Si shkarkohet kryeparlamentari dhe a e votojnë PDK e AAK rrëzimin e Konjufcës? - Gazeta Express
string(77) "si-shkarkohet-kryeparlamentari-dhe-a-e-votojne-pdk-e-aak-rrezimin-e-konjufces"

Gazeta Express

16/01/2020 20:10

Si shkarkohet kryeparlamentari dhe a e votojnë PDK e AAK rrëzimin e Konjufcës?

Gazeta Express

16/01/2020 20:10

Albin Kurti nuk dëshiron ta sakrifikojë Glauk Konjufcën në emër të marrëveshjes për formimin e Qeverisë. Madje i ka treguar LDK’së se mund ta shkarkojë kryeparlamentarin, edhe pa votat e VV’së. Por si në të vërtetë mund të shkarkohet kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës? Gazeta Express ka pyetur edhe PDK’në e AAK’në, nëse do ta votonin largimin e Konjufcës.

Festim Gërguri

Lexo Edhe:

Në fund të letrës së gjatë që sot kreu i Vetëvendosjes ia ka dërguar LDK’së si përgjigje për ofertën e fundit, thotë se LDK mund të tentojë të shkarkojë Glauk Konjufcën, por VV’ja s’do t’i ndihmojë.

“Ju keni të drejtë të jeni penduar dhe të kërkoni nga Grupi Parlamentar i LDK’së që po ashtu të pendohet dhe ta ndërmarrë iniciativën ta shkarkojë Kryetarin e ri legjitim e demokratik të Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca. Kishte dhjetëra vota kundër z. Konjufca. Por, unë nuk mund t’ju ndihmoj në këtë rrugë”, thuhet në letrën e Kurtit.

LDK nuk ka nisur procedurat e shkarkimit, por në ofertën e fundit, ndër të tjera, e ka kërkuar pikërisht pozitën e Kryetarit të Kuvendit, e cila tashmë është e zënë nga Konjufca. 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas kushtetutës, propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Zgjedhjet e tetorit të viti të kaluar i fitoi Vetëvendosja, ku si rezultat i kësaj fitoi edhe grupin më të madh parlamentar në Kuvend. Andaj fitoi edhe të drejtën ta propozojë kryetarin e Kuvendit.

Edhe pse pa një marrëveshje mes partisë së parë (VV’së) dhe partisë së dytë (LDK’së), grupi më i madh parlamentar propozi Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit. Konjufca fitoi 75 vota pro në mesin e tyre edhe votat e LDK’së, 27 kundër dhe 6 abstenime.

Ndërsa për shkarkimin e tij kërkohen 2/3 e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvend.

E gjatë votimit për zgjedhjen e Konjufcës kryetar i Kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës votoi kundër. Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Bedri Hamza, foli për Gazetën Express lidhur me votimin për shkarkimin e Konjufcës.

“Nuk kemi diçka zyrtare, nëse në ditët në vazhdim thirret një seancë për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, ne si grup parlamentar do të mblidhemi, do të diskutojmë dhe do të vendosim rreth kësaj çështje. Nuk mund të them se do të votojmë pro apo kundër shkarkimit të kryetarit të Kuvendit derisa nuk kemi asgjë zyrtare dhe nuk kemi vendosur ne si Grup Parlamentar”, ka thënë Hamza për Gazetën Express.

E shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë për Gazetën Express se kjo çështje do të diskutohet në forumet e AAK’së, andaj nuk kanë një përgjigjje pozitive apo negative.

“Kjo do të diskutohet në forumet e AAK-së. Nuk kam ndonjë koment në këtë temë. Ne akoma po presim që Qeveria të formohet sa më shpejt nga partia që ka dalë e para”, ka thënë Haradinaj për Express.

Në një nga propozimet e LDK’së në ofertën e fundit, që u publikua dje (të mërkurën) thuhet se kryeparlamentari duhet t’i jepet LDK’së.

“1. LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës), thuhej në propozimin e LDK’së që u publikua dje.

Megjithatë Vlora Dumoshi, anëtare e kryesisë dhe nënkryetare e grave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se ky subjekt nuk e ka kërkuar shkarkimin e Glauk Konjufës të Lëvizjes Vetëvendosje nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por ka kërkuar marrëveshje politike.

“LDK-ja nuk ka kërkuar e as iniciuar shkarkimin e z. Konjufca, por ka kërkuar marrëveshje politike për tejkalimin e kësaj situate”, ka thënë Dumoshi./GazetaExpress/