Si ia devijoi Topi 'ëndrrën' Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në Çeki - Gazeta Express
string(71) "si-ia-devijoi-topi-endrren-konsullit-te-pergjithshem-te-kosoves-ne-ceki"

Shqiprim Salihu

25/11/2020 13:48

Si ia devijoi Topi ‘ëndrrën’ Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në Çeki

Shqiprim Salihu

25/11/2020 13:48

Flakron Shala, djali i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala, në tetor ka arritur të bëhet Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Çeki. Shumë besojnë se emërimi i tij në këtë pozitë ka ardhur si shpërblim i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj për deputetin, të cilin duke i shkuar së bashku në shtëpi, vetëm vonë pas mesnates së 3 qershorit, kishin arritur ta bindnin që disa orë më pas ta votonte Qeverinë e re të Kosovës. Vota e Shalës ishte e 61-ta dhe vendimtarja për formimin e Qeverisë pak para mesditës.

Ndërsa babai i tij po e ushtronte funksionin e deputetit në Kosovë, Flakroni studionte në kryeqytetin e Çekisë. Ai kishte shkuar në Pragë në gusht të vitit 2014, sapo i kishte mbushur 18 vjet.

Lexo Edhe:

Atë kohë, Flakron Shala as që e kishte imagjinuar se pas pak vitesh, në moshën 24-vjeçare, një votë e babait të tij në Kosovë do ta bënte atë pjesë të rëndësishme të sherbimit te jashtëm të Kosovës në qytetin historik të Evropës Qendrore, që në fillim s’i kishte pëlqyer aspak, shkruan Express.

“Në fillim qyteti dukej i vjetër dhe thosha me vete se çfarë i bëra vetes që erdha këtu”, kishte thënë Flakron Shala në shtator të vitit të kaluar për një agjenci të lajmeve të quajtur “Presheva Jonë”.

Flakron Shala, thoshte se pas përfundimit të shkollës planifikonte të kthehej në Kosovë pas përfundimit të studimeve dhe e përjashtonte mundësinë që të merrej me politikë. Donte të kontribonte në ekonomi e arsim.

“Unë nuk mendoj që do të involvohem në politikë direkt në ndonjë subjekt politik, por do të mundohem të kontribuoj për shtetin tim nga ana profesionale”, kishte thënë Flakron Shala. “Pas përfundimit të doktoraturës natyrisht se do të rikthehem në Kosovën time për të kontribuar në vendlindje në sferën e ekonomisë dhe arsimit”, shprehej ai.

Më 20 tetor, ish-presidenti Hashim Thaçi e ka dekretuar Flakron Shalën si Konsull të Përgjithshëm të Kosovës në Çeki, pasi për këtë më 28 shtator kishte marrë një një shkresë nga ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, që i rekomandonte ta dekretonte djalin e deputetit.

Ky vendim shihet si favor që ish-presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ia bënë ish-pjesëtarit të UÇK-së, i njohur atëherë si “Topi”, për ngritjen e dorës në Kuvend kur u hodh për votim përbërja e Qeverisë së re.

“Para dy dite kam deklaruar se nuk do ta votoj Qeverinë Hoti. Por mbrëmë në vizitën që kam pasur në familjen time nga presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, vota ime do të jetë pro”, kishte thënë Shala më 3 qershor në seancën e Kuvendit.

Emërimi i Flakron Shalës si Konsull nuk është bërë në bazë të kritereve sipas Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, si dhe aktet tjera nënligjore. Ai nuk ka asnjë ditë përvojë pune në shërbimin e jashtëm.

Sipas ligjit, ata që emërohen për ta përfaqësuar shtetin në këtë formë jashtë vendit, ndër tjerash, duhet të ketë përgatitje të duhur profesionale dhe ta kenë kaluar provimin pranues të organizuar në bazë të procedurave të përcaktuara me akt nënligjor të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Elemente të rëndësishme në dhënien e një grade për anëtarin e shërbimit të jashtëm janë edhe koha e shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës.

Por, Konsulli i ri i Përgjithshëm në Pragë ka reaguar të mërkurën, duke thënë se emërimi i tij është bërë sipas ligjit.

“Në pozitën Konsull i Përgjitḧshëm i Republikës së Kosovës jam emëruar sipas ligjit në fuqi me propozim të MPJ-së dhe me dekretim të Presidentit të Kosovës. I gjithë ky proces është bazuar në CV-n time dhe përvojën pesë vjeqare në pozitën si Menaxher shteti për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në Kompaninë Çeke Elanor a.s. pëfshirë kualifikimin universitar me gradën Master i Ekonomisë dhe PHD- kandidat, drejtimi Teoria e Ekonomisë”, ka shruar Flakron Shala.

Ministria e Punëve të Jashtme ende nuk është deklaruar lidhur me emërimin e Flakron Shalës, ndërsa këtë e ka bërë të mërkurën në mëngjes ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani. Ajo ka paralajmëruar shfuqizimin e këtij dekreti, duke thënë se “Konsullata e përgjithshme në Pragë dhe emërimi i konsullit të përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike të vendeve demokratike”

Më pas ka reaguar edhe kryeministri Avdullah Hoti duke thënë se “Ky emërim nuk është koordinuar me mua”. Ai tha se për këtë emërim është njoftuar nga mediat dhe se se do ta analizojnë procesin e marrjes së këtij vendimi për t’u siguruar që përbërja e këtyre misioneve të jetë në përputhje me ligjin. /GazetaExpress/