Siç u paralajmërua, ShBA-ja i vendos sanksione Rusisë dhe i dëbon 10 diplomatë rusë - Gazeta Express
string(82) "sic-u-paralajmerua-shba-ja-i-vendos-sanksione-rusise-dhe-i-debon-10-diplomate-ruse"

Siç u paralajmërua, ShBA-ja i vendos sanksione Rusisë dhe i dëbon 10 diplomatë rusë

Lajme

Gazeta Express

15/04/2021 14:38

Shtetet e Bashkuara të enjten i vendosën sanksione të reja Rusisë për ndërhyrjen e pretenduar në zgjedhjet presidenciale dhe aktivitetet dashakeqëse kibernetike dhe ia dëbuan 10 diplomatë.

Sanksionet e gjera erdhën pjesërisht edhe për shkak të aktiviteteve kibernetike që e kanë prekur softuerin e zhvilluar nga kompania “SolarWinds”, për të cilat Shtetet e Bashkuara thonë se ka gjasë të jenë orkestruar nga Rusia.

Lexo Edhe:

Ndërhyrja në këtë softuer u dha qasje hakerëve në mijëra kompani dhe zyra qeveritare që ishin duke i përdorur produktet e kompanisë së prekur, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Sanksionet e reja pritet t’i ftohin edhe më shumë marrëdhëniet edhe ashtu jo të mira mes Uashingtonit dhe Moskës, e cila e ka testuar durimin e Perëndimit me grumbullimin e trupave ushtarake afër kufirit me Ukrainën.

Raportet mes dy fuqive botërore e prekën pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë muajin e kaluar, kur presidenti amerikan, Joe Biden, tha se mendon që homologu i tij rus, Vladimir Putin, është vrasës. Shefi i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu është zotuar se do të marrë masa rreth raportimeve se Rusia u ka ofruar shpërblime militantëve talibanë për të vrarë trupa amerikane në Afganistan.