Si mund të zgjidhet kriza në Shqipëri, ish- Presidenti Moisiu kundër ndërhyrjes ndërkombëtare


Gazeta Express
27 Mars 2019 10:47

Karriera e zotit Alfred Moisiu është e pangjashme edhe me fantazinë filmave të Hollivudit. E shtrirë në dy shekuj, e në dy regjime-, ajo nis me fundin e Luftës së Dytë Botërore më 1945 dhe rilind me përfundimin e Luftës së Ftohtë në 1990.

Gjenerali ka dalë tre herë në pension, ka qenë zv/ministër Mbrojtje në dy sisteme, dhe është i vetmi nga 6 Presidentët e tranzicionit i zgjedhur me pëlqimin e qeverisë dhe opozitës së kohës.

Në kohën e polarizimit ekstrem politik, gjenerali i votuar me 97 vota në Kuvend nga PD dhe PS të drejtuara nga “dinozaurët e politikës kohës (Nano dhe Berisha) e nisi dhe e mbaroi mandatin 5 vjeçar duke mbetur President mbi palët.

90 vjeçari Moisiu, vijon të jetë aktiv në jetën politike sa herë që politika me trillet e saj gjendet në ngërç, por edhe kur kërkohet mendimi për probleme që kanë lidhje me refomat e mëdha në vend apo zhvillime të rëndësishme në rajon. Për reformën në drejtësi thotë se “rakisë po i hidhet ujë”. Për Kosovën ka thënë: “Është krahinë e Shqipërisë’

Zoti Moisiu mendon se vendit i duhet një kryeplak “për të ndarë davanë” dhe këtë rol duhet ta luajë kryetari i shtetit. Por për ta luajtur siç duhet, dhe siç e kërkon vendi, ai prej kohësh ka propozuar që Presidenti duhet të zgjidhet nga populli.

Shqipëria është gjendur rregullisht çdo pesë vjet në krizë politike për shkak të zgjedhjeve. (2007, 2012, 2017..) Shqiptarët e vranë frikën nga zgjedhjet më 1991. Elita politike ende ka frikë nga ajo që del prej kutive të votimit. Kërcënimi për të mos hyrë në zgjedhje, greva urisë së deputetëve në bulevard, çadra publike dhe djegia e mandatave janë kontribute origjinale shqiptare në manualin e tranzicionit demokratik.

Në 2007 Kryeplaku i vendit, i dha zgjidhje krizës duke mbajtur mbyllur përfaqësuesit politik në Presidencë për 48 orë dhe duke ua bërë të qartë se nuk do të dilnin prej aty pa gjetur zgjidhje. Në 2012 u provua restorant Krokodili në Strasburg. Në 2017 kriza u zgjidh nga vetë aktorët vendas – me shtyrjen e përbashkët BE- SHBA (Mekalister, Hoiti).

çdo krizë ka minuar jo vetëm stabilitetin politik, por edhe rrugën e vendit drejt BE-së.

I dalluar për gjuhën e drejtpërdrejtë, dhe për sensin e detyrës dhe përgjegjësisë ndaj vendit, Alfred Moisiu do të flasë sonte në #Përballë për krizën e fundit dhe rolin që mund të luajë arbitri vendas, para arbitrave të huaj.

Ju keni thënë se “për zgjidhjen e krizës politike nuk duhen drejtuar sytë nga ndërkombtarët”. Nga t’i drejtojmë….?

Më vjen ndërmend një fjalë e vjetër që thotë: “mikun nderoje, por qoshen mos e lësho”. Pra, në këto raste qoshen duhet ta mbajë i zoti i shtëpisë. Duhet ta mbajmë ne shqiptarët. Sigurisht me ndihmën e ndërkombëtarëve e cila është e vlefshme veçanërisht për ne si komb që kemi shumë halle historike, por jo në gjithë problemet që kemi nevojë dhe sigurisht që ende kemi, por jo në çdo gjë dhe jo çdo herë. Nuk duhet të sillemi si ai fëmija tekanjoz që duhet të marrë dorën e babait apo të nënës për të ecur në rrugë të drejtë. Në këtë kuptim unë gjithmonë kam qenë dhe mbetem i mendimit që krizën duhet ta zgjidhim vetë. Siç bën çdo vend xhanëm. Ku kemi parë në Europë, flas për Europën Perëndimore, që të bëhet krizë dhe të vijnë të tjerët ta zgjidhin. Italia, vendi ynë fqinj ju e dini ka patur krizat e dynjasë, Greqia po ashtu vetë i ka zgjidhur. Politikanët duhet ta zgjidhin krizën. Politika për mua është mision. Ai që hyn në politikë duhet të bëj mirë hesapet se në politikë hyhet për t’i shërbyer vendit dhe jo për t’i shërbyer interesave personale. Për fat të keq, për fat të keq duhet ta përsëris dhe nuk më vjen mirë ta them, por duhet ta them se kështu janë faktet dhe ngjarjet: këtu hyhet në politikë për t’u pasuruar. Të hysh në politikë për t’u pasuruar? Kjo nuk është politikë, kjo është abuzim. Ose ta themi më shqip: vjedhje se kështu po ndodh.Pra, ata duhet ta gjejnë fjalën, politikanët tanë.

Ju keni thënë: “Ne duhet të kemi “kryeplak” i cili ndan davanë dhe për fat të keq ky duhet të jetë kryetari i shtetit”

Kushtetuta e obligon kryetarin e shtetit se është përfaqësues i unitetit të popullit. Pra derisa je i ngarkuar me detyrën dhe ke pranuar ta marrësh përsipër këtë detyrë, duhet edhe ta kryesh atë. Kjo është. Nuk do shumë filozofi për ta gjetur atë. Nuk është se po e them unë. E thotë Kushtetuta. Ju e përmendët me shumë të drejtë rastin e 2007, ka qenë pak a shumë si i tanishmi….
Çikërrrima kanë qenë nëse e shohim nga pozicioni sot, jo çertifikata, jo libreza ushtrisë, jo diploma e shkollës së mesme….

Ee po puna është Lutfi, që kishte mosbesim. Dhe ky mosbesim ekziston akoma dhe ky për mendim është rrënja e gjithë defekteve dhe të këqijave që kemi ne në politikë: është mosbesimi i politikanëve ndaj njëri-tjetrit dhe mosbesimi i popullit ndaj politikanëve. Vërtet ishin çikërrima problemet e paraqitura, por mungonte besimi për të hyrë në zgjedhje. Atëherë thoshin (për votat) na i vjedhin. Edhe sot jo na i vjedhin jo na i marrin. Jo Ali Hoxha, por Hoxhë Aliu. Eshtë e njëjta gjë. Kriza e 2007 e pati zanafillëm që në muajin korrik. Jo hyjmë, jo nuk hyjmë, jo nuk kemi siguri, jo nuk kemi karta identiteti- këto problematika me një fjalë përmblidhen në mosbesim. Më kujtohet shumë mirë në atë kohë përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë më erdhi dhe më tha: zoti President, po e zgjidh këtë punë. Faleminderit- i thashë. Në fakt asgjë nuk u zgjidh. Në atë kohë në opozitë ishte PS dhe PD ishte në pushtet. Data e zgjedhjeve ishte caktuar në janar të 2007. Zgjedhjet ishin çështje ditësh. Atëherë u bëra ftesë gjithë forca politike- partive parlamentare. E kemi edhe një foto që bëmë pasi u zgjidh problemi…..Por ku i mblodha u thashë: zotërinj kështu nuk mund të vazhdojmë. Jemi shtet demokratik. Një shtet që nuk është në gjendje të bëj zgjedhje nuk është më shtet. Jo se e them unë, po kështu është. U thashë përgjegjësia juaj është që të kemi zgjidhje. U thashë se do të përdorim metodën e Vatikanit kur zgjedh Papën: merren fletet e votimit dhe digjen dhe në momentin që del tym i bardhë nga oxhaku të gjithë e marrin vesh që është zgjedhur Papa. Këtë e thashë në formë figurative. Ata qeshën. Edhe unë qesha me ta, por unë ama e kisha megjithë mend.
U the që askush nuk do të largohet nga këtu pa zgjidhje?

Fakti që pati më vonë disa përpjekje për t’u larguar, tregon se në fillim nuk e kishin megjithë mend, pastaj e kuptuan. T’i vija të gjithë bashkë për të folur ishte humbje kohe se do të nisnin sherret. Nuk donim sherre. Donim zgjidhje. Morëm 8-9 çështje që nuk binin dakord. I ndava në dy grupe dhe me këshilltarët e mi, Afrim Krasniqi dhe Artur Metani, komunikonin mes dy grupeve. Natën e parë në orën 2:30 të mëngjesi vjen një nga ata, që tani nuk dua t’i përmend emrin- e kuptova se erdhi për të parë a isha unë në zyrë. Unë e kisha ndarë mendjen dhe nuk mund të shmangesha. Për fat të mirë u arrit marrëveshja. U rakorduan gjithë çështjet. U bë një deklaratë që u nënshkrua nga të gjithë. U bë dhe foto e famshme. Por kjo marrëveshje më detyroi të shtyja zgjedhjet. Anullova dekretin e parë dhe nxorra një dekret të dytë. Nuk është shumë normale veçanërisht në praktikën e punës time. Nuk tërhiqem kollaj, por u binda se duhej ndryshe nuk arrinim qëllimin për të cilin ishim mbledhur. Sigurisht sot është më ndryshe. Situatat nuk ngjajnë dhe secila ngjarje ka specifikat e veta.
Tani ju si e shikoni ka më shumë tym të zi sot se në 2007?

Në radhë të parë unë them që tymin e zi dhe tymin e bardhë e bën vullneti politik. Këtu mund të vij kushdo, edhe Trumpi të vij po nuk pati vullnet politik nuk ka zgjidhje. Politika është mision. Eshtë njëlloj si të shkosh në luftë. Në luftë shkohet, por asnjë nuk e di a kthehet. Edhe në politikë hyhet, por jo gjithmonë do të dalësh me sukses.
Me dallimin e vetëm siç thoshte Çurçill që në luftë vritesh njëherë, në politikë ke rast të vritesh disa herë.. A besoni që Presidenti mund ta luajë rolin e personit që ndërmjetëson mes palëve?

Më ke bërë një pyetje dhe më ke vënë në siklet. Nuk e kam zakon as të kritikoj as të mësoj qoftë paraardhësit apo pasardhësit e mi, sepse ai që është atje, ai e ka barrën në kurriz dhe ai e di çfarë peshe ka thesi që ka në kurriz. Ne nga jashtë e shohim, por nuk dimë sa është pesha e tij. Gjykoj se Presidenti duhet të bëj çmos për ta zgjidhur krizën, ndryshe nuk po kryen detyrën e tij kushtetuese. Sigurisht duhet bërë kujdes, sepse njeriu ka edhe emocione. Presidenti njeri është nuk është se ka rënë nga qielli. Por kur ngre pretendime dhe bën deklarata duhet të bëj kujdes se çdo shprehje e tij duhet të krijojë një atmosferë sinqeriteti, një atmosferë sigurie te njerëzit poshtë dhe një atmosferë që bën të mundur zgjidhjen e problemit.
Ju keni thënë që politika shqiptare nuk i do Presidentët dhe fakt është se askush nuk ka arritur të ushtrojë detyrën e Presidentit në dy mandate, por për z. Meta ju keni thënë se mund të ushtrojë detyrën e kryetarit të shtetit për 10 vite, për dy mandate. Çfarë keni patur parasysh?

Eshtë e vërtetë. E kam bërë këtë deklaratë edhe duke gjykuar urtësinë e Metës, pavarësisht nga mosha, jo se është i ri, por për mendimin tim Presidenti duhet të jetë në një moshë goxha më të madhe, kam gjykuar edhe mënyrën se si ai ka arsyetur në mjaft raste. Duke patur parasysh se ai i njeh mirë të dy palët, komunikon me dy palët dhe nuk e ka problem- dhe kjo është gjë pozitive për mendimin tim. Në këto kushte kam menduar se do ta kishte shumë më të lehtë që në këtë atmosferë mosbesimi të krijonte një klimë të balancuar mes forcave politike për të ecur përpara. Mirëpo nga e thënë në të bërë është në mes një det i tërë…
Sa mendoni se do të zgjasë ky konflikt, në kushtet kur opozita ka dalë nga Parlamenti dhe distanca mes palëve është më e largët se kurrë?

Të them të drejtën këtë “djegien e mandateve” që sapo përmendët unë e kam dëgjuar prej kohësh, që në 2017, por nuk më shkonte mendja kurrë se do të arrihej deri këtu. Nuk më shkonte mendja se ne kemi një klasë politike me përvojë. Nuk mund të themi se është pa përvojë. Madje ka aq përvojë sa nuk duhet të rrinte më dhe t’i hapte rrugë të tjerëve.
Duhet të dilte në pension?

Por nganjëherë duket se përvoja e tepërt e derdh kupën. Mendoj se kjo krizë është shumë e vështirë që të parashikosh se kur do të zgjidhet. Që do të zgjidhet do të zgjidhet se nuk ka gjë pa zgjidhur. Kjo vetkuptohet. Por unë nuk kuptoj ca gazeta që flasin për përplajse, për luftë civile. Si ka mundësi që një organ shtypi të thotë: “o burra rrëmbeni armët? Do të kemi përplasje?!” Gjakrat duhen ftohur dhe jo të nxehen më shumë. Kriza mund të zgjidhet shpejt, sikundër mund të zgjasë shumë. Por, kjo krizë nuk e di sa kam të drejtë mund të ndihmojë edhe në pastrimin e klasës politike.
Si?

Sepse u tërhoqën nga politika. Faktikisht tërheqja nga Parlamenti është tërheqje nga politika. Politika në Parlament bëhet. Politikën e bëjnë të gjithë shqiptarët se e kemi qef këtë punë, por nuk mund të quhen të gjithë politikanë. Politikanë janë ata që janë në Parlament dhe merren me detyrat e tyre në vijimësi. Kjo një pjesë të politikës mund ta nxjerrë në pension dhe ta rehatojë sepse mesa duket ka nevojë. Disa ekstremizma janë shumë bajate dhe demode dhe jo vetëm që nuk i përgjigjen frymës së politikës europiane, por nuk i përgjigjen as Ballkanit. Po të shohësh Ballkanin klasa politike ka ndryshuar kudo. Në Maqedoninë Veriore erdhi kryeministër Zajev. As e njihte njeri më parë. Eshtë nga Strumica, afër Bullgarisë. Ishte kryetar bashkie. U zgjodh dhe fakti është se pati sukses për një problem shumë të madh me Greqinë. Kjo ishte një plagë për Balllanin, kemi edhe plagë të tjera në Ballkan, por kjo ishte një plagë e vjetër që u zgjidh përfundimisht dhe ishte një hap shumë pozitiv. Pra sjellja në skenën politike të figurave të reja ka elementë pozitiv sepse ata nuk janë bartës….
Ju mendoni se kjo krizë është moment i mirë për të nxjerrë figura të reja, forca të reja, lëvizje të reja…

Them se po. Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje.
Nuk e shihni zgjidhjen që këta që janë të merren vesh me njëri -tjetrin?

Këta që janë e kanë të vështirë se kanë kaluar në aktin ekstrem. Djegia e mandatit është një vetvrasje politike. Derisa kalon në vetëvrasje çfarë do të zgjidhësh?! Nuk u la një shteg hapur. Si mund të zgjidhet? Unë nuk e përfytyroj dot që mund të zgjidhet në këtë situatë me këta politikanë që u larguan nga Parlamenti me këtë metodë. Çdo gjë ndodh. Asgjë nuk na habit më. Edhe fakti që ndërkombëtarët janë të tërhequr.
Pse mendoni se janë të tërhequr?

Janë edhe për arsyet politike në Europë. Tani jemi në prag të zgjedhjeve që po bëhen për Parlamentin Europian. Por në shumë vende ka situata të ndezura, Francë, Gjermani, Itali, kanë hallet e veta shkurt muhabeti. Ata e ndjejnë shqetësimin për Shqipërinë se Shqipëria është një faktor shumë i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Eshtë një situatë që duket qartazi që forca të tjera, shtete të tjera duan të fusin hundët në Ballkan. Kjo situatë ja lehtëson atyre detyrën. Nuk është në interes as të Ballkanit, as të zhvillimeve të tanishme as të demokracisë as të Perëndimit.
Unë mendoj se i vetmi shtet që mund të ketë ndikim serioz janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po e vlerësuan që duan të venë dorë dhe them se duhet ta vlerësojnë, ata po, ata mund t’i japin drejtim, por këta që dolën nga Parlamenti nuk e di se si….

…do të kthehen?

Ata nuk kthehen dihet kjo punë. PD, sigurisht është një forcë e madhe politike, por ne kemi shembuj të forcave të tjera të mëdha politike, parti që janë larguar nga terreni politik. Psh Partia Demokristiane në Itali ka qenë forca kryesore që nga viti 1946. Nuk e ke më tani. Nuk merret vesh ku është. Ekziston, por është në miniaturë. Ka edhe shembuj të tjerë që mund të sjellim. Mendoj se politikanët që u tërhoqën kanë detyrë për hir të kontributeve që kanë dhënë, se me thënë të drejtën nuk janë pa kontribut, për hir të detyrimit që kanë ndaj popullit, për hir të detyrimit që kanë për një qëndrim kaq të gjatë në politikë, të paktën duhet tani të ndihmojnë për të krijuar një klimë mirëbesimi mes politikanëve që kanë mbetur në skenë.
Pas 3 muajsh janë zgjedhjet lokale. Në 2007 ju i shtytë zgjedhjet. Shikoni mundësi që opozita të futet në këto zgjedhje? Do të kërkojë më shumë kohë opozita apo do të zhvillohen zgjedhje pa pjesëmarrjen e PD dhe LSI.

Unë them se kjo situatë nuk është e ngjashme me atë të 2007-tës. Atëherë u arrit mirëkuptimi dhe kërkohej kohë për të realizuar çfarë u vendos, prandaj u bë edhe shtyrja. Kemi 3 muaj deri në zgjedhje. Nuk shoh arsye pse duhen shtyrë zgjedhjet. Unë them se opozita nëse nuk merr pjesë në zgjedhjet vendore atëherë merr fund fare përfundimisht. Pra flas për partitë që përbëjnë opozitën. Nuk e kuptoj se ku do të shkojnë. Disa ditë më parë në një komunikim me median hodha një mendim dhe po e përsëris: rezultatet e zgjedhjeve vendore do të tregojnë se sa të drejtë ka njëra apo tjetra palë. Nëse në këto zgjedhje mazhoranca humbet atëherë detyrimisht duhet të kalohet në zgjedhje të parakohshme…sepse ka rënë pesha e saj politike.
Para se të shkojmë në zgjedhje. Thelbi i krizës është ajo që ju thoni: mosbesimi që lidhet me zgjedhjet. Ai dyshim i 2007-tës që kishte opozita në atë kohë është rikthyer në një formë tjetër nga opozita e sotme…

Lutfi, ju e thatë në hyrje që kam një stazh të gjatë….
Vetë jeta juaj tregon se në çdo situatë ka një rrugëdalje.

Unë po ju them: në mars të 1992 unë kam qenë ministër i Mbrojtes së qeverisë teknike. Për faktin që shteti ishte disintegruar, nuk punonte asgjë, nuk punonin telefonat, ushtria ishte në rregull. Ushtria në atë kohë, ndërlidhja e ushtrisë ka ndihmuar për të dhënë të dhënat për votimet. Unë dhashë një urdhër të veçantë për këtë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm e ndoqi. Kanë qenë 2000 e ca pika hapje me telefon kudo në çdo fshat. Mbledhjen e të dhënave ushtria e kishte shumë të lehtë për ta bërë. Shumë më lehtë se Telekomi se telekomi nuk ekzistonte në atë kohë ishte shpartalluar. Pra u bënë zgjedhjet vërtet shumë të mira. Nuk pati asnjë problem. As në votime as në sulme ndaj kutive të votimit- më vonë i kemi dëgjuar këto historira. Dhe në atë kohë pati gjëra serioze. Ish presidenti asaj kohe Ramiz Alia humbi në Tiranë përballë një inxhinjeri, Franko Kroqi që është bërë për ndjesë pastë – dhe Presidenti asaj kohe humbi në një zonë që konsiderohej si kështjellë e Partisë së Punës së asaj kohe. Atëherë pata edhe një shqetësim. Në Tiranë ishin katër brigada tankesh dhe nuk ishin pak. I mora komandatët e brigadave në telefon dhe u thashë: mbani vesh zërin tim. Vetëm po t’u marr unë në telefon do të lëvizni….
Kishe informacion apo frikë…

Informacion nuk kisha me thënë të drejtën. Përkundrazi informacioni ishte pozitiv. Ushtria në atë kohë e kërkonte ndryshimin. Sigurisht ushtria në atë kohë nuk mendonte që do të trajtohej në atë mënyrë si u trajtua nga politika, sepse politika shqiptare e tradhëtoi ushtrinë shqiptare. Ushtria shqiptare mbajti qëndrim vërtet shumë patriotik dhe në përputhje me dëshirën e popullit. Nuk i doli ndesh dëshirës së popullit. Kjo është një gjë që historia duhet ta vlerësojë, sepse politika nuk e ka vlerësuar. Oficerat tanë që i kanë shërbyer popullit dhe kanë një ndjenjë të lartë patriotike dhe nuk është vetëm tek ne, në të gjithë vendet e botës ushtarakët nga kjo anë kanë një formim të veçantë sa i përket patriotizmit, ndjenjës së detyrës, ndershmërisë dhe rrallë dëgjon ndonjë ushtarak që të bëj ndonjë gjë….
Zoti President në Shqipëri janë zhvilluar shumë zgjedhje, por që nuk janë kontestuar janë ato të vitit 1992 dhe të vitit 2005 që përkoi edhe me kohën që ju ishit kryetar shteti. Pothuaj të gjitha zgjedhjet e tjera janë kontestuar, është folur për numërim elektronik, është folur për administrimin apolitik të zgjedhjeve deri te ideja e më shumë rol për të huajt….

E thashë edhe më parë dhe nuk dua të përsëris për rolin e të huajve. Të gjithë e dinë. Jo vetëm politikanët. Në Shqipëri ata që vijnë në pushtet kërkojnë me çdo kusht të qëndrojnë në pushtet, ndërsa ata që janë në opozitë kërkojnë me çdo kusht të rimarrin pushtetin. Kjo tendencë te politikanët tanë për fat të keq qëndron dhe sigurisht kjo na ka dëmtuar rëndë. Na ka dëmtuar rëndë, sepse politikën e shohin si biznes dhe jo si detyrë ndaj atdheut dhe popullit. E kam thënë dhe herë të tjera: jam idealist. Kjo nuk do të thotë nga ana ideologjike. Jam idealist se mendoj se detyrën që merr çdo politikan, çdo nëpunës, çdo njeri duhet ta kryejë atë në përputhje me ligjin, në përputhje me kushtetutën dhe interesat e popullit. Gjithmonë kam thënë: unë punoj për shtetin, shteti duhet të mendoj për mua. Ky është parim i drejtë. Dhe kudo kështu është. Ne këtë nuk e zbatojmë. Eshtë për të ardhur keq se klasa e vjetër ka infektuar edhe të rinjtë që kanë ardhur në politikë. Kemi të rinj që kanë studiuar jashtë, kanë marrë botëkuptimin perëndimor për demokracinë dhe shtetin dhe kur vinë këtu duken të druajtur dhe në disa raste ja kalojnë edhe etërve të tyre politik. Eshtë për të ardhur keq.
Zoti President ju thatë se politika është bërë biznes. Nëse do të funksiononte drejtësia kjo nuk do të ndodhte. Po ju citoj: ““Nuk po them ndonjë gjë të re, se drejtësinë në këtë derexhe e ka çuar politika, nisur nga qëllimi për të mbrojtur veten si dhe për të vazhduar me mentalitetin e vjetër, që për çdo gjë vendos partia” dhe më pas kur duke folur për reformën në drejtësi keni thënë: “rakisë ju hodh ujë’. A mund ta sqaroni pak më shumë?

Unë nuk jam jurist. Profesioni im është inxhinjer ushtarak, por gjatë kohës që isha në detyrën e kryetarit të shtetit unë u mora me drejtësinë se e kuptova menjëherë që aty është e keqja jonë e madhe. Drejtësia është një nga shtyllat kryesore të shtetit dhe demokracisë. Pa drejtësi është vështirë të kesh shtet, është e vështirë të mendosh se ke ndërtuar demokracinë. Sigurisht që reformat i takonin qeverisë dhe Parlamentit, por ama duke parë këto gjëra në vitin 2005 krijova një grup pune- jo për reformë se nuk e bënim dot edhe po të donim, por për të hedhur disa piketa të një strategjie për reformën në drejtësi. Për fat të keq e dënuan të gjithë forcat politike. Mazhoranca e kohës e quajti: “Testamenti i Moisiut”. Moisiu nuk e bëri për testament, por për të kontribuar. Ajo nuk ishte vepra e Moisiut, por e disa juristëve të përzgjedhur shumë të aftë që merreshin me atë punë. Më vonë pasi u largova nga detyra jam marrë me këtë temë. Ju e dini që kemi krijuar një forum, Forumin Civil 2010 dhe po të lexoj një pasazh të fjalës që kam mbajtur më 30 tetor të 2010 në tryezën e organizuar për drejtësinë. “Sigurisht, problemi më serioz dhe që duhet shtruar për zgjidhje është seleksionimi i gjyqtarëve ekzistues, nuk mund të themi dhe nuk është e vërtetë se të gjithë gjyqtarët janë të korruptuar. Por që ka të tillë dhe jo të paktë dihet dhe pranohet nga të gjithë. Mendoj se një rrugë mund të ishte zgjedhja e një komisioni të përbërë nga njerëz të njohur për ndershmëri dhe objektivitet të cilët mund të merreshin me këtë detyrë. Një ligj që gjykoj se duhet hartuar për këtë qëllim është e nevojshme që të përcaktohen kriteret që duhet të plotësojnë gjyqtarët që duhet të qëndrojnë më tej në gjyqësor. Një nga kriteret kryesore që mendoj se do të ishte më i rëndësishme do të ishte seleksionimi pasuror. Dmth çdo gjyqtar duhet të mbrojë pasurinë e tij, por të dhënat e burimit të pasurimit duhen verifikuar me të gjitha mundësitë që ka shteti përfshirë këtu edhe shërbimet sekrete”. Kjo është thënë në 30 tetor 2010.
Pothuaj 9 vite më parë. Pyetja ime është….

E kam fjalën këtu. Po të shikosh tani flitet për vetting. Atëherë nuk njihej me vetting.

Pse keni thënë se rakisë po i hidhet ujë?

E kam ndjekur reformën në drejtësi dhe vërtet u bë një reformë e mirë. Sigurisht ndihmuan edhe të huajt. Por edhe juristët tanë kontribuan dhe me thënë të drejtën i kemi shumë të mirë nuk janë të këqinj …
Juristët i kemi të mirë, por drejtësinë e kemi të keqe.

Aty është e keqja. Makinat i kemi të mira, por shoferët i kemi të këqinj. Reforma u bë dhe jam shprehur disa herë: politika duhet mbajtur sa më larg nga reforma se politika po ndërhyri e bën pis. Mirëpo politika bëri ç’bëri i futi hundët. Reforma parashikonte që KLD, KLP, KED, gjithë këto organe kryesore do të zgjidheshin nga organet që do të dilnin nga ligji që do të hartohej pas miratimit të reformës, por politika tha jo, ne duhet ta themi fjalën tonë. Me sa duket, këtu edhe ndërkombëtarët që asistonin ceduan për mendimin tim. Nuk duhet të kishin ceduar. Çfarë ndodhi? 5 i zgjedh Parlamenti 6 i zgjedhin këto organe. Pra rakia u zbut, ju hodh ujë. Pa ujë, ata të 11 duhet të zgjidheshin nga organet që ishin për këtë punë, sigurisht në përputhje me ligjin. Kjo është.
Ju keni përmendur në një rast se “Kur isha në detyrë në bisedë me prokurorin i thashë, se kur një ministër takohet me të duhet t’i hyjnë të dridhurat, në kuptimin simbolik, se prokurori kur bën zullume nuk të fal dhe të nxjerr para përgjegjësisë ligjore. Pra, kështu duhet të jenë prokurorët tanë. Po ndodh e kunderta”. Pse jemi ne në situatën që prokurori “dridhet” dhe ministri qesh?

Dëgjoj shumë që tani flitet me të drejtë se mbeturinat e komunizmit nuk po luftohen si duhet, krimet janë harruar, por ne kemi harruar një gjë të rëndësishme: reminishencat e së kaluarës në politikën tonë, tek politikanët tanë.
Ku i shihni ato?

Reminishenca kryesore është partia shtet. Atë thoshte Enver Hoxha dhe këta tanët, të gjitha palët, gjatë gjithë këtyre 30 viteve këtë thonë. Ai do të ketë Kuvendin, do të ketë qeverinë, do të ketë drejtësinë. Kushtetuta i ka të ndarë pushtetet dhe një themel i dytë shumë i rëndësishëm për demokracinë është ndarja e pushteteve. Këtë e pranojmë me gojë se e kemi të shkruar në kushtetutë. Praktikisht nuk e pranojmë. Po të shohësh psh: prokuroria merr një hap, menjëherë pala e rrezikuar hidhet: është politike. Po dale pak. Lere tjetrin të punojë. Janë të tmerrshëm politikanët tanë. Menjëherë i venë vulën: “politike”. Pse? E dinë që kur nuk i intereson po the: politike do të sfumohet çështja. Ne vuajmë akoma. Nuk e kuptojmë çfarë do të thotë: ndarje pushtetesh. E kam shkruar në kujtimet e mia: kryeministri kohës i ndërronte drejtorët e doganave çdo 3 muaj. Më bëri përshtypje. Kur zgjedh një individ në në detyrë duhet menduar mirë. Kur e zgjedh nuk mund të luash më se do të thotë nuk e ka zgjedhur tamam. Duhet të mbash edhe ti përgjegjësi dhe të largohesh nga skena politike si kryeministër. E zgjodhe dhe e vendose dhe të doli bllof, atëherë do të thotë se edhe ti nuk je në rregull. Atëherë bëra një letër kryeministrit të kohës: çfarë bëni kështu? Më thoni pse hoqet X-n dhe vendosët Y-n. Cila është arsyeja. Përgjigja sigurisht edhe sot e kësaj dite nuk ka ardhur.
Ju e keni kuptuar pse i ndërronte kaq shpesh drejtorët e doganave…?

Sigurisht që e dija. Jo vetëm kaq ka qenë një drejtoreshë doganash. E thirra për t’i dhënë kurajo për t’i thënë: zonjë kjo është një gjë e madhe. Ke marrë barrë të madhe përsipër, por detyrën duhet ta kryesh mirë. Puna e parë është që ti nuk duhet të cedosh para askujt përveç ligjit dhe kushtetutës. Po pate vështirësi – i thashë – eja tek unë. Më tha faleminderit dhe iku. Mbas 6 muajsh u largua!

Iku edhe nga Shqipëria.

Jo para se të ikte nga Shqipëria erdhi tek unë dhe më tha: dua të punoj në stafin tënd. Megjithë qef do të merrja i thashë, por të dhashë një porosi që nuk e zbatove. Pra nuk je e vlefshme për stafin tim. Më pas iku…
Për drejtësinë ju keni përdorur një shprehje të Balzakut. “Rrjeta mund të jetë, por jo për mizat e mëdha” – Besoni se rrjeta e drejtësisë së re do të jetë edhe për mizat e mëdha?

I dashur Lutfi, ne drejtësinë si sistem nuk e kemi patur të keqe. Puna është që e prishëm sistemin. E thatë pak më parë edhe ju. Në gjykatën e Lartë dërgohej një njeri dhe i thoshin: unë të kam çuar, mbaje mend. Kjo ç’do të thotë, do të thotë: ke vajtur atje, por do të zbatosh atë që dua unë. Dhe ai, atë punë bënte. Ose janë dëgjuar gjëra të tmerrshme që X paguante X shumë për të marrë atë post. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që unë që kam marrë këtë post me këtë X shumë do të mendoj që unë i dhashë 300 atij, por i mora borxh se një shumë të tillë nuk mund ta ketë njeri – atëherë unë duhet të marr 600, 300 t’i kem për të larë borxhet dhe 300 për vete
Drejtësi paska patur por e shtrenjtë shumë…

Kjo e shkatërroi. Ky sistem tani, mendoj se është shumë rezultativ se mënyrat e kontrollit janë të tilla që edhe po të duan të bëjnë gabime, nuk kalojnë dot rrjetën. Meqë përmende La Fontenin ai ka edhe një histori me gomarin, dhelprën dhe luanin që kapin një dele dhe i thonë gomarit të ndante prenë: e ndau në tre pjesë dhe kokën ja dha luanit. Ky e goditi fort se nuk i pëlqeu dhe kur prenë e ndau dhelpra dhe të gjithë ja dha luanit. Ky i fundit i kënaqur e pyeti: ku ke mësuar kaq mirë moj dhelpër? – nga ai që po tund këmbët aty- i tha ajo. Po nuk u tundën këmbët tek ne… ne kemi vuajtur nga mungesa ndëshkueshmërisë.
Problemi është se kemi shumë gomerë dhe dhelpra, por na mungojnë luanët. Në mungesë të luanëve….kemi hijenat.

Po, është e vërtetë….
Zoti President, ju folët për shtetin, për përgjegjësinë dhe për bindjen tuaj që ushtarakët janë më të prirur, më idealistë për të realizuar detyrën. Një tjetër gjeneral, është ministër i Brendshëm, ish gjeneral. Ka hedhur idenë e përfshirjes së ushtarakëve në polici, marrjes së trupave nga ushtria për t’i përdorur për policinë me arsyetimin se kosto nuk rritet dhe kemi nevojë për njerëz të kualifikuar. Si e gjeni këtë ide?

Unë këtë ide me thënë të drejtën e gjej me shumë vend sepse nuk dua të përsëris ato që thashë më sipër për ushtarakët. Eshtë për të ardhur keq. Jo se policia nuk ka njerëz të mirë. Unë i njoh edhe ata. Më 2013 kur ka ardhur një delegacion i BE-së, ju keni qenë në atë takim, unë u ngrita dhe thashë ne kemi dy polici: një në detyrë dhe një e kemi në shtëpi. Kjo është reminishencë e vjetër. Kryeministri e do policinë e tij. Or zotni policia është e shtetit, i përket shtetit për të zbatur kushtetutën, ligjet. Ti bëj detyrën tënde. Pra ne duhet ta zhveshim…se kryeministrin ne e kemi bërë si Padishah. Nuk e di edhe Sulltani….
Padishahu ka patur më pak kopetenca, ka qenë më i kontrolluar.

Ka patur mbërthecka që nuk e linin të fliste shumë. Nuk po flas këtu për mbretëritë perëndimore që ata që më 1200 feudalët nuk i bindeshin Mbretit në mënyrë absolute. Këtu tek ne drejtorin e policisë e do të vetin dhe atë do ta flakë menjëherë. Si? Duhet të ketë ligje të tilla që të mos e lejojnë kryeministrin të bëj këtë punë. Që të flakësh atë (drejtorin e policisë) duhet të kesh arsye shumë të forta. Ju e dini që unë hyra në një debat me kryeministrin e kohës për Prokurorin e Përgjithshëm. Pse?! Kushtetuta ka tre kushte se kur mund të shkarkohet Prokurori Përgjithshëm. Asnjë prej këtyre 3 kushteve mua nuk mu paraqit. Edhe unë mund të kisha vërejtjet e mia, por nëse ne do të lejojmë që të vijoj kështu se nuk më pëlqen mua a të lutem shumë. Ti mund të heqësh ministrin tënd. Dakord. Hiqe. Atë e ke të ekipit tënd, por nuk ke punë me drejtorin e policisë, nuk ke punë me prokurorin, nuk ke punë me gjyqtarin. Pushtetet janë të ndara. Këtë duhet ta arrijmë. Dhe unë them se kjo reformë do të na çojë atje. Por edhe reformën siç e thashë më parë politika nuk ndenji pa i hedhur ujë rakisë për ta zbutur. Po të shohësh tani se ka shumë debat që thonë se reforma dështoi, nuk po zbatohet. Nuk është e vërtetë. Mua më erdhi mirë që edhe zv/ambasadorja e SHBA në një takim që u bë së fundmi me rastin e 10 vjetori të Shqipërisë në NATO tha se “jeni gabim”. Këto nuk janë të vërteta. Këtu është puna. Ne këtë duhet ta kuptojmë. Duhet ta kuptojmë mirë. Fjala e vjetër thotë: po nuk u turbullua nuk kthjellohet. Ky është turbullim. Dhe është momenti që politika shqiptare duhet të dalë në rangun e politikës europiane. Deri më tani kemi qenë në një rang me një përzierje të pakuptueshme, komuniste anarshiste, dreqiste, por ajo që duhet të ishim nuk ishim.
Ideja e xhandarmërisë. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka artikuluar edhe këtë ide.

Kam qenë edhe unë me këtë ide kur isha në detyrë, megjithëse e gjeta si nismë që ishte prekur nga paraardhësi im, por nuk donin. Xhandarmëria ka tjetër edukatë. Eshtë pjesë e ushtrisë dhe po të shikosh gjithë shtetet kryesore kanë xhandarmëri. E ka, Franca, Italia, Spanja. Kanë traditën sigurisht. Po edhe ne nuk jemi pa traditë. Kemi traditën e xhandarmërisë së Zogut. Në atë kohë xhandarmëria ishte pjesa më e organizuar. Kishte shkollë. Shpesh janë nxjerrë si injorantë. Nuk është e vërtetë. Sigurisht nuk ishin njerëz të lexuar. Nuk kishin lexuar Tolstoin, ose shkrimtarët e mëdhenj të botës, por ato rregulla që i kishin mësuar, i kishin mësuar mirë në shkollë. Zogu pat marrë një gjeneral anglez që e vuri në krye të xhandarmërisë shqiptare. Thatë pak më parë që unë kam dhënë një propozim që Prokurorin e Përgjithshëm është mirë ta marrim nga jashtë. Se ne i vemë bishta mor zotni.
I qëndroni ende kësaj ideje?

Në kuadrin e kësaj reforme nuk qëndron më kjo ide, se kjo reformë po bëhet nën vëzhgimin e rreptë të ONM-së (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) të BE-së dhe SHBA-së dhe them se duhet të dalë një njeri sagllam. Por këtu kemi problem sjelljen e klasës politike. Ata sulmojnë çdo vendim gjykate, çdo veprim prokurorie kur nuk i pëlqen. Nuk është puna se thonë se kanë shkelur këtë nen e atë nen. Jo. Thonë është politike dhe pikë. Edhe i vë vulën. Nuk është e drejtë. Këtu ka një gjë edhe media. Nuk luan rolin e saj. Për fat të keq. Media është goxha e zhvilluar, por kemi një media…
Media që luan për veten dhe jo për publikun….

Media që luan për veten. Ai shefi po t’i dalë kundra edhe Presidentit të Republikës i nxjerr një mijë shpifje përmes gazetave dhe medias së tij. E përdor si kobure pronari. Për fat të keq një pjesë e gazetarëve punojnë në të zezë akoma. Si mund të luftojë ai informalitetin kur vetë nuk është në rregull. Pra bën një luftë fallco se vetë ka pranuar gjendjen e tij.
Shqipëria prej 2008 është anëtar i NATO-s ju keni qenë themelues i Shoqatës së Atlantikut, kur u pranua Shqipëria në NATO u tha se tani jemi në paradhomën e BE-së, vendi ka më shumë stabilitet, më shumë siguri, duke qenë vend anëtar i NATO-s do të vijnë më shumë investime të huaja. Ndonjëherë duket që jeta me zig-zaget e veta jo domosdoshmërisht na çon në atë që thoshte Hegeli se koha do të bëj më të mirën…Ne duket sikur bëjmë hapa prapa. 11 vjet më pas ne duket se jemi më larg BE-së dhe jo më afër se ç’ishim në 2008…

Gjithë problemi është se për fat të keq politika jonë hyrjen në NATO dhe BE më shumë i do si mburojë…

Si trofe për qeverinë e radhës….

Për të marrë një mandat të ri dhe për të vazhduar mundësisht përjetësisht në detyrë. Jo çdo gjë që thuhet duhet të merret shabllon. NATO vërtet i krijon këto kushte, por duhet t’i krijosh vetë në radhë të parë. Unë përdor shpesh një thënie popullore, megjithëse më kritikojnë më thonë se përdor shumë….
Asgjë të keqe nuk ka.

Kam një mik që më thotë se i përdor shumë. Megjithatë do ta përdor. Një fjalë e urtë thotë: gomarin nga balta e nxjerr i zoti. E ka thënë populli. Nuk e them unë. Mirëpo kjo është filozofi popullore.
Kjo vlen, por për rastin kur njëri e tërheq dhe tjetri e shtyn dhe jo njëri tërheq e tjetri shton baltën.

Po, nuk ka kuptim kur njëri e tërheq dhe tjetri i mëshon për ta zhytur në baltë. Ne një gjë nuk po kuptojmë: ndihma e huaj ka kuptim kur ndihmojmë veten.
Kur keni krijuar shoqatën e Atlantikut, në kohën e polarizimit ekstrem politik, kur në Shqipëri nuk kishte shqiptarë, por demokratë dhe socialistë, në atë kohë në kryesi të shoqatës ju ftuat Pandeli Majkon dhe kur ju kritikuan se po merrni një socialist ju u përgjigjët: në NATO do të shkojmë me dy këmbët. Sot, 30 vjet më pas pse është më i vështirë dialogu mes pozitës dhe opozitës?

Politikanët tanë çdo gjë e shohin në prizmin e interesit personal dhe partiak. Interesi kombëtar nga i pari del i treti ose i katërti. Këtu është e keqja. Në radhë të parë duhet parë interësi i shtetit, i popullit, i kombit i vendit. Po lëvizëm nga kjo devizë do të falimentojmë.
Ju keni thënë një deklaratë që ka ngjallur jo pak reagime kur u tha: Kosova është krahinë e Shqipërisë.

Kam thënë atë që ka qenë, atë që është, kam thënë realitetin. E kam thënë në Prishtinë në një aktivitet dhe kam thënë: siç është Myzeqeja siç është Labëria ashtu është dhe Kosova. Sepse kështu është. Flas për Shqipërinë që ka qenë si një territor i banuar nga shqiptarët. Seç ndodhi më vonë, me zhvillimet historike dhe këtu Europa na ka një borxh të madh, duke nisur që nga Kongresi Berlinit…
Pse themi se Europa na ka borxh?

Na ka borxh. Më 1913 ministri i jashtëm i Anglisë në kongresin e ambasadorëve, kur u mbyll kjo punë, pasi raportoi në dhomën e komuneve tha: “zotërinj ne bëmë një gjë të mirë. Vërtet mund të na kritikojnë. Shqipërisë i kemi hyrë në hak, por rëndësi ka jo ajo çfarë i bëmë Shqipërisë, por ajo që ne arritëm të evitojmë përplasjen mes aleatëve të mëdhenj të Europës.
Pyetja e fundit. Më datën 1 dhjetor ju mbushni 90 vjet. Çfarë mësimesh i ka dhënë jeta një njeriu që ka jetuar 9 dekada dhe shikon përpara?

Shumë nga gjërat që thashë janë mësimet që kam nxjerrë nga jeta ime. Kam patur një baba, gjeneral Spiro Moisiun. Ka qenë shumë patriot. Ka marrë pjesë në 5 luftra në jetën e tij, gjithmonë në shërbim të vendit. Ai nuk jepte gjëra të formuluara, por me sjelljen dhe veprimet e tij gjithmonë ka ndikuar tek unë, tek vëllai dhe tek motra. Kam nxjerrë disa konkluzione që i quaj postulate të miat. Po nuk respektove veten nuk të respekton njeri. Këtë nuk e kam mbajtur sekret. E kam thënë gjithnjë dhe ua kam thënë dhe kryeministrave me të cilët kam punuar: “zotërinj, po nuk respektuam veten, kush do të na respektojë ne…Anglia? Amerika? Italia? Franca?. Ngrihet tjetri mu në mes të Parlamentit dhe i thotë plehrë kryeministrit?! Ore ai mund të ketë 1000 kusure. Unë nuk e mbroj kryeministrit. Le të përgjigjet për gjynahet e tij, por ama nuk jam dakord në asnjë mënyrë me përdorimin e kësaj gjuhe. Këtë e sheh dhe e dëgjon një i ri, një djal i ri, një vajzë e re që janë e ardhmja e vendit. Si do të edukohen ato?… ne duhet të kemi parasysh një gjë: shteti është i shenjtë. Shteti është i shenjtë për këdo, për çdo shqiptar dhe shtetin duhet ta ruajmë, ushtari, oficeri, polici, doganieri, financieri, politikani e kështu me radhë.

Te fundit


Kthehu lart