Si u ngut Agim Veliu për të demantuar se është takuar me Sami Lushtakun


Gazeta Express
23 Korrik 2019 21:20

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka mohuar për të dytën herë brenda ditës se është takuar me Sami Lushtakun e Partisë Demokratike të Kosovës. Pasi fillimisht i tha Gazetës Express se nuk është takuar me njërën ndër figurat më të rëndësishme të PDK’së, Veliu ka dalë edhe me një reagim në Facebook. Me sa duket, nga frika se mund të dëmtohet në vota para zgjedhjeve për kryetar në LDK.

Agim Veliu, i cili ka shfaqur ambicie për të marrë postin e të parit në LDK, u raportua se ka pasur një takim të fshehtë me një nga fytyrat më të rëndësishme në PDK, Sami Lushtakun.

Në një bisedë me Gazetën Express, këto lajme Veliu i ka quajtur shpifje, duke thënë se asnjëherë nuk është takuar me ish-kryetarin e Komunës së Skenderajt.

E në shkrimin e tij në rrjetin social, në internet, Veliu ka thënë se lajmi për takimin e tij me Lushtakun ka pasur “të vetmin qëllim dëmtimin e procesit të brendshëm zgjedhor në LDK, i cili ka hyrë në fazën finale”.

“Për shkak të interesimit të opinionit publik ua bëj me dije se, jo vetëm sot, por asnjëherë në jetë nuk jam takuar jo zyrtarisht me Samiun”, ka theksuar ai në Facebook.

“Sot kam përmbyllur një ditë pune dhe sipas agjendës kam pasur takim me qytetarë të komunës sonë”, ka shkruar Veliu.

“Ftoj qytetarët, veçmas anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së që lajmet e tilla dhe të ngjashme t’i marrin me rezervë, sepse tash kur fryma e fitores së LDK-së po dominon kudo, për pasojë do të ketë edhe propagandë të pa bazuar dhe pa asnjë argument, por edhe shpifje si kjo e sotmja”, është shprehur ai.

Te fundit


Kthehu lart