Siria – zonë vdekjeje


Gazeta Express
19 Gusht 2019 11:15

Lufta në Siri duket se po ia afrohet fundit. Por ky vend mbetet zonë e sunduar nga një despot që mbështetet nga partnerë të fuqishëm, që do të thotë se kriza e refugjatëve nuk ka për të marrë fund

Kersten Knipp, DW

13 civilë të vdekur të premten, 7 të shtunën: Rimarrja e provincës së Idlibit nga trupat siriane dhe aleatët po përparon, por me çmimin e lartë të paguar nga civilët e qytetarët  paarmatosur. Sipas vlerësimeve të OKB-së, që nga fillimi i ofensivës në prill kanë humbur jetën më shumë se 500 civilë në Siri, rreth 300.000 vetë janë arratisur nga rajoni.

Kur të bjerë brenda një kohe edhe Idlibi, atëherë Asadi e merr kontrollin në shumicën e territoreve të vendit. Lufta do të merrte fund – por jo kriza për shumë sirianë. Nuk mund të pritet rend shtetëror me standarte minimale të të drejtave të njeriut nga një regjim që është përgjegjës për gjysmë milionë viktima, në burgjet e të cilit torturohen e vriten edhe më tej mijëra vetë. Edhe aleatët e Asadit, Rusia dhe Irani, të dyja vende që i shkelin me këmbë të drejtat e njeriut, të bëjnë të parashikosh skenarë të errët për të ardhmen e vendit.

Se si do të zhvillohen ngjarjet në Siri, këtë e la të kuptohet ligji i imobilieve nga pranvera e vitit 2018, de facto një ligj shpronësimi: Prona, edhe e atyre që janë arratisur jashtë vendit, duhet që brenda 30 ditësh të identifikohet me pronarin e saj të ligjshëm, ndryshe kjo pronë i kalon shtetit. Nga ana tjetër këta persona duhet të kalojnë një kontroll sigurie, me rrezikun e arrestimit dhe futjes në qeli. Në shumë raste shteti i ka lënë pa pronë qytetarët e vet.

Një shtet që përndjek qytetarët e tij

Ky ligj vazhdon atë politikë që regjimi i Asadit ndjek kryesisht që nga ngjitja në pushtet në fillimin e viteve 70-të, por me fillimin e kryengritjes në vitin 2011 fitoi një brutalitet të ri. Ajo drejtohet kundër kundërshtarëve të regjimit dhe gjithë atyre që nuk shprehen hapur në mbrojtje të udhëheqësve në Damask. Sipas raportit të Ministrisë së Jashtme Gjermane (AA) në nëntor 218, në Siri rreth 1,5 milionë qytetarë janë të shënuar zyrtarisht si persona në kërkim – nga një popullsi e përgjithshme rreth 21 milionë vetë në vitin 2010. Të gjithë këta rrezikojnë të arrestohen në mënyrë arbitrare, të torturohen apo edhe të vriten.

Kjo bëhet shumë më e mundur tani, se në vitet e kaluara, tani që aparati shtetëror i Asadit po riorganizohet. Në raportin e Ministrisë së Jashtme thuhet, se “përmes dobësimit të ngadalshëm të luftimeve, po rritet influenca dhe veprimi i autoriteteve të sigurisë dhe shërbimeve sekrete”. Mbrojtje nuk ofrojnë as marrëveshjet e pajtimit të nënshkruara në disa rajone mes shtetit dhe kryengritësve. Deri më tani ato i kanë shpëtuar jetën disa kundërshtarëve të Asadit, por me çmimin, që ata të largohen nga vendet e tyre dhe të sigurojnë se do t’i nënshtrohen pa kushte regjimit.

Dështimet e perëndimit

Shtetet perëndimore e kanë dorëzuar Sirinë. Ato kanë bërë pak, ose të paktën shumë pak për të penguar kthimin e një regjimi terrorist. As aleatëve të tij ato nuk i janë kundërvënë.

Sigurisht, që nga momenti, kur Asadi fitoi Rusinë në anën e tij, Europa nuk mund të bënte gjë më shumë në Siri, po të kujtosh, se edhe SHBA angazhimin e tyre e mbajtën të kufizuar. Por kjo nuk ndryshon asgjë në faktin, që kjo pafuqi e perëndimit ka çmimin e saj: Vendet europiane do të vazhdojnë të përballen me ardhjen e refugjatëve sirianë. Ata e zhysin edhe më thellë në krizë BE, një efekt anësor i mirëpritur nga Moska.

Bota perëndimore nuk është më një fuqi e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, as në letër. Despotëve ajo nuk mund t’i kundërvihet, ky është mësimi i hidhur. Siria mbetet për milionë qytetarë të saj zonë e vdekjes.

/DW

Te fundit


Kthehu lart