Si i ndryshoi fjalët për kufijtë evropiani Josep Borell - Gazeta Express
string(55) "si-i-ndryshoi-fjalet-per-kufijte-europiani-josep-borell"

Gazeta Express

08/05/2020 12:53

Si i ndryshoi fjalët për kufijtë evropiani Josep Borell

Gazeta Express

08/05/2020 12:53

Josep Borell sa kishte qenë ministër i Punëve të Jashtme të Spanjës kishte theksuar kundërshtimin e tij për idenë e korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, pas uljes në karrigen e italianes Federica Mogherini në cilësinë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borell ka ndryshuar fjalët. Ai tani thotë se u takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin nëse duan korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh dhe se Brukseli s’mund t’u tregojë palëve se për çfarë duhet të bien dakord e për çfarë jo.

Në një takim informal në Vjenë të Austrisë në gushtin e vitit 2018 kur po vlonte debati për ndryshim kufijsh, Josep Borell, në cilësinë e kryediplomatit spanjoll, kishte treguar kundërshtimin e tij për një ide të tillë.

Lexo Edhe:

Borell në një konferencë për media pas atij takimi kishte thënë se brenda BE-së ka një refuzim të fortë ndaj idesë për korrigjim të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ka pasur shumë ngurrim për një marrëveshje që mund të bazohet në kufij etnikë të shteteve”, kishte thënë Borell në vitin 2018, raporton Gazeta Express.

Borell para gazetarëve kishte treguar se vetë nuk ka kurrfarë simpatie për idenë e ndryshimit të kufijve dhe, sipas tij, Evropa është krijuar që njerëzit e komuniteteve të ndryshme të jetojnë së bashku.

“Fakti që po flitet për të ripërcaktuar kufijtë, nuk ka ngjallur ndonjë simpati”, kishte theksuar Borell.

Atë botë europiani Borell theksonte se Evropa nuk është ndërtuar mbi parimet etnike e homogjene.

“Evropa nuk është ndërtuar mbi parime njëetnike homogjene, në suaza të kulturës dhe kombësisë. Ajo është ndërtuar për të ndihmuar të jetojnë së bashku njerëz të etnive të ndryshme”, kishte theksuar Borell.

Borell kishte shkuar edhe më tej duke thënë se Kosova dhe Serbia s’mund të jenë një Indi dhe një Pakistan i vogël, duke rikujtuar historikun e ndarjes që kishin pasur këto vende bazuar në kritere etnike dhe fetare.

Por tashmë Borell pas uljes në karrigen e kryediplomatit të BE=së ka ndryshuar plotësisht qëndrim. Ai thotë se për çështjen e korrigjimit të kufijve u takon të vendosin vetë shqiptarët dhe serbët dhe se Bashkimi Evropian nuk mund t’i mësojë palët se për çfarë duhet të bien dakord dhe për çfarë jo.

Një përgjigje të tillë Borell e ka dhënë kur është pyetur nëse kundërshton idenë e korrigjimit të kufijve njësoj sikurse Gjermania.

“Siç thashë kjo është një çështje që duhet të zgjidhet në dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Unë nuk shoh nevojën që ne të jemi më katolik se Papa. Nuk na takon neve t’u themi serbëve dhe kosovarëve se për çfarë duhet të pajtohen ata apo jo. Roli ynë do të jetë të lehtësojmë dialogun. Por siç thashë nuk duhet të jemi më katolikë se Papa. Nëse ata merren vesh për diçka ne duhet gjithsesi ta studiojmë atë marrëveshje, sepse secila marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës ka ndikim në rajon. Por në parim ky duhet të jetë dialog i lirë dhe fer mes dy palëve. Dhe shumë tashmë është arritur dhe kjo nuk duhet të nënçmohet, sepse kemi sot lëvizje të mallrave mes Serbisë dhe Kosovës. Integrimi i policisë, gjykatave serbe në sistemin e Kosovës, zhvillimi i zgjedhjeve në Kosovë janë dëshmi për disa përparime në rrethana të vështira. Por është po ashtu e vërtetë, disa marrëveshje nuk janë zbatuar siç ishte pritur. Prandaj duhet ta rinisim dialogun e pastaj u takon serbëve dhe kosovarëve të vendosin se cili do të jetë rezultati i tij”, ka thënë Borell në një intervistë për disa media të Ballkanit më 5 maj 2020.

Një deklarim i tillë ka nxitur reagime të faktorit politik në Kosovë, të cilët kundërshtojnë zëshëm një ide të tillë. Nga Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti thonë se s’pranojnë as dialog e as marrëveshje që përfshin prekjen e kufijve të Republikës së Kosovës.

Idenë e korrigjimit të kufijve për herë të parë publikisht e kanë diskutuar presidenti Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq në Forumin e Alpabachut në Austri. Një ide e tillë është kundërshtuar në mënyrë konstante nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila edhe sot thotë se një marrëveshje Kosovë-Serbi duhet të sjellë stabilitet në rajon. /GazetaExpress/