Si e humbi Kadri Veseli luftën që nisi menjëherë pasi u rikonfirmua në krye të partisë


Gazeta Express
6 Gusht 2019 18:45

Menjëherë pasi u zgjodh për të dytën herë në krye të partisë pa kundërkandidat, Kadri Veseli tentoi të impresionojë të gjithë duke thënë se ata që kanë aktakuza do të largohen nga partia. Por, tani që zgjedhjet janë afruar shefi i PDK’së nuk qëndron më prapa fjalëve të forta. Zyrtarët që deshi t’i largojë tok me Veselin u panë në mbledhjen e Këshillit Drejtues pas dorëheqjes së Haradinajt. Sami Lushtaku në një prononcim për Gazetën Express tha se largimi i njerëzve nga partia ka qenë gabim, por tani sipas tij, për partinë do të angazhohen të gjithë.

Gazeta Express

Kur u rizgjodh në pozitën e të parit në parti muaj më parë, duke garuar pa asnjë kundër kandidat, Kadri Veseli bëri një premtim të madh, pa e ditur se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë më afër se që ai do të mund të mendonte.

Veseli do të deklaronte para anëtarëve të partisë së tij, në ditën kur këta ia besuan votën, se të gjithë ata funksionarë që kanë aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm do të shkarkohen. Lista e të akuzuarve megjithatë në këtë parti është e gjatë.

Katër prej 11 të akuzuarve në aferën korruptive të njohur si “Pronto” u zgjodhën anëtarë të Këshillit Drejtues, derisa, të akuzuar për korrupsion e kishte edhe këshilltarin e tij Njazi Kryeziun, Ministrin e Inovacionit, Besim Beqajn e deputetin e partisë Zenun Pajazitin.

Pak ditë pasi që u zotua publikisht se do të veprojë në atë mënyrë, të njëjtit i largoi nga pozitat që mbanin, derisa Zenun Pajaziti vazhdoi të ushtrojë postin e deputetit e atë në parti. Nga posti i zëvendësministrit u largua edhe Agim Çeku, i cili ka një aktakuzë të konfirmuar lidhur me rastin e njohur në publik si ‘Veteranët’.

Fjala nuk i dhezi as me Adem Grabovcin që ka aktakuzë për rastin Pronto e as me Sami Lushtakun, derisa të dy këta vazhdojnë të mbesin anëtarë të Këshillit Drejtues të PDK-së. Vendimin e tij që e proklamoi aq shumë në media ai nuk e mori mundin që këtyre personave t’ua thotë as zyrtarisht, duke mos i kërkuar këtyre që t’i lirojnë postet në parti.

Me aktakuzë në PDK është edhe ish-kryetari i degës së kësaj partie në Klinë, Sokol Bashota, e kreu i partisë në Gjilan, Qemajl Mustafa.

Veseli që për pak kohë u mundua që t’iu bie në sy ndërkombëtarëve në luftën jetëshkurtër kundër korrupsionit ndryshoi qind për qind kur Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, e u paralajmëruan zgjedhje të reja.

Urgjentisht ai mblodhi Këshillin Drejtues të Partisë, e të ulur në rend të parë i pati kokat e mëdha që premtoi se do t’i shkarkonte, Adem Grabovcin, Besim Beqajn e Sami Lushtakun.

Zgjedhjet e reja e kanë alarmuar atë, e u bënë shkas që i njëjti ta zgjatë dorën e pajtimit me zyrtarët e PDK-së me aktakuza që këtij i sjellin goxha shumë vota, e do të mund ta dëmtonin Partinë Demokratike në zgjedhjet e këtij viti.

Bash në këtë mbledhje, para personave që u shpalli luftë, Veseli tha edhe një premtim tjetër, se partia në të cilën udhëheq është e gatshme për zgjedhje, e që besa edhe do t’i fitojë ato.

Mbledhja e Kuvendit te PDK-se pas doreheqjes se Haradinajt

Derisa kreut të PDK-së, i ka zgjatur ideja për luftë kundër korrupsionit veç pak më shumë se një muaj, mbetet të shihet nëse ky do të fus në lista të kësaj partie bash këta persona që i paralajmëroi se do t’i shkarkonte nga pozitat.

Lidhur më këtë çështje, Gazeta Express ka kontaktuar deputetin Zenun Pajaziti edhe ky i akuzuar në rastin Pronto.

Si duket deputetit nuk i ka pëlqyer pyetja apo nuk është dakorduar ende me shefin në atë se a do të jetë pjesë e listës garuese të kësaj partie në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pavarësisht insistimit ai ka zgjedhur heshtjen, duke lënë nën hije se a ka marrë ende bekimin e kreut të partisë.

Pajaziti kishte marrë 322 vota në Këshill Drejtues, derisa në zgjedhjet e përgjithshme më shumë se 10 mijë vota.

Më i zëshmi kundër Kadri Veseli kishte qenë kreu i PDK-së, në Skenderaj. Pak pasi që kryetari i partisë, kërkoi largim nga strukturat të njerëzve me aktakuza, ai deklaroi për Gazetën Express se s’ka bir nane që e largon atë, vetëm në rast se ai do të largohet vetë.

 “S’ka bir nane që mundet me më largu nga Partia Demokratike e Kosovës, veç nëse du me u largu vet. Nëse më mbushet menja, me u largu prej Partisë Demokratike atëherë vendosi unë, dikush tjetër nuk s’ka mundësi mem largu”, kishte thënë Lushtaku, derisa, pak më vonë pati reaguar përmes Facebook-ut duke shtuar se janë 4-5 persona në PDK që e kontrollojnë Kosovën, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat e tjera në vend.

Mbeti pa sqaruar se për kë e pati fjalën Lushtaku kur foli për kokat e mëdha, por, që tash një gjë dihet se kur flitet për zgjedhje të jashtëzakonshme, te i pari ku Veseli shkoi në konak qe po ai person me aktakuza për të cilin zotohej se do ta shkarkonte.

Pas gjashtë javëve, Kadri Veseli u pa me Sami Lushtakun në Drenicë, derisa, në kontakt të tij shiheshin duke ngrënë mish e duke pirë. I pranishëm në Skenderaj ishte edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Kadri Veseli gjate vizites ne Skenderaj

Në një bisedë për Gazetën Express, kreu i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku ka thënë se Veselin e ka mik, por, që me të shpesh herë në politikë nuk i përputhin mendimet.

Lushtaku tutje ka thënë se vazhdon të qëndrojë prapa mendimit të tij se ajo vendimi për largim ishte i gabuar.

“Në raport me mu nuk ka pas deklarime, po kjo është pak e rëndësishme, largimi i njerëzve për mu ka qenë gabim i kryetarit Veseli, besoj që ne të gjithë kemi me u përpjekë me u angazhu . Unë Veselin në jetë të përditshme e kam shok në politikë nganjëherë nuk pajtohemi”, deklaroi Lushtaku për Express.

Adem Grabovci në anën tjetër i kontaktuar nga Express nuk ka qenë i qasshëm në telefon gjatë ditës.

Së fundmi listës së të akuzuarve në PDK iu është bashkuar edhe kreu i kësaj partie në Pejë, Xhavit Haliti, ndaj të cilit Prokuroria e Prishtinës më 31 maj ka ngritur aktakuzë për veprën penale sulm me pretendim ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashit.

Kreu i PDK-së që pati folur për luftën kundër korrupsionit si të ishte parti opozitare, kishte harruar se ai është pjesë e koalicionit qeverisës që e drejton vendin. I njëjti u pat kritikuar ashpër nga shoqëria civile e opozita që thanë se i korruptuari nuk mund të luftojë korrupsionin./A.K/GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart