Si të shkruash / Bradbury: Shkruani pa menduar (dhe 11 këshilla të tjera) - Gazeta Express
string(68) "si-te-shkruash-bradbury-shkruani-pa-menduar-dhe-11-keshilla-te-tjera"

Si të shkruash / Bradbury: Shkruani pa menduar (dhe 11 këshilla të tjera)

Arte

Gazeta Express

20/05/2022 17:14

Rekomandimet e njërit prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekullit XX. «Jini konstant dhe të pasionuar, mos mendoni, ndiqini personazhet tuaja, ata do t’ju çojnë te historia e tyre».

Ndiqeni gjithmonë instinktin tuaj

Lexo Edhe:

Një gjeni i letërsisë fantastike jashtëzakonisht prolifik: ky ka qenë Ray Bradbury (1920-2012), shkrimtari që i ka frymëzuar gjenerata të tëra lexuesish të ëndërrojnë, mendojnë dhe krijojnë. Është autor i qindra tregimeve dhe i nja pesëdhjetë librave, i shumë poezive, eseve veprave teatrale dhe skenarëve për film. Veprat e tij më të njohura janë Fahrenheit 451, Kronikat marsiane, Populli i vjeshtës. Më 2007 i është dhënë çmimin Pulitzer për karrierë. Shtëpia botuese ‘Piano B’ ka botuar së fundmi një përmbledhje prej dymbëdhjetë esesh dedikuar artit të shkrimit. Libri, me titull ‘Zeni në artin e të shkruarit’ është plot me sugjerime dhe shembuj praktikë, por vërtet është shumë më shumë se një doracak i thjeshtë për shkrimtarin aspirues: është një celebrim i artit të të shkruarit, një biografi letrare, një këshillë për ta ndjekur rrugën e instinktit dhe entuziazmit dhe që çon në vendin ku banon gjenia vetanake e brendshme. Çdo indikacion niset përvoja individuale e Ray Bradbury-t, qysh nga këshilla fillestare: «çdo mëngjes kërcej nga shtrati dhe i vë këmbët mbi një minë. Mina jam unë. Pas shpërthimit, e kaloj pjesën e mbetur të ditës duke i bashkuar pjesët e shkapërderdhura. Tash është radha jote. Kërce!».

Rifillo gjithmonë me punë

Duke refuzuar çdo rregull, Ray Bradbury i shpall tri sosh thelbësore: punë, relaksim, mos mendo. Rifillohet përherë nga puna: «Kjo është fjala rreth së cilës do të sillet karriera juaj për tërë jetën. Duke u nisur nga sot ti duhet të bëhesh jo vetëm skllav i saj, term tepër meskin, por edhe partneri i saj. Kur puna dhe ekzistenca shkrihen në një përvojë të bahkëndarë, fjala do t’i humbasë aspektet e saj pakëndshme. Shpesh e lëshojmë veten në punë, në marrëdhënie të kota, vetëm e vetëm që të mos mërzitemi. Ose edhe më keq, ngjizim idenë se po punojmë vetëm për para. Është gënjeshtër të shkruash për t’u kompensuar me paranë e tregut komercial. Është gënjeshtër të shkruash për t’u kompensuar nga fama e ofruar nga ndonjë grup snob gjysmë-letrar në gazetat intelektuale. Cili është kompensimi më i madh që mund të dëshirojë shkrimtari? A nuk dita kur dikush vjen drejt teje, me fytyrën që shpërthen nga ndershmëria dhe sytë që i ndrisin nga adhurimi dhe ushton: “Kjo historia jote e re ishte njëmend e bukur, ishte e mrekullueshme!”. Atëherë dhe vetëm atëherë ia ka vlejtur të shkruash diçka».

Rregulli i dytë: relaksimi

Si është e mundur të punosh dhe të relaksohesh?, pyet Ray Bradbury.

Si mund të krijohet pa i munduar nervat? «Mund të bëhet. Madje bëhet për çdo ditë të çdo jave të çdo viti. E bëjnë atletët. E bëjnë piktorët. E bëjnë alpinistët. E bëjnë zen budistët me harqet e tyre të vockla dhe shigjetat. Edhe unë mund ta bëj. E nëse mund ta bëj edhe unë, siç me gjasë jeni duke mërmërisni ndër dhembë, mund ta bëni edhe ju!». Pra, punë dhe relaksim «sepse unë mendoj se në fund sasia e bën të mundshme cilësinë. Si? Miliarda skicat e Mikelanxhelos, da Vinçit dhe të Tintorettit – sasia i ka përgatitur për cilësinë, për skica të caktuara portrete të caktuara, peizazhe të caktuara, punë të caktuara të një zotësie të pabesueshme dhe bukurie. Një kirurg i madh zbërthen dhe rizbërthen njëmijë, dhjetëmijë trupa, inde e organe, duke e përgatitur me sasi momentin kur cilësia do të jetë thelbësore: kur një krijesë e gjallë do të jetë nën briskun e tij. Atleti mund të vrapojë dhjetëmijë kilometra për t’u përgatitur për njëqind metërshin. Sasia sjell përvojë. Vetëm nga përvoja mund të vijë cilësia».

Në fund dhe mbi të gjitha: mos mendo

«Me punë, me përvojë sasiore, njeriu lirohet nga çdo obligim – përveç detyrës që duhet të bëjë. Artisti që pikturon kuadro nuk duhet të mendojë për kompensimet e kritikëve apo për paranë që do ta fitojë. Duhet të mendojë për të bukurën brenda penelit të tij, e gatshme të rrjedhë nëse e lejon ai. Kirurgu nuk duhet të mendojë për honorarin e tij, por për jetën që pulson në duart e tij. Atleti duhet ta injorojë turmën dhe ta lërë trupin e tij të vrapojë për të. Shkrimtari duhet t’i lejojë gishtërinjtë e tij ta shterin historinë e personazheve të tij, që, duke qenë vetëm njerëz dhe plot me ëndrra të çuditshme dhe obsesione, do të jenë të lumtur të dalin jashtë».

Respektoje Muzën tënde, mos e kërko Intrigën

Sipas Ray Bradbury-t «në harkun e një jete mbushemi me tinguj, vizione, erëra, aroma, karaktere personash, kafshë, peizazhe, ngjarje të mëdha a të vogla. Mbushemi me përshtypje dhe përvoja dhe me reaksione tonat në lidhje me to. Në nënvetëdijen tonë nuk hyjnë vetëm faktet e thjeshta, por edhe të dhënat relative, lëvizja jonë drejt tyre – largimi ynë – nga faktet e perceptuara. Ajo që çdonjëri e quan Nënvetëdije, për shkrimtarët, në aspektin e tij kreativ, bëhet Muzë. Janë dy emra për të njëjtën gjë».

«Do të vijë koha kur personazhet tuaja do t’i shkruajnë historitë tuaja për ju, kur emocionet tuaja, të çliruara nga hipokrizitë dhe paragjykimet komerciale, do të do t’i bëjnë faqet të shpërthejnë dhe do ta deklarojnë të vërtetën me zë të lartë.

Mos harroni, Intriga nuk është tjetër gjë veçse gjurmët e lëna mbi borë pasi që personazhet tuaja janë nisur në destinacionet e tyre të pabesueshme. Intriga vërehet pas fakteve, jo më parë. Nuk mund t’i paraprijë aksionit.

Pra, lëshoni rrugë, harrojeni shënjestrën, lërini personazhet, gishtat tuaj, trupin, gjakun dhe zemrën ta bëjnë të veten».

Çka është fantashkenca?

Në një ese të vitit 1980, Ray Bradbury pyet si është afirmuar në letërsi tregimi fantastik i injoruar kohë të gjatë, në Amerikë, nga bibliotekistët dhe mësimdhënësit. Kanë qenë studentët, fëmijët ata që e kanë drejtuar revolucionin në shkrim dhe në pikturë. Kanë qenë ata që i kanë mësuar të lexojnë bibliotekistët dhe mësimdhënësit. «Të rinjtë e dinin, bile pa guxuar ta pëshpëritin, se e gjithë fantashkenca është një përpjekje për t’i zgjidhur problemet duke u shtirur se po shikon nga ana tjetër». «Ngado që të shikojmë: probleme. Ngado që ta hedhim shikimin e thellë: zgjidhje. Si mund të mos jenë fëmijët e njerëzve, fëmijët e kohës, të mos jenë të magjepsur nga kjo sfidë? Ja pra ku është fantashkenca dhe historia e saj më e re».

E pastaj lexo, lexo, lexo. Lexo gjithmonë poezi

«Lexo poezi për çdo ditë të jetës tënde. Poezia të bën t’i ushtrosh muskujt shpeshherë të papërdorur, e kjo është një gjë e mirë. Poezia i shpërhap shqisat, i mban në gjendje optimale. Të vetëdijeson për hundën tënde, për syrin tënd, për veshin tënd, për gjuhën tënde, për dorën tënde. E para së gjithash poezia është metaforë ose ngjashmëri e përqendruar. Metaforat, si lulet japoneze të letrës, mund të zgjerohen tutje në forma gjiganteske. Në librat e poezisë idetë shtrihen ngado, e megjithatë janë të pakët mjeshtrit e shkrimit që ju këshillojnë t’i shfletoni».

Lexoji esetë, eksploroji të gjitha shqisat

Lexoji esetë, sugjeron Ray Bradbury, zgjidh me kujdes, eksploro gjatë gjithë rrjedhës së shekullit. «Nuk mund të thuash sa do të doje t’i njihje detajet që të jesh endacak, që të dish mbash bletë, të gdhendësh lapidarë apo të luash në rreth. Këtu të takon roli i diletantit, por është diçka që paguhet. Në të vërtetë është si të hedhësh gurë në pus. Çdo herë që e ndien jehonën nga nënvetëdija jote, e njeh veten pak më mirë. Një jehonë e vockël i jep fill një ideje; një jehonë e madhe bën të lindë një histori».

Mos i harro romanet. Dhe bërllokun

E çka të themi për tregimet, romanet? «Natyrisht, duhet t’i lexosh autorët që shkruajnë në mënyrën që shpreson të shkruash edhe ti dhe që mendojnë në mënyrën si do të doje të mendoje ti. Por duhet t’i lexosh edhe ata që nuk mendojnë si ti, apo që nuk shkruajnë si do të doje të shkruaje dhe do të jesh i stimuluar t’i eksplorosh rrugët që do të doje t’i merrje vetëm pas disa vitesh».

«Kultura jonë dhe koha jonë – na kujton Ray Bradbury – janë pafundësisht të pasura me bërllok, por edhe me thesare. Nganjëherë është e vështirë të përcaktosh çka është bërllok e çka jo, dhe kështu, nga frika e deklarimit, ndalemi. Por nëse duam të jemi konsistentë, nëse duam të mbledhim të vërteta në shumë nivele dhe në shumë mënyra, dhe nëse duam t’i nënshtrohemi sprovës së jetës dhe të të vërtetave të të tjerëve, të cilat na ofrohen përmes fumetëve, spektakleve televizive, librave, revistave, gazetave, veprave teatrale e filmave – nuk duhet të frikësohemi të na shohin në shoqëri të këqija».

Këshilla të vogla të pakërkuara duke shkuar në teatër

«Po të më duhej t’u jepja një këshillë shkrimtarëve të rinj – po të më duhej t’ia jepja një këshillë shkrimtarit të ri që isha – shkruan Ray Bradbury – teksa shkojnë ta shohin teatrin e absurdit, të kuazi-absurdit, teatrin e ideve, teatrin-e-nuk-ka-rëndësi-çka, do t’i thosha si vijon:

Tregomë barsoleta pa kuptim dhe unë do të qesh me refuzimin tënd që të më lësh të qesh.

Më bëj të më dalin lotët pa tension dhe refuzoji ngashërimet e mia dhe unë do të shkoj të kërkoj mure vaji më të mira.

Mos më shtrëngo ta mbyll grushtin për ta fshehur pastaj shënjestrën. Se do të mund të të qëlloja unë.

E mbi të gjitha, mos u mundo të ma shkaktosh sëmundjen e detit pa ma treguar së pari vendin ku duhet të vjell.

Ngase, mundohu të më kuptosh, nëse më helmon pastaj unë do të jem keq».

Skica për një program (praktik)

Çfarë lloj programi?

«Diçka të llojit: shkruaji njëmijë a dymijë fjalë për çdo ditë në njëzet vitet e ardhshme. Në fillim do të mund t’ia vinit syrin një tregimi për një javë, pesëdhjetedy në vit, për pesë vjet, duhet të shkruani, të ndani anash apo të digjni një thes me materiale para se të ndiheni rehat me këtë medium. Ose mund të nisi menjëherë me regjim dhe ta përfundoni punën e përditshme sipas parashikimi. Ja pse nuk duhet ta përçmojmë, as t’i marrim për dështime dyzetepesë nga pesëdhjetedy historitë e shkruara në vitin tonë të parë. Të dështosh është të heqësh dorë. Por ju jeni bash në mesin e një procesi dinamik, ku asgjë nuk dështon dhe gjithçka vazhdon. Puna është kryer. Nëse është e mirë, mësoni. Nëse nuk është e mirë, mësoni më shumë. Një punë e kryer është një mësim që duhet studiuar. Nuk ka dështim, përveç nëse ndaleni. Të mos punoni është të fikesh, të thahesh, të nervozohesh: është shkatërrim i procesit kreativ».

Ku të shkruani? Në bodrumin e një biblioteke

Versioni i parë i The Fire Man që në vazhdim do të bëhej Fahreneit 451 i ka kushtuar Bradbury-t nëntë dollarë e tetëdhjetë centë. Në para të imta. Ishte pranvera e vitit 1950. Nga viti 1941 deri në atë moment shkrimtari i kishte shkruar pjesën më të madhe të punëve të tij në garazhin e familjes. Por rritja e fëmijëve dhe dëshira e tyre për të luajtur me babanë (e mbi të gjitha dëshira e babait për të luajtur me to) ia imponoi Bradbury-t të gjente një vend tjetër pune, por «nuk mund t’ia lejonim vetes të kishin një zyre». Në fund i ra në fije një vendi të duhur: salla e daktilografisë e bodrumit të bibliotekës universitare të California në Los Angeles. «Aty, në radhë – tregon Bradbury – kishte nja njëzet makina shkrimi, Ramington të vjetra a Underwood, që mund të merreshin me qira çdo gjysmë ore gjysmë ore për dhjetë centë. E fusje monedhën, ora niste të tiketonte marrësisht dhe ti duhej të uleshe të shkruaje si i egër, për të përfunduar para se gjysmë ora jote të tretej». Koha ishte para, «përnjëmend», nënvizon shkrimtari, i cili do ta përfundojë versionin e parë në nëntë ditë. «Nuk e dija – komenton shkrimtari – por isha duke e shkruar një roman katër groshësh – fjalë për fjalë».

/Marrë nga Corriere della Sera

/Përkthimi: Gazeta Express