Si funksionojnë play-offs kualifikues për EURO, ku Kosova është në gjysmëfinale


Gazeta Express
22 Nëntor 2019 12:56

Faza e play-offs kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, ku merr pjesë edhe Kosova, ka shkaktuar huti te tifozët e futbollit për shkak të ndryshimeve që i janë bërë formatit të kësaj faze këtë edicion.

Kombëtarja e Kosovës e ka edhe një mundësi ta arrijë kualifikimin në EURO 2020, pasi që është në gjysmëfinale të play-offs kualifikues, ku do të përballet me Maqedoninë si mysafire. Nëse e arrin finalen, Kosova do të luajë sërish si mysafire kundër fitueses së gjysmëfinales tjetër, mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, raporton Gazeta Express.

Kosova e zuri një vend në gjysmëfinale të Rrugës D të play-offs për EURO duke e fituar grupin e vet në Ligën D të Ligës së Kombeve. Rivalet e Kosovës në Rrugën D drejt kualifikimit në EURO janë fitueset e tre grupeve të tjera të Ligës D.

Faza e play-offs

Top dy ekipet Kombëtare në secilin prej dhjetë grupeve kualifikuese për EURO 2020 kualifikohen automatikisht në Evropian, duke i zënë kështu 20 nga 24 vendet e kësaj gare. Kosova mbeti e treta në Grupin A, pas Çekisë dhe Anglisë, kështu që s’e arriti kualifikimin përmes kësaj faze.

Megjithatë, Kosova e ka edhe një mundësi pasi që katër vendet e mbetura të zbrazëta në EURO 2020 caktohen përmes play-offs. Në teori, katër fitueset e grupeve në Ligat A, B, C dhe D të Ligës së Kombeve do të përballen mes vete, të ndara në Rrugët A, B, C dhe D, për këto katër vende.

Përderisa në edicionet paraprake të Kampionatit Evropian, Kombëtaret pjesëmarrëse në play-offs përcaktoheshin përmes paraqitjeve të tyre në grupet kualifikuese, këtë vit ato u vendos në bazë të radhitjes së tyre në Ligën e Kombeve.

Kosova garoi në Grupin 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve, që ishte niveli më i ulët i kësaj gare. Duke e zënë vendin e parë në atë grup, Kosova e fitoi promovimin në Grupin C për edicionin e ardhshëm, por edhe një vend në gjysmëfinale të Rrugës D të fazës së play-offs.

Faza e play-offs do të zhvillohet në mars të vitit 2020.

Si funksionon faza e play-offs?

Përveç 20 Kombëtareve që janë kualifikuar në EURO 2020 duke i zënë dy vendet e para në grupet e tyre, katër Kombëtare të tjera do të kualifikohen përmes play-offs, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Gjithsej 16 skuadra do të marrin pjesë në play-offs, bazuar në radhitjen dhe paraqitjet e tyre në grupet e Ligës së Kombeve.

Këto 16 skuadra janë të ndara në katër rrugë të ndryshme. Nga katër ekipe kombëtare janë ndarë në këto katër rrugë.

Për secilën rrugë do të zhvillohet dy gjysmëfinale dhe një finale. Megjithatë, këto nuk do të jenë në vajtje-ardhje, por fati i skuadrave do të vendoset përmes një ndeshjeve të vetme.

Për shkak të rregullave të UEFA-s, Kosova do ta luajë gjysmëfinalen si mysafire kundër Maqedonisë, pasi që maqedonasit patën rezultate më të mirë në grupin e vet në Ligën D sesa Kosova.

Ndërsa, nikoqiri i finales u vendos sot përmes një shorti. Kosova, nëse e arrin finalen, do të luajë sërish si mysafire kundër fitueses së gjysmëfinales tjetër, Gjeorgjisë ose Bjellorusisë. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart