Sir Alex Ferguson: Historia dhe karriera me Manchester Unitedin


Gazeta Express
16 Maj 2019 10:59

“Fergie” vlerësohet si njëri ndër trajnerët më të mirët e të gjitha kohëve në futboll, pasi fitoi një shifër të madhe trofesh në 1500 ndeshjet si trajner i “Djajve të kuq”.

Sir Alex Fergusoni konsiderohet si njëri prej trajnerëve më të mirë të të gjitha kohëve, jo vetëm në Manchester United, por në botën e futbollit, shkruan Goal.com, transmeton Gazeta Express.

Skocezi njihet për sukseset e tij në “Old Trafford”, ku ai i fitoi 22 tituj vendor, dy tituj të Ligës së Kampionëve dhe një titull të Cup Winners Cup në vitin 1991.

Një rekord kaq i jashtëzakonshëm bëri që ai të ketë ndikim për një kohë tejet të gjatë edhe në futbollin modern, pasi që Fergusoni i udhëhoqi “Djajtë e kuq” nga viti 1986 deri në vitin 2013, kur vendosi të pensionohej.

Emërimi në postin e Manchester Unitedit

Sir Alex erdhi në Manchester Unitedi pasi që fillimisht e fitoi statusin e një legjende në Aberdeen, ku e udhëhoqi klubin skocez tre titujve të Premier Division, katër tituj të Kupës së Skocisë, një titull të Kupës së Ligës, një titull të Cup Winners Cup dhe titullin e Super Kupës së Evropës.

Pasi e kishte filluar karrierën e tij si trajner në East Stirlingshire, ai kaloi në St Mirren dhe pastaj në Dons, përderisa e udhëhoqi edhe Skocinë drejt Kupës së Botës të vitit 1986, pas vdekjes së Jock Stein.

Ai u emërua në pozitën e trajnerit të “Djajve të kuq” më 6 nëntor të vitit 1986, kur klubi ishte në një krizë. Ata ishin në pozitën e parafundit në tabelën e First Division, atëherë niveli i parë i futbollit në Angli. Manchester Unitedi renditej si klubi i 21-të nga gjithsej 22 klube pjesëmarrëse.

Por, ai nuk bëri menjëherë ndonjë mrekulli, pasi që i vuri themelet e një skuadre që pastaj arriti ta dominojë futbollin anglez për dy dekada.

Fergusoni punoi fillimisht për ta përmirësuar disiplinën dhe gjendjen fizike të skuadrës, që i ndihmoi ata të stabilizohen dhe ta përfundojnë sezonin në pozitën e 11-të.

Edhe pse sezonin e ardhshëm, 1987/88, ai përfundoi në pozitën e dytë, Manchester Unitedi u kthye në një klub mediokër dhe nga mesi i sezonit 1989/90, Fergusoni rrezikoi të shkarkohet nga pozita.

Lista e titujve

Fitorja me rezultat 1:0 në FA Cup kundër Nottinham Foresti, që ishte në formë shumë të mirë, shpeshherë konsiderohet si pika kthyese e karrierës së Fergusonit në Old Trafford, pasi që pas kësaj surprize në rundin e tretë, Manchester Unitedi e fitoi titullin.

Sezonin tjetër, skuadrës i mungoi vazhdimësia e formës së mirë, mirëpo ata arritën ta fitojnë Cup Winners Cup, duke e mposhtur Barcelonën me rezultat 2:1 në finale.

Sezoni 1992/93 ia solli klubit titullin e parë të ligës që nga ditët e Matt Busbyt në vitin 1967. Nxitur kryesisht nga transferimi i Eric Cantonas nga Leeds, Unitedi e përfundoi sezonin në mënyrë brilante, me dhjetë pikë më shumë se Aston Villa, që u rendit në pozitën e dytë. Në atë sezon, “Djajtë e kuq” i treguan disa karakteristika që më vonë u bënë shenjë dalluese e skuadrave të Fergusonit ndër vite.

Zogjtë e Fergusonit

Një tjetër titull i ligë si ndoqi ata në sezonin 1993/94, mirëpo Djajtë e kuq nuk arritën ta fitojë titullin e tretë radhazi për shkak të një barazimi në ndeshjen e fundit me West Hamit, që ia dhuroi trofeun Blackburn Roversit. Pas kësaj, veteranët u larguan nga klubi dhe u lanë hapësirat bosh për lojtarët e akademisë.

Në mes të shumë kritikave, Fergusoni i inkuadroi në ekipin e parë lojtarë si Gary dhe Phil Neville, David Beckhami, Paul Scholes dhe Nicky Butt. Pikërisht këta lojtarë u bënë yjet e skuadrës gjatë kohës kur Manchester Unitedi e arriti kulmin e dominimit të futbollit në Angli.

Besimi i trajnerit ndaj lojtarëve të tij ishin absolut, përkundër që analisti i BBC-së, Alan Hansen, e kishte kritikuar Fergusonin duke thënë: “Nuk mund të fitosh asgjë me fëmijë”.

Pasi Cantona u kthye nga suspendimi tetë muajsh për sulmin ndaj një tifozi të Crystal Palace, Manchester Unitedi e shkatërroi Newcastle Unitedin, që atëherë dukej se nuk kishte konkurrencë, dhe e fitoi titullin e ligës, një arritje që ai siguroi Fergusonin një marrëveshje të re katërvjeçare.

Një kundërshtar i ri iu paraqit “Djajve të kuq” në formën e Arsenalit dhe trajnerit të ri të tyre, Arsene Wengerit. Edhe pse dyshja Ferguson – Wenger shpeshherë patën zënka në konferencat për shtyp, Fergusoni e lavdëroi francezin për arritjen e triumfit në Premierligë në sezonin 1997/98, duke thënë: “Mendoj se është një gjë e mirë për lojtarët e mi të rinj ta humbin këtë rast”.

Manchester Unitedi fiton tripletën

Kulmi i karrierës së Fergusonit erdhi në sezonin 1998/99, kur ai e udhëzoi skuadrën e tij drejt tripletës, duke u bërë klubi i vetëm anglez në histori që e ka arritur një sukses kaq të madh.

Pas një fillimi të ngadaltë në atë sezon, Manchester Unitedi e fitoi titullin e ligës, edhe pse futbollin më dramatik e patën në FA Cup dhe në Ligën e Kampionëve. Ky lloj i futbollit ishte tipik për Fergusonin.

Në FA Cup, ata rrezikuan të eliminohen qysh në fillim, kundër Liverpoolit, mirëpo i shënuan dy gola në pesë minutat e fundit për ta eliminuar rivalin e tyre të madh. Pastaj, ata e patën një tjetër ndeshje tejet dramatike në gjysmëfinale, kundër Arsenalit, e cila u vendos pas ndeshjes kthyese. Ryan Giggs e kishte shënuar golin e fitores duke i dribluar kundërshtarët e tij nga gjysma e fushës.

Fuqia mendore e Manchester United u shfaq edhe në Ligën e Kampionëve, gjithashtu. Pasi e eliminoi Barcelonën në fazën e grupeve, ku u përballen edhe me Bayern Munichun, Manchester Unitedi e eliminoi edhe Interin në çerekfinale. Megjithatë, fuqia e skuadrës u vërejt më së shumti në gjysmëfinale. Ata ishin duke humbur me rezultat të përgjithshëm 3:1 kundër Juventusit, por u kthyen fuqishëm dhe e siguruan një vend në finale.

Ajo ndeshje ishte më së shumti e paharrueshme për shkak të paraqitjes së kapitenit Roy Keane, i cili ishte ndëshkuar me të verdhë dhe do ta humbte finalen. Irlandezi njihej për shpirtin e tij luftarak, që Fergusoni dëshironte ta shihte te lojtarët e tij, veçanërisht atë natë në Torino.

“Kjo ishte paraqitja më këmbëngulëse e altruizmit që unë e kam parë ndonjë herë në fushën e futbollit. Keane e shkeli çdo fije të barit, garoi sikur të preferonte të vdiste para se të humbiste. Ai i frymëzoi të gjithë përreth vetes. Unë jam krenar që jam i lidhur me lojtarë të tillë”, kishte thënë Fergusoni.

Finalja e Ligës së Kampionëve në vitin 1999 ishte njëra ndër ndeshjet më të paharrueshme në historinë e futbollit, pasi që Manchester Unitedi shënoi dy herë në minutat shtesë. Teddy Sheringhami dhe Ole Gunnar Solskjaer arritën ta përmbysin rezultatin nga 1:0 për Bayern Munichun në 2:1 për Manchester Unitedin në momentet e fundit të lojës.

Pas ndeshjes, Fergusoni e tha njërën prej frazave të tij më të famshme: “Fooball, bloody hell”.

Ndryshimi i mendjes për pensionim dhe tranzicioni

Përkundër rrezikut të vazhdueshëm nga Arsenalit, Fergusoni e ndërtoi një skuadër që e fitoi titullin tri herë radhazi, duke u bërë vetëm i katërti klub në histori që e arriti një rekord të tillë.

Në këto rrethana, trajneri kishte bërë të ditur se dëshiron të pensionohet në fund të sezonit 2001/2002, edhe pse pas disa muajsh shqyrtimi, ai vendosi ta ndërrojë mendjen dhe të mos pensionohet.

Megjithatë, sezoni përfundoi me zhgënjim për Manchester Unitedin, pasi që ata përfunduan në pozitën e tretë në tabelën e ligës dhe e humbën mundësinë të luanin në finale të Ligës së Kampionëve, që atë vit u zhvillua në vendlindjen e Fergusonit, në Glasgou. Këtë gjë ai më vonë e kujtoi si pendimin më të madh të vetin në karrierë.

Rreth kësaj pike, skuadra kaloi në një tjetër faze tranzicioni, edhe pse kjo gjë nuk i ndaloi ata ta fitojnë titullin e ligës në sezonin 2002/03.

Gjatë verës së ardhshme, Cristiano Ronaldo iu bashkua klubit, por Arsenali ishin të pamposhtur dhe e fituan ligën pa e pësuar asnjë disfatë gjatë gjithë sezonit.

Vitin tjetër, fuqia e skuadrës u shtua edhe më shumë me transferimin e Wayne Rooneyt nga Evertoni. Megjithatë, ata e përfunduan sezonin 2004/2005 pa trofe. Fergsuoni e arriti një sukses personal, duke e shënuar ndeshjen e tij të 1000-të si trajner i Manchester Unitedit, në fitoren 2:1 kundër Lyonit në Ligën e Kampionëve.

Suksesi i rinovuar

Edhe një herë, bazat e suksesit po vendoseshin dalëngadalë dhe në sezonin 2006/0-7, ata e fituan për herë të nëntë titullin e Premierligës. 12 muaj më vonë e fituan edhe titullin e dhjetë.

Megjithatë, suksesi i madh në vitin 2008 ishte triumfi në Ligën e Kampionëve. Pasi Manchester Unitedi barazoi 1:1 me Chelsean në stadiumin Luzhniki në Moskë, ndeshja u vendos përmes penalltive, pasi që Manchester Unitedi u ringjall dhe rrëshqitja e John Terryt bëri që “Djajtë e kuq” të shpallen kampionë.

Përderisa ata vazhduan të dominojnë në Angli, suksesi në Evropë iu mungoi pasi që Barcelona i mposhti dy herë në finalet e Ligës së Kampionëve, 2:0 në vitin 2009 në Romë dhe 3:1 në vitin 2011 në Wembley.

Titulli i 19-të i Premierligës atë sezon ishte i 12-i i Fergusonit. Ky titull e bëri Manchester Unitedin klubin më të suksesshëm në historinë e futbollit anglez, duke e lënë pas vetes Liverpoolin.

Titulli numër 20 erdhi dy vjet më vonë dhe atë e siguruan katër ndeshje para fundit. Kjo gjë mbeti në hije megjithatë, pasi që Fergusoni bëri të ditur se do të pensionohet nga posti i tij në fund të sezonit.

Ndeshja e fundit e tij, e 1500-ta, ishte kundër Ëest Bromit. Ajo ndeshje përfundoi me rezultat 5:5, një lamturmirë e përshtatshme për Fergusonin, që kishte sjellë shumë emocione në futbollin anglez gjatë 26 vjetëve të tij në Manchester United.

Në sezonin 2012/13, ai u shpërblye me çmimin për trajnerin më të mirë të sezonit në Premierligë, për të 11-tën herë në karrierë, pasi e kishte fituar edhe çmimin për trajneri më të mirë të vitit nga UEFA në sezonin 1998/99.

Pas pensionimit

Fergusoni, i cili u shpërblye me mirënjohje CBE për shërbimet e tij në futboll, ka qëndruar në Manchester United edhe pas pensionimit nga karriera e trajnerit, si drejtor dhe ambasador.

Në fakt, ai është nderuar edhe me një statujë jashtë Old Traffordit për arritjet e tij me klubin, përderisa e ka edhe një rrugë afër stadiumit të emëruar pas tij, “Sir Alex Ferguson Way”.

Ndoshta nderimi më i paharrueshëm për Fergusonin është tribuna brenda Old Trafford e emëruar “The Sir Alex Ferguson Stand”.

Ai vazhdimisht shihet në stadium me bashkëshorten e tij, Cathyn, duke i përcjellë nga afër ndeshjet e Manchester Unitedit.

Si shtesë, ai është emëruar edhe ambasador i trajnerëve të UEFA, përderisa është edhe ligjërues në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 5 maj të vitit 2018, ai e bëri një operacion urgjent pasi pësoi gjakderdhje në tru. Por, që nga atëherë ai është kthyer në ndeshjet e Manchester Unitedit. Trajneri aktual i “Djajve të kuq”, Solskjaer, i ka kërkuar atij ndihmë në disa raste e madje ai edhe e dha një fjalim në zhveshtore para përballjes me Liverpoolin. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart