Shoqata Sindikale e Shërbimit Civil të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përmes një letre i ka dërguar një kërkesë zyrtare Valdrin Dervishajt, duke i kërkuar këtij të fundit që të bëjë përgënjeshtrim të plotë dhe të qartë publik të deklaratave të publikuara; Të kërkojë falje publike ndaj shërbyesve civilë të MASH; dhe që, të heq ose të korrigjojë postimin e datës 19.02.2026 dhe çdo përmbajtje tjetër të ngjashme me karakter denigrues.
Sipas sindikatës, deklaratat e bëra nga Dervishaj, në postimin e djeshëm, prekin në mënyrë të përgjithësuar shërbyesit civilë të ministrisë, duke i paraqitur ata si subjekt i veprimeve të kundërligjshme.
‘’Deklaratat në fjalë përbëjnë cenim serioz të dinjitetit njerëzor dhe profesional të anëtarëve të Shoqatës Sindikale të Shërbimit Civil të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë’’, thuhet mes tjerash në postim.
Kërkesa e plotë:
Shoqata Sindikale e Shërbimit Civil të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Nr. prot.: 01K/06-26
Datë: 20.02.2026
Drejtuar: Z. Valdrin Dervishaj
Nga: Shoqata Sindikale e Shërbimit Civil të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Lënda: Kërkesë për përgënjeshtrim, kërkimfalje publike dhe paralajmërim për veprime ligjore
I nderuar z. Dervishaj,
Më datë 19.02.2026, përmes rrjetit social Facebook, si dhe përmes referimeve në portale vendore, keni publikuar deklarata që implikojnë në mënyrë të përgjithësuar dhe kolektive shërbyesit civilë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke i paraqitur ata si subjekt i pretendimeve për veprime të kundërligjshme.
Deklaratat në fjalë përbëjnë cenim serioz të dinjitetit njerëzor dhe profesional të anëtarëve të Shoqatës Sindikale të Shërbimit Civil të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në kundërshtim me dispozitat e:
Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që garanton paprekshmërinë e dinjitetit të njeriut;
Nenin 24 të Kushtetutës, që garanton barazinë para ligjit dhe ndalon diskriminimin;
Nenin 36 të Kushtetutës, që garanton mbrojtjen e reputacionit;
Nenin 40 të Kushtetutës, në lidhje me kufizimet e ligjshme të lirisë së shprehjes për mbrojtjen e reputacionit të të tjerëve;
Ligjin Nr. 02/L-65 për Mbrojtjen nga Shpifja dhe Përbuzja, i cili përcakton përgjegjësi civile për publikimin e deklaratave të pavërteta që dëmtojnë reputacionin.
Përgjithësimi i akuzave pa individualizim, pa paraqitje të provave konkrete dhe pa bazë faktike të verifikueshme për secilin shërbyes civil, përbën tejkalim të kufijve të lejuar të lirisë së shprehjes dhe përmbush elementet e përgjegjësisë juridike civile.
Në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe para inicimit të procedurave gjyqësore, ju kërkojmë që brenda afatit prej 7 (shtatë) ditësh nga pranimi i kësaj kërkese:
Të bëni përgënjeshtrim të plotë dhe të qartë publik të deklaratave të publikuara;
Të kërkoni falje publike ndaj shërbyesve civilë të MASH në të njëjtin medium dhe me të njëjtin intensitet publikimi;
Të hiqni ose korrigjoni postimin e datës 19.02.2026 dhe çdo përmbajtje tjetër të ngjashme me karakter denigrues.
Në mungesë të veprimit brenda afatit të caktuar, Sindikata do të ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse. Kjo kërkesë paraqet njoftim zyrtar dhe paralajmërim formal procedural.
Me respekt,
Kryesia e Shoqatës Sindikale të Shërbimit Civil të MASHT
Shkurt, 2026, Prishtinë