Si e arriti Kosova ecurinë fantastike? Flet Munishi


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 20:55

Kosova është bërë ndër temat kryesore në botën e futbollit gjatë kohës së fundit, për shkak të ecurisë fantastike që e ka arritur Kombëtarja kosovare, që nga emërimi i Bernard Challandes në pozitën e trajnerit. Trajneri Kushtrim Munishi thotë se Kosova e arriti këtë duke mos i nënvlerësuar kundërshtarët, por edhe duke mos treguar respekt për ta në fushën e lojës.

Ecuria e Kosovës prej 15 ndeshjeve pa asnjë disfatë – që u mbyll me humbjen me rezultat 5:3 në Angli – bëri që “Dardanët” të merrnin lëvdata nga shumë mediume botërore dhe jo vetëm për rezultatet, por edhe për stilin e lojës, shkruan Gazeta Express.

Trajneri Kushtrim Munishi beson se Kosova e arriti këtë ecuri fantastike duke mos i nënvlerësuar kundërshtarët, mirëpo edhe duke mos treguar shumë respekt për ta në fushën e lojës.

“Shqiptarët e Kosovës e luajnë futbollin qysh moti. Gjëja kryesore, deri në lojën me Çekinë, kemi qenë përfaqësues të denjë dhe aspak inferior karshi këtyre Kombëtareve shumë të forta, si Bullgaria, Anglia, Çekia, Mali i Zi”, ka thënë Munishi në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Nuk është kampanjë e dështuar. Qëllimi kryesor kur të hysh në një lojë në futboll është ta arrish rezultatin që e do, ne e kemi edhe një shans të dytë – përmes Ligës së Kombeve”.

“Gjëja kryesore që e ka identifikuar Kosovën ka qenë se ka luajtur pa pikë respekti… domethënë nuk e ka respektuar kundërshtarin, por nuk e ka nënçmuar, ka luajtur me shumë vetëbesim, çdo lojtar e ka dhënë maksimumin nga vetja dhe Kosova ka funksionuar si grup”.

Kosova tani do të tentojë ta vazhdojë një tjetër rekord pozitiv – atë të të qenët e pamposhtur në ‘Fadil Vokrri”. Për ta bërë këtë, Kosova duhet ta evitojë humbjen të dielën, në ndeshjen kundër Anglisë, që të enjten e mposhti Malin e Zi 7:0. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart