Si i dha fund policia sagës me 37 vjeçarin në Gjakovë që tentonte të hidhej nga kati i pestë


Arlena Krivenjeva
25 Qershor 2019 18:01

Për më shumë se 1 orë, 37-vjeçari SH.K nga Komuna e Gjakovës qëndroi në skelet e një banese në ndërtim, derisa nga aty provoi që të kryente vetëvrasje. Më shumë se 200 persona ishin mbledhur te vendi i njohur si Ura e Taliqit, derisa policia po kryente aksionin. Pa mjete të duhura për të kryer shpëtimin, policët u detyruan që të kacavjerrën në shtyllat dhe skelet e vendosura të ndërtesës, derisa 37-vjeçari kërkonte nga ta që t’ia kthenin vajzën që e donte e t’ia sillnin një birrë. SH.K ka vite që ka probleme mendore, e në momentin kur po tentonte t’i jepte fund jetës pati halucinacione se persona të lartë nga shteti po e ndiqnin për ta vrarë. Gazeta Express sjell rrëfimin.

Që nga paralufta, SH.K, tash 37-vjeçar nga Komuna e Gjakovës po përballet me probleme të rënda me shëndetin mendor. Në periudha të ndryshme, i njëjti kishte kriza të ndryshme, e njëjtë iu përsërit edhe dje.

37-vjeçari (emri i të cilit nuk do të zbulohet shkaku i ndjeshmërisë), që po përballet me probleme të rënda edhe sociale, pati halucinacione se dikush nga shteti po e ndjek për “shkaqe madhore”, e kështu shkoi në një objekt në ndërtim në Komunë të Gjakovës, saktësisht te vendi i njohur si Ura e Taliqit, e nga kati i pestë i asaj banese, duke hipur mbi skele provoi që t’i jepte fund jetës.

Derisa një numër i madh i qytetarëve u mblodhën aty afër për të parë se çka po ndodhte, për këtë u lajmëruan edhe organet përgjegjëse. Këta të fundit e shpëtuan 37-vjeçarin nga vdekja.

Gazeta Express ka kontaktuar Komandantin e Policisë së Gjakovës, Kristë Gjokaj, i cili ishte pjesë e aksionit të shpëtimit, dhe Shefin e Departamentit të Psikiatrisë në Spitalin e Gjakovës, Zef Komanin.

Në një prononcim për Gazetën Express, komandanti i Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj tha se lajmin për këtë rast e mori rreth orës 21:00. 

“Rreth orës 21:00 kam pranuar një thirrje telefonike nga polici kujdestar në Alfa Baze i cili me njoftoj që një person mashkull i moshës rreth 35 vjeçar i cili kishte hipur ne katin e pestë te një ndërtese dhe po tenton te hidhet nga ajo lartësi”, rrëfen ai, derisa tregon se shumë qytetarë ishin mbledhë për të parë se çka do të ndodhte me fatin e personit në fjalë.

Për të kryer këtë aksion, Gjokaj thotë se vendosi që vetë të hip përmes skeleve e për këtë u ndihmua edhe nga një pjesëtarë i NJSI’së. 37-vjeçari ishte agresiv dhe kërcënonte se do të hidhej në rast se të njejtit nuk ia plotësonin kërkesat.

“Duke vlerësuar situatën në hollësi kam caktuar detyrat secilit po ashtu mora parasysh shkathtësitë e zyrtarit te NJSIS-së dhe menjëherë u ngjitëm lart në katin e 5”, tha Gjokaj. I njëjti pohoi se atje ishin edhe një rreshter dhe dy zyrtarë policorë të cilët po negocionin me të dyshuarin.

Gjokaj po thotë se gjatë negociatave me të, i njëjti ka kërkuar nga policia që t’ia kthenin vajzën të cilën e dashuronte duke kërcënuar se në të kundërtën do të hidhej.

 “Gjatë negocimit i njëjti kërkonte që të ja kthenim vajzën që dashuronte por kërcënonte se nëse i afrohesha do te hidhej. Nga distanca kam vazhduar negociatat duke i premtuar përmbushjen e kërkesave te tij dhe gradualisht duke iu afruar”, rrëfen tutje.

Komandanti Gjokaj tha se kushti tjetër që e ka pas personi në fjalë ka qenë që t’ia sillnin një birrë, derisa, këta të fundit derisa e kanë kryer operacionin i kanë premtuar të njejtit përmbushjen e kërkesave, derisa e kanë kapur dikush në qafë, kraharori dhe këmbët për ta dërguar për në ambulancë.

Ai shpjegon se për të kryer këtë operacion është punuar në një ambient të rrezikshëm, pasi që as njësiti i zjarrfikësve as policia nuk i patën mjetet adekuate për të kryer operacionin.


Pasi që personi në fjalë u hip në ambulancë, u dërgua për në Spitalin e Gjakovës, saktësisht në departamentin e psikiatrisë.

Shefi i Departamentit të Psikiatrisë, Zef Komani ka konfirmuar sot për Gazetën Express se personi në fjalë po tentonte të kryente vetëvrasje pasi që kishte hipur në skele të një ndërtese.

“Pasi është sjell në Departament është vendos në trajtim psikiatrik. I njëjti është në tretman psikiatrik në Departamentin e Psikiatrisë dhe gjendja e tij është stabile dhe ka fillua remisioni në aspektin e shëndetit mendor”, deklaroi Komani, duke treguar edhe çka konkretisht janë problemet e tij.

 “|I njëjti është me problem psikike të natyrës së rënd që nga paralufta dhe kohë pas kohe merr tretman psikiatrik. Mirëpo pas përmirësimit nuk paraqitet në kontrolle mjekësore. Po ashtu i njëjti nuk e ka një përkrahje të mirëfilltë familjare e kuptohet as institucionale përpos nga shërbimi i shëndetit mendor. Problemi i tij madhorë është gjendja e tij mendore e kuptohet edhe aspekti social është në pyetje”, shtoi ai.

 Psikiatri Komani ka sqaruar se është hera e parë që ky person ka tentuar të kryejë vetëvrasje, derisa ka treguar se sipas asaj që kanë arritur të marrin nga pacienti, i njëjti ka menduar se disa persona të rëndësishëm po e ndjekin për ta mbytur.

“Sipas njohurive tona si Departament është hera e parë që tenton të bëj vetëvrasje. Ndërsa arsye ka qenë e aspektit të shëndetit mendor, ka pas halucinacione se është duke u ndjekur nga shteti për shkaqe madhore. Kinse disa persona të rëndësishëm janë duke e ndjekur për ta mbytur. Por e tërë ka qenë vetëm në mendjen e tij e nuk përkon asgjë me realitetin”, tha tutje.

Doktori ka bërë të ditur se i 37-vjeçari do të qëndrojë derisa gjendja e tij të stabilizohet në spital.

Gazeta Express ka marrë vesh se me probleme të njëjta si personi në fjalë, janë edhe disa anëtarë të familjes së tij të ngushtë./Express

Te fundit


Kthehu lart