Si të shkruash / Stephen King: 22 këshilla mbi të shkruarit - Gazeta Express
string(56) "si-te-shkruash-stephen-king-22-keshilla-mbi-te-shkruarit"

Arte

Gazeta Express

06/05/2022 17:27

Si të shkruash / Stephen King: 22 këshilla mbi të shkruarit

Arte

Gazeta Express

06/05/2022 17:27

Stephen King (1947), shkrimtar dhe skenarist amerikan, një prej zërave më të njohur të letërsisë fantastike horror.  

Harroje televizionin. Nga ana tjetër, lexo sa më shumë që të mundesh.

Lexo Edhe:

King e quan televizionin «helm të kreativitetit» për shkrimtarët. E topit imagjinatën, nuk na lejon të fantazojmë. Ja pse duhet të lihet anash në favor të leximit. Sa më shumë që lexojmë aq më shumë zhvillohet imagjinata jonë. Merrini librat me vete ngado, për të pasur me çka të merreni. King zbulon: «Nëse dëshiron të jesh shkrimtar, duhet të bësh para së gjithash dy gjëra: të lexosh shumë dhe të shkruash shumë».

Përgatitu për një mori dështimesh dhe kritikash më të mëdha se sa e merr me mend se mund t’i përballosh.

Shkrimtari dyshon përherë te vetvetja, por ky është një problem që mund të përballohet. Më pak o lehtë për t’u tejkaluar është dyshimi që e kanë të tjerët ndaj nesh. King shpjegon se «Kur shkruan (apo pikturon apo vallëzon apo bën skulptura apo këndon), dikush do të mundohet të të bëjë të ndihesh se nuk vlen asgjë, kjo është e gjitha».

Sekreti? Të mbetesh pozitiv në rast dështimi dhe të vazhdosh të shkruash edhe kur nuk ta do: «Të ndalosh së shkruari pse është e vështirë, emocionalish a në mungesë fantazie, është një ide shumë e keqe».

Mos humb kohë duke u munduar t’iu pëlqesh njerëzve.

Edukimi i keq është problemi i fundit që duhet ta konsiderosh. Nëse ke për qellim të shkruash sipas të vërtetës vetanake, është vetëm çështje kohe para se të dalësh nga etiketa sociale.

King ka marrë letra që e akuzonin se është fanatik, homofobik, i pashpirt dhe psikopatik. Pas vitesh dyshimesh, e ka kuptuar se çdo shkrimtar me talent ka marrë komente të tilla negative. Bota është e larmishme, për çdo person që na përkrah do të jetë një tjetër që na denigron.

Shkruaj para së gjithash për vetveten.

Shkrimi duhet të jetë kënaqësi për vetveten; pastaj vijnë të tjerët. «E kam bërë thjesht për t’u argëtuar. E nëse mund ta bësh për kënaqësi, mund ta bësh përgjithmonë».

Ballafaqohu me pjesët më të vështira për t’u shkruar.

«Gjëja më e rëndësishme është gjëja më e vështirë të thuhet […]. Të shkruash është ta rafinosh mendimin».

Fjalët rrallëherë arrijnë ta paraqesin atë që ndiejmë. Disa pika të tregimit mund të kërkojnë orë të tëra reflektimi para se të shkruhen. Si arkeologu, duhet të gërmosh thellë për ta gjetur sistemin më të përshtatshëm për ta paraqitur atë që dëshiron ta thuash.

Kur shkruan, shkëputu nga pjesa tjetër e botës.

Të shkruash kërkon zhytje në vetvete. Ta heqësh qafe shpërqendrimin është prioritet: telefona, zhurma të jashtme, dialogë. King specifikon «shkruaj me derën e mbyllur dhe rishkruaj me derën e hapur».

Mos ji pretendues.

Fjalët tepër të kërkuara, në tregim, janë rënduese. Të pretendosh t’i zëvendësosh fjalët e shkurtra me ca të tjera më të gjata vetëm nga frika se je tepër “i thjeshtë” është e gabuar.

Edhe përdorimi i vazhdueshëm i simbolizmave e ka të njëjtin efekt: artificial dhe ireal. Metaforat dhe simbolet do të duhej të përdoreshin për ta pasuruar tekstin.

Shmangi ndajfoljet dhe paragrafët e gjatë.

«Rruga për në ferr është e shtruar me ndajfloje».

King i urren posaçërisht ndajfoljet (gati se sa fjalën “tha”).

Skajshmërisht të rëndësishëm janë paragrafët, që duhet të jenë të copëzuar në pjesë të vogla për ta mbajtur ritmin e tregimit.

Mos iu jep shumë gramatikës.

«Qëllimi i fiksionit nuk është korrektësia gramatikore, por ta bësh lexuesin të ndihet i mirëseardhur dhe të tregosh një histori».

Të shkruash një tregim është ndryshe nga të shkruash një ese shkencor. Gramatika është e rëndësishme, por të joshësh lexuesin ka peshë më shumë se sa saktësia gjuhësore.

Mësoje artin e përshkrimit.

Pjesa më e vështirë e përshkrimit është të kufizohesh në fjalë. Nëse i tregon të gjitha, lexuesit nuk do t’i mbetet asgjë për ta imagjinuar. Të pikturosh esencialen dhe t’ia lësh lexuesit zotësinë për ta përfunduar me imagjinatë, të jesh i qartë në vrojtime, të përdorësh fjalë të thjeshta: këto janë çelësat për një përshkrim të mirë.

Mos ofro shumë informacione mbi atë që qëndron mbrapa historisë.

«Ajo që duhet ta kujtosh është se ka një dallim mes t’ua mësosh të tjerëve atë që di dhe t’i përdorësh njohjet e tua për ta pasuruar historinë».

Me fjalë të tjera, nuk duhet ta përshkruash të tërë prapavijën narrative, por vetëm detajet për t’i bindur njerëzit ta vazhdojnë leximin.

Trego histori që shfaqin atë që bëjnë njerëzit për çdo ditë.

«Zakonisht historitë më të këqija lindin nga një refuzim kryeneç për të treguar atë që njerëzit bëjnë në të vërtetë – të ballafaqohen, të themi, me faktin se nganjëherë vrasësit i ndihmojnë të moshuarat ta kalojnë rrugën».

Lexuesit i duan detajet mbi personazhet kryesore, sepse e bëjnë botën më të vërtetë dhe reale, më të prekshme.

Rreziko, mos e kërko veç seriozitetin.

«Jam i bindur se frika është rrënja e pjesës më të madhe të shkrimtarëve të dobët». Shmangi frazat pasive: janë një tregues i qartë i frikës. Mundohu të guxosh, bëje çdo përpjekje që mund të të sjellë kënaqësi, edhe nëse duhet të ngelesh tek e “poshtëruesja”: «Nëse funksionon, mirë. Nëse nuk funksionon, hidhe tutje».

Kuptoje se nuk ke nevojë për drogë që të jesh shkrimtar i zoti.

Njëri prej miteve më të mëdha të kohës sonë është se mendjet kreative lidhen me një gjendje alternimi psikologjik të shkaktuar nga barnat, alkooli apo drogat. S’ka gjë më të rreme. Shkrimtari që përdor stimulues është thjesht shkrimtar i droguar, asgjë më shumë.

Mos u mundo të vjedhësh stilin e dikujt tjetër.

«Kur mundohesh t’i referohesh stilit të një shkrimtari tjetër për çfarëdo arsyeje që nuk është të ushtruarit, je duke prodhuar asgjë më shumë se një imitim të zbehtë».

Është e thjeshtë: nuk është e mundur të kopjosh gjendjen shpirtërore dhe përvojat e autorëve të tjerë. Ji vetvetja dhe përdori përvojat dhe ndjesitë e tua.

Kuptoje se shkrimi është një formë telepatie.

Qëllimi nuk është të mbushësh faqe me fjalë, por të transferosh në libër idetë që i ke në mendje në mënyrë që të jenë të kuptueshme për të tjerët.

Merre shkrimin seriozisht.

«Mund të ballafaqohesh me aktin e të shkruarit me nervozizëm, eksitim, shpresë apo dëshpërim. S’prish punë fare, mjaft që ti të mos e zësh në asgjë».

Shkruaj për çdo ditë.

Kur nis një projekt, King nuk ndalet dhe ngadalëson përveç nëse s’ka nga t’ia mbajë. Problemi është nëse bën pauza gjatë të shkruarit, rrezikon të humbësh pasazhet që i ke në mendje, t’i humbësh lidhjet e brendshme të historisë.

Përfundoje versionin e parë në tre muaj.

King-ut i pëlqen të shkruajë 10 faqe në ditë, ose rreth 180 mijë fjalë në te muaj. Sipas tij, versioni i parë i historisë duhet të përfundohet më e shumta për tre muaj, në rast të kundërt historia mund të fitojë, në kokën tonë, një ndjesi “tëhuajësie”.

Kur mbaron së shkruari, bëje një pushim të gjatë.

Me ta përfunduar tregimin, merr gjashtë javë liri për t’u rikuperuar. Në këtë mënyrë do të kesh mendjen lucide për t’i dalluar vrimat eventuale në intrigën e tregimit dhe në zhvillimin e personazheve. Në versionin e parë, në të vërtetë, personazhet mund t’i duken lexuesit të pa vend në disa tipare.

Kind shpjegon në të vërtetë: «Kur shkruan një libër, kalon ditë pas dite duke analizuar dhe identifikuar drunjtë. Kur e mbaron, kthehesh mbrapa dhe e shikon tërë pyllin».

Ki guxim të heqësh pjesë.

Gjatë rishikimit, shkrimtarët kanë vështirësi të heqin fraza a fjalë për të cilat kanë harxhuar shumë kohë e mund gjatë realizimit. Rishikimi është pjesa më e vështirë e shkrimit: është e domosdoshme të theqësh pjesët e mërzitshme.

Martohu, ji mirë me shëndet dhe jetoje një jetë të mirë.

Një këshillë e fundit e vlefshme për çfarëdo aktiviteti: të jesh i shëndetshëm fizikisht dhe psikologjikisht. Për King-un kjo përfshin martesën, njëri prej fortesave që ia kanë mundësuar të bëhet autor i afirmuar. Për çdonjërin prej nesh do të thotë të mbajmë relacione shoqërore në mënyrë stabile dhe një ekuilibër të fortë psikologjik.

/ Përkthimi: Gazeta Express