Nga Beklie Koltraka
Koncesionet dhe partneriteti publik-privat shpesh paraqiten si një zgjidhje “pa kosto” për buxhetin e shtetit. Ky pretendim, i përsëritur në deklarata politike, i reflektuar në tituj mediash dhe postime në rrjete sociale, ka krijuar një nga mitet më të përhapura të dezinformimit ekonomik në vend. Ideja se shteti përfiton investime të mëdha pa paguar asgjë, mund të konsiderohet si një nga gënjeshtrat më të dëmshme për opinion publik.
Sigurisht që për një publik të mirëinformuar është e qartë se, asnjë kontratë e partneritetit publik-privat nuk është falas. Këto lloj kontratash funksionojnë përmes angazhimeve financiare afatgjata, ku sektori privat kryen investimin fillestar, ndërsa shteti shlyen kostot përmes pagesave periodike, garancive ose tarifave të lidhura me performancën e shërbimit. Pagesat reflektohen në buxhetin e shtetit për vite me radhë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në financat publike.
Megjithatë, ky realitet shpesh humbet në raportimin mediatik, ku fokusi vendoset vetëm te investimi fillestar privat, duke lënë jashtë vëmendjes angazhimet shumëvjeçare të qeverisë.
“Miti i PPP-ve falas fillon me narrativën dhe retoriken politike që buxheti i shtetit nuk na mundëson të ndërtojmë njëkohësisht një rrugë, një spital, të ofrojmë një shërbim dhe ja ku gjetëm “bamirësin-biznes” që me paratë e veta mund të na i plotësojë këto dëshira “sot” jo “nesër”. Në fakt ky është i ngjashëm me iluzionin që dikush merr borxh dhe mendon që me këto para mund të jetojë jetën që nuk do ta bënte me paratë e veta. Vetëm se ashtu si në rastin e borxhit nga bankat, të gjithë ne taksa-paguesit paguajmë edhe “interesin” mbi borxhin…”, thotë eksperti i ekonomisë Majlind Lazimi.
Një shembull konkret lidhet me PPP-në në sektorin e shëndetësisë, si sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale dhe shërbimet laboratorike. Në momentin e nënshkrimit të kontratave, komunikimi publik u përqendrua te fakti se investimi kryhej nga kompania private, duke lënë të kuptohej se shteti nuk kishte barrë financiare.
Në realitet, buxheti i shtetit paguan çdo vit këste të rregullta për këto shërbime, të cilat, në tërësi, arrijnë në dhjetëra miliona euro përgjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës. Të paraqitura vit pas viti, këto shuma duken të përballueshme, ndërsa kur shuma raportohet si kosto finale, vlera merr një peshë krejt tjetër në syrin e publikut. Pa ofruar këtë kontekst gjatë raportimit, publiku krijon përshtypjen se projekti është “pa kosto”, një perceptim që nuk pasqyron realitetin financiar.
E njëjta logjikë është përdorur edhe në disa projekte infrastrukturore, ku investimi privat është theksuar fort, ndërsa pagesat e garantuara nga shteti për mirëmbajtje dhe shërbim afatgjatë janë përmendur pak ose aspak në komunikimin fillestar. Pavarësisht se raportimi duket korrekt në plan të parë, ky është rasti kur kemi të bëjmë me një informim të mangët që synon të kornizojë realitetin për këto tema në një perspektivë të caktuar.
“Në përgjithësi kultura ekonomike dhe financiare në diskursin publik dhe retorikën politike është në rastin më të mirë e “varfër” dhe në rastin më të keq lehtësisht e manipulueshme. Prandaj, gjykoj se PPP-të janë trajtuar padrejtësisht në dy ekstreme, nga njëra anë qeveritë e kanë trumbetuar si “ilaçi magjik” për të financuar nevojat publike për të cilat buxheti i shtetit nuk mjafton, ndërkohë që nga ana tjetër kemi një “stigmatizim” të PPP duke krijuar përshtypjen se në thelb partneriteti Publiko-Privat është korruptiv. E vërteta është mes të dy qasjeve”, u shpreh Lazimi.
Të dhënat buxhetore tregojnë se pagesat vjetore për kontratat e partneritetit publik-privat janë rritur gradualisht vit pas viti, duke zënë një peshë gjithnjë e më të madhe në shpenzimet publike. Këto pagesa janë të planifikuara dhe ligjërisht të detyrueshme, çka do të thotë se shteti nuk mund t’i shmangë, edhe në rast krizash financiare. Përjashtim bën vetëm rasti i pezullimit të disa kontratave gjatë periudhës së pandemisë Covid-19. Ky fakt bie ndesh me narrativën e “PPP-ve pa kosto”. Ato nuk janë shpenzime të menjëhershme, por janë borxhe të shtrira në kohë, që kufizojnë fleksibilitetin buxhetor të qeverive të ardhshme.
“Arsyeja pse qeveritë përdorin instrumentin e PPP-ve është se kanë objektiva ekonomike, financiare dhe sociale të cilat përmbushen më se miri dhe një kohë më të shkurtër duke ndarë në mënyrë të ndershme dhe transparente kontributin, riskun dhe përfitimin me sektorin privat”, deklaroi më tej eksperti i ekonomisë.
Sipas analizave ndërkombëtare, mungesa e pasqyrimit të plotë të këtyre angazhimeve krijon rrezik për keqinformim publik dhe vendimmarrje të gabuar. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) e cila përdor termin “fiscal illusion”, si referencë ndaj keqkuptimit nga qytetarët i kostove të vërteta të shërbimeve qeveritare dhe barrës tatimore, thekson se kontratat PPP duhet të pasqyrohen qartë në buxhet për të shmangur iluzionin e projekteve “pa kosto” dhe për të garantuar transparencë reale financiare.
Po ashtu edhe Banka Botërore rekomandon që të gjitha detyrimet financiare të PPP-ve të publikohen në mënyrë të kuptueshme për qytetarët, pasi fshehja ose minimizimi i tyre krijon terren për spekulime dhe dezinformim.“Është imperative krijimi i një Agjencie për Vlerësimin e Investimeve dhe PPP-ve, me mandat të qartë, e pa ndikuar politikisht dhe ekspertizë teknike për të përzgjedhur, negociuar dhe monitoruar mbi bazën e analizës së kosto-përfitime dhe fizibilitetit ekonomiko-social të gjitha kontratat e PPP-ve”, shtoi Lazimi.
Një pjesë e përgjegjësisë qëndron te mënyra se si media i trajton temat ekonomike. Në shumë raste, titujt theksojnë “investimin privat prej X milionë euro”, pa shpjeguar se sa do të paguajë shteti gjatë gjithë kontratës. Kjo formë raportimi, edhe kur nuk synon të manipulojë, prodhon efekt dezinformues pasi audienca informohet për madhësinë e investimit, por jo për koston reale që do të përballohen nga taksapaguesit.
Nga ana tjetër edhe institucionet e tjera ndërkombëtare evidentojnë shpesh faktin se përdorimi i pjesshëm i të dhënave financiare është një nga format më të zakonshme të dezinformimit ekonomik. Në një ekosistem mediatik të orientuar drejt klikimeve, mesazhi i thjeshtuar për temat ekonomikë me interes për qytetarët, përhapet shumë më shpejt sesa një shpjegim i detajuar mbi strukturën financiare të kontratave.
Sipas udhëzimeve të UNESCO mbi edukimin mediatik dhe informativ, publiku duhet të pajiset me aftësi për të kuptuar informacionin kompleks ekonomik, në mënyrë që të mos bjerë pre e narrativave të thjeshtuara dhe të pa sakta. Por kjo kërkon edhe një media që investon në gazetari ekonomike profesionale dhe institucione që komunikojnë me transparencë.
“Kam përshtypjen se media nuk e ka akoma ndjeshmërinë dhe kuptueshmërinë se si funksionojnë PPP-të. Media ka qenë një përçuese bruto e retorikës mes dy palëve politike, ku njëra palë e ka parë si ilaçin magjik dhe tjetra si “mallkim” për financat publike. Në këtë kontekst, lypset që media të ketë me të drejtë një rol jo vetëm denoncues, por edhe ndërgjegjësues dhe informues për t’i parë objektivisht PPP-të si një instrument zhvillimi ekonomik nëse shfrytëzohen në mënyrë të drejtë dhe transparente. Ka nevojë për më shume debate ekonomike, emisione dhe panele me tematika sektoriale për nevojat e zhvillimit të ekonomisë sonë dhe padyshim publiku duhet të “përtypë” më mirë se si funksionojnë PPP-të dhe si ti kthejmë jo ne kosto shtesë për taksa-paguesit por në instrumente katalizatorë të zhvillimit”, theksoi eksperti Lazimi.
PPP-të nuk janë domosdoshmërisht negative apo pozitive në vetvete. Ato janë instrumente financiare që mund të funksionojnë mirë ose keq, në varësi të mënyrës se si hartohen dhe monitorohen. Por para se të gjykohen, ato duhet të kuptohen saktë.
Pa një shpjegim të plotë të angazhimeve financiare, qytetarët nuk kanë mundësi të kuptojnë se sa paguajnë realisht për këto projekte dhe çfarë marrin në këmbim. Nëse synojmë një debat publik të shëndetshëm dhe të bazuar në fakte, është thelbësore të largohemi nga mitet ekonomike dhe të përqendrohemi te transparenca reale. Vetëm atëherë kontratat e partneritetit publik-privat do të mund të vlerësohen për atë që ofrojnë në të vërtetë dhe jo të raportohet me qëllim keqinformimin apo dezinformimin e audiencave.
*Ky artikull është prodhuar me mbështetjen e rrjetit SEE Check dhe me financimin e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Albanian Institute for Research (AIR) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Reisebüro Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar nga 12 qershori, do të ofrojë fluturime direkte dy herë...