoi titullin e Serisë A me Juventusin dhe atë të Ligës së Kombeve me Portugalinë.

Messi shpeshherë cilësohet në mesin e futbollistëve më të mirë në histori, përkrah Diego Maradonas, Peles, Ronaldos brazilian e Cristiano Ronaldos, por Bartomeu nuk ka asnjë dyshim se kapiteni i Barcelonës është më i miri ndër ta.

“Pa asnjë dyshim, Leo Messi është lojtari më i mirë në historinë e futbollit, ai ka lënë gjurmë të thella në botën e futbollit. Nuk ka asnjë klub në botë që ka pasur kaq shumë suksese sa Barcelona, me një lojtar që e ka fituar gjashtë herë Këpucën e Artë dhe pesë herë Topin e Artë”, ka thënë Bartomeu.

“Ai është një lojtar ndryshe nga të tjerët, e ndryshon dinamikën e lojës dhe krijon momente të mrekullueshme. Kjo na ka ndihmuar neve të jemi më global, të krahasohemi me kohët e vjetra dhe e ka krijuar një epokë të fuqishme dhe ne do të transformohemi nga epoka e kësaj skuadre dhe Messit”. /Gazeta Express/